E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mbrëmje në Konventën Rinore "Ti Shqipëri më jep nder", organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve . Në këtë Konventë m

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mbrëmje në Konventën Rinore "Ti Shqipëri më jep nder", organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve .

Në këtë Konventë merrnin pjesë, studentë shqiptarë që studiojnë në Universitetet jashtë vendit, Përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës, ministra, përfaqësues të Këshillit Rinor Shqiptar, etj.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:

Në mënyrë të sinqertë, jo vetëm nga pozita e Kryeministrit, më lejoni t'ju konsideroj të gjithëve miq, jo vetëm protagonistët e kësaj Konvente, pra të rinjtë, por natyrisht edhe ministrat dhe ambasadorët, sepse nuk na bashkon vetëm flamuri por edhe mosha e transformimeve që po kryhen, për të cilat ka vend edhe për ju, sepse jeta vazhdon dhe ne nuk jemi të përjetshëm. Do të preferoja të bashkëbisedonim jo vetëm në këtë sallë, jo vetëm për kaq pak kohë, por në të gjitha stinët e jetës së vendit dhe të gjithsecilit.

Sot, në planetin tonë që është zvogëluar, ka dy konventa: një është në Nju Jork, ajo e republikanëve të Amerikës së madhe dhe një në Tiranë, konventa e aleancës për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Besoj kemi të njëjtin sens që është e dobishme ta bëjmë pa emocionet e fundstinës këtë gjë. Kjo është kohë valixhesh, është fundi i pushimeve, është rifillimi i jetës në të gjitha kontrastet e vrullit të saj. Por jo të gjitha valixhet ikin. Ka një numër valixhesh që kanë ardhur. Mirëse keni ardhur të nderuar ambasadorë zyrtarë të Republikës së Shqipërisë!

Bota e sotme është një komunikim eksperiencash dhe jetësh njerëzore. Të gjithën mund ta bëjmë më mirë sëbashku dhe Konventat janë vende ideale të komunikimit. Të komunikimit të shoqërisë me eksperiencat e ndryshme që ajo ka në gjirin e vet, por edhe të komunikimit të shtetit dhe të politikës me njerëzit, që përbëjnë shoqërinë. Unë ndjej kënaqësi që jam sot këtu, sepse me një numër prej jush jam takuar edhe gjetkë, brenda dhe jashtë vendit, në klasa e auditore, nga ku kemi dalë dhe ku kemi dhënë mësim edhe ne, apo në të gjitha pjesët e jetës bashkëkohore të Shqipërisë, në administratën publike, në jetën jo qeveritare, sipërmarrjen private, në ekonomi apo në pjesën shpirtërore të jetës ku të gjithë lëvizim. Natyrisht edhe në kryeqytete të botës, ku ju po konkuroni për vete dhe po përfaqësoni denjësisht atdheun tuaj të dashur.

Kjo ndodh në një kohë shumë frymëzuese për atdheun tonë të dashur dhe të përbashkët. Ndodh në kohën e hapjes e të progresit real të procesit të integrimit tonë, të kapaciteteve tona për integrim, të institucioneve që bëjnë këtë integrim, të sipërmarrësve që realizojnë integrimin duke konkuruar dhe, natyrisht, edhe të shkollës e realiteteve ku konkurohet për vende pune, për karrierë, për fitime apo për një jetë më të mirë dhe ku, sigurisht ka meritokraci, e cila në këtë pjesë të planetit, keni të drejtë, nuk është aq e përsosur. Por nuk besoj se është fare e përsosur në vendet ku keni nisur të akumuloni një përvojë të re.

Sot na bashkon flamuri dhe himni. Dhe jo vetëm kaq. Përndryshe do të ishim mbledhur vetëm për art apo emocione të spektaklit dhe e gjitha do të ishte pjesë e folklorit tonë të shquar dhe gjithashtu konkurues. Nuk besoj se ju, që po përgatiteni të riniseni për në stacionet e jetës dhe të karrierës suaj të ardhshme, kam parasysh studentët që studiojnë jashtë, ikni me mendimin se këtu mbetet "shapi se sheqeri largohet".

Nuk besoj se mund ta shikonim pak ndryshe edhe këtë çështje, që kokrra jonë e vezës ku zhvillohet dhe riprodhojet embrioni shqiptar e ka të verdhën jashtë dhe të bardhën brenda. Në rastin më keq dhe po të ishte kështu ju jeni këtu për të bashkuar më shumë të verdhë me më shumë të bardhë. Unë dua tjau garantoj këtë gjë, sepse ne po punojmë me të verdhën tuaj.

Më lejoni t'ju them dhe kam dinjitetin dhe krenarinë e Kryeministrit të Shqipërisë ta shpall këtë gjë që në administratën publike të Republikës së Shqipërisë punojnë tashmë 30 mijë të rinj deri në moshën 35 vjeçare, studentë të sistemit arsimor shqiptar dhe studentë të universiteteve më të mira të botës.Ç'përfaqëson kjo shifër? Është më e lartë se mesatarja e rekrutimit dhe integrimit të këtij brezi moshe, që ka vetëm 10-15 vjet eksperiencë pune, në të gjitha vendet e OECD-së. Mund të thoni se në Shqipëri janë bërë shumë eksperimente me të rinj, por besoj se nuk mund të kritikohemi për këtë gjë, sepse instrumentet e jetës dhe të zhvillimit bashkohor që zotërojnë të rinjtë e sotëm nuk janë ato të të rinjve të para një brezi apo më shumë.

Natyrisht kjo çështje nuk mund të përballohet në mënyrë idilike. Ju e dini, të nderuar bashkëmoshatarë për shkak të zhvillimit dhe bashkëatdhetarë për shkak të flamurit, se universitetet e vendeve që keni preferuar për të studiuar dhe po sakrifikoni jo vetëm nga pikëpamja e ndjenjave por edhe financiare, janë themeluar 5 deri në 10 shekuj para pavarësisë së Shqipërisë. Sistemi ynë universitar është vetëm më pak se 6 dekada i ri apo i vjetër. Sigurisht Shqipëria nuk është zbuluar pas Amerikës. Ajo ka pas ekzistuar përpara dhe ka mbrojtur qytetërimin dhe brenda tij krishtërimin europian, me Skënderbeun e famshëm, të cilin me të drejtë e mbajmë heroin tonë kombëtar.

Nuk jam këtu për të evokuar historinë tonë të lavdishme dhe vetëm kaq. Pa ne, pa Skënderbeun dhe rezistencën e shqiptarëve në kapërcyellin e ballafaqimit të qytetërimeve, universitetet ku ju shkoni do të ishte vështirë të ishin kaq të vjetra, pra dhe kaq të mira. Më vjen mirë që shquarja juaj, konkurimi juaj dhe besimi tek ju për shkak të diplomimit jashtë është një fenomen masiv. Ai nuk shquhet vetëm tek ata që kanë mbaruar gjimnazet e kryeqytetit. Megjithëse i ri sistemi ynë arsimor, të cilin nuk mund ta quajmë pa çati, nuk mund të jetë i mirë i gjithë skeleti deri në shkollën e mesme dhe papritmas të quajmë universitetin një qiell i hapur, pa krijuar këtë gërshetim të vlerave tona si rracë e si komb, të qytetërimit tonë në mbrojtës të qytetërimit të kohës, pra edhe këtë aftësi konkuruese që i duhet sot shumë Shqipërisë për t'u integruar. Unë besoj se ne mund ta bëjmë këtë gjë vetëm sëbashku.

Para disa muajve kam nxjerrë një urdhër ekzekutiv, si instrument pune i Kryeministrit dhe i qeverisë, i cili në kufijtë e ligjit i trajton ne menyre prioritare dhe preferenciale studentët që kane studiuar jashte shtetit ne procesin e rekrutimit ne administraten publike. Më lejoni t'ju them dhe të ndaj me ju kënaqësinë se ky instrument po funksion, sepse kategoria e atyre që kanë fituar konkurset dhe janë rekrutuar në administratën publike që nga ky urdhër ekzekutiv është shtuar ndjeshëm dhe ende nuk mjafton. Prandaj unë do t'ju ftoja të përballoni sfidat e integrimit të atdheut dhe të individit shqiptar, jashtë optikës bardhë e zi. Sot është epoka kur kërkohen rrugë të treta. Ju po na mësoni që të ikim nga ballafaqimet konfliktuale bardhë e zi. Ju po na mësoni që të zgjedhim ashtu si ju sensin e tretë. Ju jeni brezi që po rrisni shkallën e penetrimit shqiptar të internetit. Më lejoni t'ju them se ne po ju ndihmojmë për këtë gjë, sepse kemi rritur dyfish në 3-4 vitet e fundit shkallën e penetrimit telefonik dhe të komunikimit nëpërmjet rrjeteve moderne të telekominikacionit për shqiptaret. Sot, një ndër tre shqiptarë është konsumator i celularit dhe të telefonit fiks. Për këtë arsye, ju pres të gjithëve jo vetëm në zyrën e Kryeministrit që është e hapur, por edhe në adresën time të e-mail: kryeministri@km.gov.al. Mirësetëvini!

Në këtë Konventë ju, bashkëmoshatarë që përgatisni valixhet e vitit të ri shkollor jashtë shtetit, jeni përfaqësues të 30 mije djemve dhe vajzave shqiptare, që me sukses kualifikohen dhe konkurojne ne boten moderne ne fushen e dijes. Po ne kete salle, sot jane perfaqësuesit e 30 mije vërsnikëve tuaj qe kontribuojne ne administraten publike shqiptare, e cila përbëhet, e ritheksoj, nga njerëz deri në moshën 35 vjeçare në masën 30% të numrit të punonjësve publikë që ka Shqipëria.

Gjej rastin t'ju përgëzoj publikisht ata që studiojnë jashtë shtetit, ata që shërbejnë në Shqipëri dhe sidomos ata që kthehen në Shqipëri edhe pasi kualifikohen jashtë, dua t'ju ftoj të gjithëve, ata që e kanë këtë mundësi dhe t'ju garantoj atyre që e kërkojnë këtë mundësi, mbështetje pa rezerva dhe prioritare të shtetit dhe qeverisë, të vazhdojnë të zgjedhin tema mbi integrimin e atdheut dhe mbi të ardhmen e tij europiane. Ndihma e shtetit dhe qeverisë do të jetë e pakursyer dhe preferenciale. Kjo është një arsye që mund të vini në zyrat tona.

Ju nuk i duheni vetëm familjeve tuaja, por edhe familjes sonë të ardhme, si brezi i talentit dhe ekonomisë së re. Ju i duheni një vendi që po redukton varfërinë jo vetëm me sllogane por edhe me projekte efikase. Para pak çastesh, isha në një takim zyrtar me Drejtorin e FAO, e cila prej 14 vitesh jep një asistencë fantastike për të kultivuar prodhuesit në tranzicion dhe për të mbrojtur konsumatorët në shpërbërjen e ish ekonomisë së kooperativave në kushtet e tregut. E pyeta Drejtorin e kësaj organizate të rëndësishme botërore nëse ishte i kënaqur për kapacitetin dhe aftësinë e bashkëpunimit të stërzgjatur shqiptar në projektet e tyre. Përgjigja që mora ishte: janë të shkëlqyer, prandaj vazhdojmë të derdhim miliona për ju.

Natyrisht në Shqipëri ka ende trafiqe siç ka evazion, ka krim siç ka dhe korrupsion. Unë do t'ju ftoja të hezitonit ta këndonit të parën këngën e lehtë të kriminalizimit të të gjithë politikës dhe të të gjithë politikanëve. Natyrisht ju rriteni më shpejt se ne dhe më shpejt se shteti. Sepse është më e lehtë të rritet individi në raport me shtetin. Unë dua t'ju garantoj se për shkakun tuaj sidomos, shteti po rritet mirë dhe shëndetshëm dhe nuk ka qenë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë shteti më i shëndetshëm sesa sot. Por nuk është pa sëmundje, prandaj antidotet që ju sillni i shërbejnë luftës që ne dhe ju bëjmë ndaj viruseve, të cilat janë gjithashtu globale.

Ju e dini se në Shqipëri sipërmarrja private nuk është më tregu i gabit. Por janë sipërmarrje vendase të organizuara sipas principeve të ekonomisë së re, ku pronari shqiptar, nga menaxheri i shkolluar brenda dhe jashtë vendit, bëjnë vepra të mëdha, fitojnë tendera ndërkombëtarë dhe po e nderojnë Shqipërinë duke reduktuar defiçitet e shkëmbimeve tregtare me jashtë, me procesin e konkurimit për integrim në tregjet rajonale dhe globale. Ju duhet ta dini se emra të mëdhenj si Lockheed Martin, Reiffessein Bank, Hochtiff, Zimens, Vodafone, General Electric etj. kanë partnerë, interlokutor, të punësuar, menaxherë dhe nënkontraktorë shqiptarë në këtë vend. Ky është një shans për ju, që të bëheni akoma më të mirë se të gjithë ata dhe ne.

Unë mendoj ashtu si ju, se i ka ikur koha marrjes masive të asistencës së huaj për administratën shqiptare, për ekonominë shqiptare, për të gjitha institucionet shqiptare deri në vulgaritetin e krijimit të një homepage në internet, sepse ju dini të bëni më shumë se kaq, kur të mbaroni më shumë se ne. Prandaj për mua dhe qeverinë që unë drejtoj më lejoni t'ju cilësoj arkitektë dhe subjekte të bankës kombëtare të të dhënave që kemi nisur të krijojmë. Këtë nuk mund ta bëjë vetëm ministria e Jashtme, duhet ta bëjmë të gjithë sëbashku. Një ministër, një ambasador e ka shumë të vështirë t'ju ndjekë të gjithëve në rast se ju nuk komunikoni me ta. Ka njerëz që paguhen për të krijuar këtë imazh. Dhe këta janë ambasadorët e shtetit shqiptar. Por ka edhe njerëz që krijojnë imazh duke paguar nga xhepi i tyre dhe këta jeni ju, studentët tanë brenda dhe jashtë Shqipërisë që po integrohen me sukses jo vetëm në boten moderne, që po shoqërojnë me sukses jo vetëm integrimin e Shqipërisë në botën moderne, por që po integroheni në realitetet kompetitive të kësaj Shqipërie të re, në administratë apo sipërmarrje private.

Ka ardhur koha që bashkëpunimi mes këtyre dy kategorive të konsolidohet dhe kjo Konventë të jetë një mjedis ku kjo bëhet. Sepse brezi që studion jashtë shtetit është thirrur sëbashku me diplomatët zyrtarë sot këtu, në mënyrë që të strukturohet si "elektorati" vlerësues i kapaciteteve të shërbimit tonë diplomatik në dobi të progresit të përgjithshëm të vendit.

Duke qenë se po flasim me gjuhën e modernitetit, më lejoni t'ju drejtohem sërish si bashkëmoshatarë, sot kemi 1.2 milion përdorues të telefonisë mobile, 265 mijë të telefonisë fikse dhe vetëm 30 mirë përdorues të internetit, në një kohë kur 74% e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme ulen në universitetet e vendit. Është edhe më i madh ky numër me ata që ikin, por edhe numri i atyre që po kthehen po rritet. Ky realitet kërkon një përmbysje konceptuale rrënjësore, në nivelet publike por edhe në nivelet e trysnisë që ushtron administrimi publik ndaj shtetasve dhe sipërmarrjes së tyre. Nuk mund të pranohet më që në administratën publike të pajisura me kompjutera dhe internet të vazhdohet të komunikohet me mail të thjeshtë.Çdo zyrë dhe funksion publik duhet ta ketë adresën e tij të e-mail-it dhe ky është fakt, sepse përtej kësaj ne po e kërkojmë dhe po e ndërtojmë një bazë të aksesueshme të dhënash për të gjithë të interesuarit, në radhë të parë shqiptarë, sepse baza dhe e-mail është shqip, por natyrisht edhe për të huaj.

Ky transformin i komunikimit administrativ dhe shumë ndryshime të tjera që po e kthejnë përfundimisht Shqipërinë në një vend normal, modern, - edhe vendet moderne kanë edhe varfëri edhe korrupsion, të cilat ne po i luftojmë njëlloj si vendet moderne me të njëjtat programe dhe transparencë - nuk mund të bëhet dhe të garantohet si i vazhduar pa nxitjen dhe pjesëmarrjen e nxënësve, studentëve, administratorëve dhe sipërmarësve të rinj. Urimi im për ju për këtë Konventë është që ajo t'i kapërcejë kufijtë e tubimit dhe të shndërrrohet në një mekanizëm të gjallë në Shqipëri dhe jashtë saj, për objektiva që për aq sa janë të dobishme për ju, janë të dobishme edhe për vendin. Unë dua t'ju garantoj se ne jemi të angazhuar me të gjitha forcat që energjitë tuaja, dijet që merrni dhe profesionalizmin konkurues që zhvilloni ta integrojmë në dobi tuajin dhe të vendit në kontribute reale për Shqipërinë, për të reformuar veçanërisht ato fusha ku ju jeni specializuar, për të sjellë këtu modelet më të përparuara të zhvillimit dhe të ekonomisë së re. Këto mund dhe duhet të jenë të shumëllojta.

Ju që dini të konkuroni dhe të fitoni në universitetet e vendit dhe të botës, në administrata publike apo sisteme menaxhimi privat, në biznes apo kudo tjetër, duhet të kuptoni se sipërmarrja më e leverdisshme për ju është integrimi euroatlantik i Shqipërisë, ashtu si për të gjithë ne. Ne, shqiptarët jemi pak për t'u larguar si emigrantë drejt perëndimit, ku shpesh humbasim dhe vite të çmuara të jetës aktive në kompeticione të panevojshme, madje jo dinjitoze. Ne jemi shumë kur bashkojmë vullnetet dhe kontributet për ta përshpejtuar ritmin e transformimit të atdheut dhe të integrimit të tij në standartet e botës moderne.

Më lejoni ta mbyll me të njëjtën frymë sinqeriteti me të cilën fola. Unë besoj tek ju, sepse i dua fëmijët e mi dhe të atdheut tim. Unë besoj tek fëmijët e mi, prandaj besoj edhe tek ju.

Rrofshi dhe qofshi pjesa më vitale e shqiptarëve!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›