Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë Kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan, Senatorin Richard G. Lugar. Menjëherë pas këtij ta
Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë Kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan, Senatorin Richard G. Lugar. Menjëherë pas këtij takimi të dy personalitetet e larta deklaruan përpara medias:
Kryeministri Fatos Nano: Kam nderin të dal para jush sot per te shoqeruar Senatorin e Shteteve të Bashkuara, z. Lugar, që është dhe Kryetar i Komisionit të Marredhenieve me Jashte të Senatit të SHBA-së. Z. Lugar është një personalitet i shquar i Senatit Amerikan dhe i përfaqësuesve te SHBA ne marrëdhëniet globale, në marrëdhëniet e sigurisë kolektive, në marrëdhëniet e hapjes dhe të integrimit të organizatave euroatlantike ndaj kësaj pjese të botës, si dhe ndaj Europës në tërësi, të Europës Lindore ish-komuniste në vecanti dhe në mënyrë në vecantë dhe në angazhime të vecanta ndaj vendeve të Europës Jugliondore,ku Shqipëria bën pjesë.
Senatori Lugar, në këtë vizitë të parë në Shqipëri na dha mjaft kurajo, duke njohur dhe vlerësuar transformimet e mëdha që ka kryer jo vetëm vendi në tërësi, por edhe ushtria dhe strukturat e mbrojtjes dhe të sigurisë në vendin tonë, duke u bërë gjithnjë e më bashkëvepruese me strukturat dhe standartet e Organizatës së Atlantikut Verior në rrugën e integrimit dhe të kontributeve qe kërkohen edhe nga vende me dimensione modeste, si në iniciativat globale dhe në luftën kundër terrorizmit.
E sigurova Senatorin Lugar se, ne do të vazhdojmë t'u përgjigjemi të gjitha angazhimeve të marra në solidaritetin Atlantik, në partneritetin e rëndësishëm dhe jetik, strategjik me SHBA me prezencën dhe konsolidimin e saj dhe të komandove shqiptare në Irak, Afganistan dhe në iniciativa të tjera që konsolidojnë realitetet e paqes dhe të demokracisë në atë që quhet rajoni i madh i Lindjes së mesme si dhe për të gjitha angazhimet që burojnë nga reformat dhe konsolidimi i institucioneve të sigurisë dhe të jetës demokratike në tërësi, duke përfshirë dhe zgjedhjet e ardhshme në të cilat qeveria është tërësisht e angazhuar për të kapur standartet demokratike si pjesë e veprimtarisë sonë për tu integruar në botën moderne, vecanërisht në Aleancën e Atlantikut Verior.
Senatori Amerikan Richard G. Lugar: I jam mirënjohës Kryeministrit për mendimet mjaft vlerësuese që shprehu për vizitën time por çfarë është më e rëndësishme edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të forta që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA.
I përcolla Kryeministrit mirënjohjen tonë të thellë për ushtarët trima shqiptarë që shërbejnë së bashku me ne në Irak. Shërbimi i këtyre ushtarëve është vlerësuar dhe përshëndetur nga Komanda e trupave tona dhe nga mbarë bota gjithashtu.
Gjithashtu ne shprehëm falënderimet për angazhimin e Shqipërisë për të cuar edhe më tepër trupa në Irak, për të ndihmuar popullin e Irakut për të arritur angazhimin e tyre në liri. I shpreha Kryeministrit të Shqipërisë vlerësimin për bashkëpunimin mes dy vendeve tona për të punuar së bashku në luftën kundër terrorizmit. Në kuptojmë angazhimin e Shqipërisë për të siguruar lirinë për qytetarët e saj, siç e shprehu edhe Kryeministri për të patur procedura të rregullta zgjedhjesh, gjithashtu angazhimin dhe përkushtimin ndaj vlerave të cilat janë pjesë e NATO-s.
SHBA e mbështesin Shqipërinë në ndërmarrjen e saj jo vetëm për modernizimin e Forcave të Armatosura por edhe në përpjekjet për anëtarësim në NATO. Ne gjithashtu shprehim vëmendjen tonë për rritjen ekonomike të vendit, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin dhe ndihmën që SHBA mund të japin për këtë vend.
Dëshiroj të shpreh vlerësimin tonë të thellë jo vetëm për miqësinë që ne gëzojmë jo vetëm me anëtarët e qeverisë dhe Qeverinë Shqiptare por edhe me vet qytetarët e Shqipërisë, shumë prej të cilëve më kanë vizituar në zyrën time dhe kanë ndarë me mua shumë gjëra për Shqipërinë. Unë shpresoj se do të ketë një vazhdim të vizitave të shpeshta, qoftë kjo të qytetarëve të të dy vendeve tona, qofshin këta studentë apo biznesmenë, ndërkohë që ne përmes këtyre vizitave arrijmë të njohim dhe të afrohemi më pranë me njëri tjetrin.
Ju faleminderit për mikpritjen tuaj sot.