Në ditën e dytë të vizitës në Itali, Kryeministri Fatos Nano mbërriti sot në Kozenca, në rajonin e Kalabrisë, qendër në të cilin banon një komunitet arbëreshësh, ku u takua me autorite
Në ditën e dytë të vizitës në Itali, Kryeministri Fatos Nano mbërriti sot në Kozenca, në rajonin e Kalabrisë, qendër në të cilin banon një komunitet arbëreshësh, ku u takua me autoritetet e larta të kësaj zone, senatorë, si dhe me personalitete të kulturës dhe artit arbëresh.
Kryeministri Nano, në fillim të kësaj vizite, u prit nga autoritetet lokale, Presidenti i rajonit të Kalabrisë, Giuseppe Chiaravalloti, intelektualë, universitarë dhe përfaqësues të medias.
Zoti Chiaravalloti shprehu kënaqësinë për vizitën e zotit Nano në këtë rajon, e cila, sipas tij, do t'i japë një impakt të ri forcimit të marrëdhënieve midis komuniteteve, si dhe midis dy vendeve.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Nano u shpreh se e vlerëson këtë vizitë si pjesë të marrëdhënieve të shkëlqyera me Italinë dhe e realiteteve të tjera lokale të këtij vendi. "Jam shumë i emocionuar, - tha zoti Nano, - që vij sot këtu, për të ndarë sëbashku me ju miqësinë dhe atë që na bashkon, si dhe të shohim se ç'mund t'i ofrojmë më shumë njëri-tjetrit nga zhvillimet tona, nga arsimi, kultura dhe arti". "Kalabria, - tha, më tej, zoti Nano, - është një rajon kufitar me Shqipërinë dhe bashkëpunimi duhet shtrirë në të njëjtin nivel me rajone të tjera të ngjashme të Italisë, si Puglia etj."
Zoti Nano përshëndeti promovimin dhe realizimin e marrëveshjes midis Kalabrisë dhe Shqipërisë, që kanë karakteristika të ngjashme midis tyre, duke theksuar se tashmë po bëhen përpjekje për ta materializuar këtë marrëveshje në fusha të tilla si shkëmbimet tregtare, të investimeve, në arkeologji, kulturë dhe arsim. "Ky bashkëpunim, - shtoi zoti Nano, - mund të shtrihet edhe në drejtim të forcimit të komunikimit dhe shkëmbimeve të ndërsjellta midis studiuesve, personaliteteve të arsimit dhe studiuesve të fushave të ndryshme". Në këtë drejtim, zoti Nano vlerësoi dimensionin që arbëreshët përfaqësojnë në raportet universitare, shkencore dhe kulturore midis Shqipërisë dhe këtij rajoni. Me interes, sipas Kryeministrit shqiptar, janë edhe shkëmbimet në fushën universitare, pasi Universiteti i Kozencës është edhe qendër e njohur e inisiativave të tilla.
Kryeministri Nano, më tej, iu përgjigj interesimit të intelektualëve dhe gazetarëve të pranishëm në takim mbi zhvillimet në Shqipëri, marrëdhëniet dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Më pas, Kryeministri Fatos Nano iu drejtua Shën Mitrit, ku jeton një komunitet i njohur arbëresh.