E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot, gjatë vizitës së tij në Itali, një takim me Ministrin italian të Mbrojtjes, Antonio Martino. Kryeministri Nano u shpreh se Italia është partneri ynë k

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot, gjatë vizitës së tij në Itali, një takim me Ministrin italian të Mbrojtjes, Antonio Martino.

Kryeministri Nano u shpreh se Italia është partneri ynë kryesor, dhe me këtë rast ka vlerësuar ndihmën e dhënë nga Forcat e Armatosura Italiane për mbështetjen e njësive prioritare të Forcave tona të Armatosura, ndihmë e cila ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve operacionale.

Gjithashtu, Kryeministri Nano ka vlerësuar ndihmën e dhënë nga pala italiane në ristrukturimin e Forcave tona të Armatosura, hartimin e dokumentave kryesore dhe legjislacionit në fushën e mbrojtjes, mbështetjen e strukturave të reja të Forcave të Armatosura, pajisjen logjistike, si dhe zhvillimin e trajnimeve dhe të stërvitjeve të përbashkëta.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëtën pikëpamje për domosdoshmërinë e hartimit të një Plani Afatgjatë Bashkëpunimi, i cili do të forconte më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Më tej ata janë ndalur në disa çështje konkrete të bashkëpunimit si asistenca për Rojen tonë Bregdetare nga ana e palës italiane, ngritja në një nivel me të lartë e bashkëpunimit dhe asistencës në përmirësimin e inftrastrukturës së Ushtrisë sonë, ndihmesa për ngritjen e Universitetit të Mbrojtjes, vazhdimi i projektit të helikopterëve, projektit të ndërtimit të aeroportit të Pish-Poros, bashkëpunimi në kuadër të SEEBRIG.

Në takim u diskutua edhe mbi mbështetje logjistike për një repart të Spitalit Ushtarak duke u përqëndruar veçanërisht ne krijimin e infrastrukturës së nevojshme te Telemedicinës si dhe për idenë e zbatimit të një projekti të ri "Ç'ndotja bregdetare".

Ndërkohë, Kryeministri Nano është ndalur edhe në interesin që paraqet për palën shqiptare bashkëpunimi në fushën e arsimimit ushtarak, nëpërmjet të drejtave të studimit në akademitë dhe institutet ushtarake italiane.

Nga ana e tij Ministri italian i Mbrojtjes Martino vlerësoi progresin e bërë nga Ushtria shqiptare si dhe garatoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në hapat që po ndërrmerr Shqipëria për anëtarësimin e saj në NATO. Gjithashtu z. Martino shprehu vlerësimin edhe për rolin moderator që luan Qeveria shqiptare në rajon në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit të tij.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›