E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Jacques Diouf. Menjëherë pas këtij takimi dy personalitetet deklaruan përpara medias: Kryem

Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Jacques Diouf. Menjëherë pas këtij takimi dy personalitetet deklaruan përpara medias:

Kryeministri Fatos Nano: Kam kënaqësinë të dal përpara jush me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s z. Diouf, i cili me vizitën e tij në Shqipëri jep mesazhin e kontributit të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm, që kjo Organizatë e Kombeve të Bashkuara ka dhënë për Shqipërinë qysh nga dita e parë e tranzicionit, në një shoqëri demokratike dhe ekonomi të tregut, që nga viti 1991.

Zoti Diouf është në Shqipëri për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë dhe me organizatat e prodhuesve dhe të konsumatorëve bujqësorë në stadin e tanishëm të zhvillimit dhe të integrimit të tregjeve tona në realitetin global. Dua të theksoj se programet e FAO-s janë thithur mirë nga institucionet, specialistët, prodhuesit shqiptarë. Efektet e tyre i kanë ndjerë më shumë se gjysma e popullsisë në këtë tranzicion të vështirë drejt ekonomive të tregut, që kanë vendet tradicionale rurale si i yni. Dhe sot FAO është e pranishme me financime dhe programe të financuara të ekspertizës më të mirë bashkëkohore në elementët thelbësorë të rritjes së qëndrueshme të prodhimit bujqësor, të trajnimit të prodhuesve, të sistemeve dhe infrastrukturave të prodhimeve biologjike dhe konkurruese, që aktivizojnë potencialet që ka vendi, për të kuruar jo vetëm varfërinë në pjesë të caktuara të vendit, por edhe për të shtuar aftësitë tona konkurruese në shkëmbimet ndërkombëtare.

FAO është e pranishme dhe e pazëvendësueshme me asistencën e saj në ngritjen e kapaciteteve politikbërëse të institucioneve tona që funksionojnë në fushën e bujqësisë dhe FAO është një partner i pazëvendësueshëm gjithashtu në procesin e bashkëpunimit tonë me BE dhe me organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara, që shoqërojnë rritjen dhe integrimin tonë të pakthyeshëm. Më lejoni të falënderoj publikisht zotin Diouf për kontributin e çmuar të organizatës që ai drejton për rritjen dhe zhvillimin e vendit tonë.

Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s Jacques Diouf: Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për Kryeministrin e Qeverisë Shqiptare, për mikëpritjen dhe për cilësinë e marrëdhënieve që ne kemi zhvilluar edhe me Ministrin e Bujqësisë dhe me stafin e ministrisë, në mbështetje të politikave të qeverisë në sektorin e bujqësisë, për ta bërë atë më komplekse, me qëllim sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për fermerët, që janë gati 50 % e popullsisë.

Ne kemi punuar në mënyrë shumë efektive me financime dhe donacione të ndryshme në implementimin e projekteve të larmishme, në projekte të përbashkëta që nxisin rritjen e teknologjisë dhe të prodhimit, siç ishte p.sh ai në sektorin e peshkimit dhe implementimi i konventës në drejtim të peshkimit. Po punojmë me projekte të tilla dhe në sektorin e pyjeve.

Ne shprehëm mbështetjen tonë për sigurimin e një përafrimi integral dhe zhvillimin e sektorit bujqësor nga prodhimi deri te përpunimi i produkteve bujqësore, zhvillimin e agroindustrive, si dhe përpjekjet për kontrollimin e sistemit të ujërave, me qëllim respektimin e normave dhe standarteve në kontekstin alimentar të përcaktuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Përpjekjet për hapjen dhe integrimin e vendit po progresojnë në një mnëyrë racionale dhe realiste drejt standarteve europiane, por gjithashtu edhe në respektimin e angazhimeve të ndërrmarra në nivel ndërkombëtar.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë, të thellojmë bashkëpunimin, ta forcojmë dhe zgjerojmë më tej atë dhe të rifokusojmë sfidat e reja, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me BE dhe tregun botëror.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›