E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot Romë me përfaqësues të medias italiane dhe të huaj në Qendrën e Shtypit. Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi e vlerësoi atë si një mundësi

Kryeministri Fatos Nano u takua sot Romë me përfaqësues të medias italiane dhe të huaj në Qendrën e Shtypit.

Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi e vlerësoi atë si një mundësi më shumë për të bërë prezente zhvillimet në Shqipëri dhe rolin e saj të rëndësishëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë nëpërmjet qëndrimit konstruktiv dhe moderator të qeverisë shqiptare.

"Heshtja misterioze e Shqipërisë tashmë i përket së shkuarës. Koha e izolimit të miqve të Shqipërisë i përket tashmë historisë dhe gjysmë shekull i totalitarizmit dhe i skllavërisë morale e shpirtërore nuk ekziston më. Në këto 13 vjet liri kemi patur kemi patur suksese dhe kriza, kemi nxjerrë mësime përgjatë një rruge të vështirë por edhe fitore. Ne, gjithashtu, kemi triumfuar disa herë mbi momenetet e vështira dhe të turbullta. Gjithmonë kemi qenë të apasionuar dhe vitalë në rrugën tonë drejt një shoqërie të vërtetë demokratike. E një rëndësie të veçantë është fakti që, gjithmonë, jemi të lidhur me rregullat e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Është e pashmangshme që në çaste të caktuara mund të ndjehemi të lodhur, por edhe në këto raste jemi në gjendje për të gjetur 3 milion arsye për të vazhduar përpara. Unë besoj thellësisht tek populli im dhe dua që edhe të tjerët të mund të kenë besim si unë", tha zoti Nano.

Shqipëria, - shtoi zoti Nano, - është thellësisht e bindur se siguria dhe suksesi është i lidhur me suksesin dhe sigurinë e të gjithë rajonit. "Në rajonin tonë çdonjeri prej nesh përballet me të njëjtat probleme dhe kemi mësuar t'i përballojmë ato sëbashku. Ne duam që Evropa dhe bota mbarë të njohë që 3.5 milion shqiptarë janë krenarë që janë midis miqsh dhe vendesh demokratike. Sot Shqipëria është miku juaj i sinqertë dhe i vërtetë, tha zoti Nano. Kryeministrat e 10 vendeve të grupit Vilnus, - shtoi më tej ai, - u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë, 7 prej tyre tashmë janë anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe për 3 vendet e tjera, Shqipëria, Maqedonia e Kroacia, siç u shpreh dhe Presidenti i SHBA, dera e NATO-s mbetet e hapur. Ne, 10 vendet përfaqësojmë 54 milion europianë, të lidhur ngushtësisht në një aleancë me të vetmin qëllim, të mbrojmë demokracinë".

Historia dhe koha, - u shpreh Kryeministri, - tashmë po punon për ne. Besoj se tashmë kemi gjetur rrugën që na udhëheq dhe një numër studimesh e raportesh për Shqipërinë dëshmojnë për përmirësimet e sigurta që kemi bërë. Ne jemi duke marrë vendime dhe veprime radikale për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe tregun e lirë. Ne jemi liderë dinamik dhe të përgjegjshëm për të dialoguar, ndarë dhe zgjidhur çështjet e rajonit tonë dhe krenarë për të marrë përgjegjësitë tona para komunitetit ndërkombëtar.

Duke u ndalur në prioritetet e Qeverisë Shqiptare, zoti Nano u shpeh se politika e jashtme e saj ka si proritete të pandashme nga njëra tjetra anëtarësimin në BE dhe në NATO. "Shqipëria e do perëndimin, por mbi të gjitha do atë që perëndimi përfaqëson. Kjo është arsyeja që ne ishim një ndër vendet e para që iu bashkuam koalicionit kundër rreziqeve terroriste. Ne i qëndrojmë publikisht, në mënyrë të qëndrueshme e të pakthyeshme kësaj zgjedhjeje. Shqipëria e sotme është prezente në Irak, Afganistan, Bosnje dhe ushtria shqiptare është krenare për këto misione", tha ai.

Kryeministri shqiptar theksoi se Shqipëria është një aleat besnik përballë kërcënimit terrorist të kujtdo tipi dhe marke. "Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që asnjë nga ne, kudo që ndodhet, të jetojë sikundër po jetojmë në frikë e terror. Kjo na lejon që të ndjekim me vendosmëri rrugën tonë për të marrë vendin në NATO e për të bërë pjesë në aleancën e kampionëve të demokracisë. Ne jemi tashmë midis kontribuentëve të sigurisë në rajon dhe nuk jemi më konsumatorë të saj".

Duke folur për zhvillimet dhe situatën më të fundit në Kosovë, Kryeministri shqiptar tha se dhuna e javëve të fundit në Kosovë u dominua shpejt. Sipas zotit Nano, liderët e rajonit, të Europës dhe SHBA po kërkojnë një zgjidhje që nuk drejtohet nga urrejtja apo drejt saj, por një zgjidhje që siguron demokracinë dhe stabilitetin në Kosovë. "Ne besojmë se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar është korrekt. Kam qenë aktiv, si edhe liderë të tjerë të rajonit, duke kërkuar të ndihmoj, duke bërë çfarë kërkohej dhe duke qëndruar pandërprerë në kontakt me liderët e Kosovës dhe të vendeve fqinjë. Marrëdhëniet midis partive tona në rajon janë maturuar dhe janë bërë më intensive. Kështu që mund të ndihmojmë njëri tjetrin duke punuar sëbashku", tha ai.

Zoti Nano vuri në dukje se në nivel liderësh është vendosur një nivel i ri e domethënës komunikimi në rajon, që ka sjellë më shumë konsultime, më shumë respekt, ndëraktivitet dhe rezultate. "Kjo ka sjellë progres të dukshëm. Ushtritë tona po ndjekin programe bashkëpunimi dhe stërvitje të përbashkëta. Kemi krijuar dhe po adoptojmë ligje të reja për të forcuar policinë dhe shërbimet tona inteligjente, si dhe bashkëveprimin midis rojeve tona bregdetare për të shkëmbyer informacion".

Ai nënvizoi se një ndër rezultatet më të mëdha për ne ka qenë lufta kundër skafistëve që trafikonin qenie njerëzore, drogë dhe kontrabandë të çdo lloji nga Shqipëria në detin Adriatik. "Jam krenar të them se ky trafik është ndaluar. Përpjekjet tona të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Italinë, kanë bllokuar trafikun në Adriatik. OSBE në raportin e saj më të fundit mbi trafiqet në rajon nënvizon se në Shqipëri trafikantët janë detyruar të gjejnë mjete të tjera, sepse ne i ndaluam. Ne po mësojmë ditë pas dite se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe më shumë, por mbi të gjitha toleranca shqiptare ndaj kriminelëve nuk është më në diskutim dhe kriminelëve i themi: mos na nënvleftësoni, nëse do të kaloni Ballkanin do të gjendeni nën zjarr".

Kryeministri Nano, në fjalën e tij garntoi se ne duam prosperitetin, stabilitetin dhe do të ndalojmë çdo tentativë për ta prishur atë. Ne po përpiqemi të dominojmë lumenjtë që zbresin fuqishëm nga malet tona për të krijuar burime të energjisë rajonale, po punojmë përgjatë linjave lindore e perëndimore të Korridorit 8-të, nga Adriatiku në Detin e Zi.

Një vend të veçantë në fjalën e Kryeministrit Nano zuri edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai tha se këto janë kërcënimet më të mëdha në çdo vend për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. "Qytetarët, - tha Kryeministri - nuk do të mund t'i shohin asnjëherë frutet e rritjes ekonomike nëse një shoqëri i lejon politikanët e korruptuar të vënë dorë mbi pasuritë e vendit. Sigurisht krimi dhe korrupsioni nuk ekzistojnë vetëm në Shqipëri. Ai nuk njeh kufij dhe lulëzon më shumë kur injorohen kufijtë. Kjo është një çështje dhe një betejë transnacionale, por edhe një betejë e të gjithë shqiptarëve që ne po e ndërmarrim me seriozitet, sëbashku me fqinjët tanë, me partnerët europianë dhe ne vetë jemi në këtë luftë dhe do ta fitojmë atë".

Si rrjedhojë e punë së shkëlqyer të policisë, - tha më tej Kryeministri, - deti Adriatik është bërë më i sigurtë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. "Ne kemi arritur, gjithnjë në bashkëpunim me Italinë e partnerët e tjerë ndërkombëtarë, të ndalojmë gomonet e të gjitha llojeve dhe trafikun e klandestinëve. Për herë të parë autoritetet doganore dhe policia financiare janë kompjuterizuar për të punuar më mirë dhe për t'iu përgjigjur sfidave të keqbërësve. Për herë të parë zyra ime po koordinon një Task Force të 5 ministrave për të forcuar luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore, 5 grupe kriminale që vepronin në Shqipëri janë zbuluar nga kjo qeveri, kemi ngritur Gjykatën për Krimet e Rënda, kemi stërvitur dhe krijuar njësi profesionale për të udhëhequr këtë luftë, si dhe kemi arritur marrëveshje ripranimi me vende të ndryshme të rajonit. Gjithashtu po bashkëpunojmë në mënyrë efektive me shërbimet inteligjente ndërkombëtare si Interpol, Europol, të SHBA, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Hollandës, Greqisë, Maqedonisë etj."

Duke përfunduar fjalën e tij Kryeministri Nano tha se Shqipëria do të jetë një fqinj i mirë dhe anëtar i përgjegjshëm i shoqërisë së kombeve. "Ne jemi të gatshëm të punojmë me fqinjët tanë për ruajten e paqes, për prosperitetin dhe zhvillimin".

Më pas, Kryeministri Nano iu përgjigj interesimit të medias italiane dhe të huaj të pranishme në këtë takim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›