Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mesditë në inagurimin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme "Babë Dudë Karbunara" në Berat, i cili është gjimnazi më i madh në këtë qy
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mesditë në inagurimin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme "Babë Dudë Karbunara" në Berat, i cili është gjimnazi më i madh në këtë qytet, ndër tre të tillë, dhe ka 26 klasa me rreth 1000 nxënës.
Zoti Nano, i pritur ngrohtësisht nga nxënësit dhe ekipi i mësuesve të kësaj shkolle, ka prerë shiritin e inagurimit të saj dhe më pas ka vizituar ambjentet e brendshme, ku në mënyrë të veçantë është ndalur në kabinetin e fizikës, i ngritur sipas parametrave bashkëkohorë.
Kryeministri Nano është ndalur në një tjetër ambjent të kësaj shkolle ku ka zhvilluar një takim me qeverinë rinore të saj. Në këtë takim përveç senatit të nxënësve të kësaj shkolle merrnin pjesë edhe ministri i Arsimit Luan Memushi, Ministri i Shtetit për Koordinimin Marko Bello, njëkohësisht edhe deputet i zonës.
Zoti Nano zhvilloi një bashkëbisedim mjaft miqësor me senatin e nxënësve të shkollës ku u interesua për mbarëvajtjen e përditëshme shkollore dhe shqetësimet e tyre. Në përgjigje të kërkesës së nxënësve të kësaj shkolle zoti Nano premtoi se do të kontribuojë personalisht në pasurimin e bibliotekës së kësaj shkolle si dhe në ngritjen e një salle kompjuterash me akses në internet.
Kryeministri Nano u angazhua gjithashtu për ngritjen e mekanizmave të nevojshme për të rikthyer në Shqipëri talentet shqiptarë që studiojnë në universitete jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në administratën publike nëpërmjet stimulimit të diferencuar në varësi të rezultateve të tyre. "Numërohen rreth 15 mijë gjimnazistë shqiptarë që studiojnë Itali dhe rreth 12 mijë të tjerë që studiojnë në SHBA, të cilët janë spikatur për rezultate të larta", u shpreh Kryeministri Nano.
Më tej, Kryeministri Nano,gjatë bashkëbisedimit me senatin e nxënësve të shkollës së mesme diskutoi edhe mbi problemet që i shqetësojnë ata. Gjatë këtij takimi ata u ndalën edhe në problemin e mesatares, si dhe në nevojën e ngritjes së nivelit të arsimit. Në këtë drejtim Z. Nano u shpreh se Qeveria ka të njëjtin shqetësim si edhe vetë nxënësit në lidhje me vlerësimin dhe ecurinë e përgatitjes dhe formimit të tyre.
"Jemi shumë të interesuar që, ashtu si po ecim drejt Europës në të gjitha fushat, të kapim nivelin e vendeve të BE edhe me brezin e ardhshëm, i cili kualifikohet sot. Duhet të jeni të qetë dhe të sigurt që të gjitha programet, metodat kurrikulat, tekstet dhe pastaj edhe presioni mbi mësimdhënësit bëhet për të kapur standartet e përparuara sepse i gjithë shteti dhe i gjithë zhvillimi i vendit nuk mund të jetë sot për sot, nuk mund të ngelet i cunguar për të ardhmen", u shpreh Z.Nano.
Kryeministri i ka siguruar nxënësit për angazhimin e tij personal dhe të qeverisë shqiptare për forcimin e kualitetit dhe metodikës së mësimdhënies në gjimnaz dhe në universitete.
Kryeministri është ndalur edhe në ndërtimin e një partneriteti më të kushtëzuar midis universiteteve dhe autonomisë së tyre me politikat shtetërore për arsimin dhe me institucionet shtetërore që japin fonde, japin kopetenca apo sigurojnë hapësira për autonominë e universiteteve.
"Unë personalisht kam një ëndërr të cilën punoj për ta realizuar, se bashku me bashkëpunëtorët e mi politikë dhe jo politikë. Të jetë sa më e afërt dita kur duke vënë rregull në ekonomi, duke krijuar të gjithë edukatën dhe presionin ligjor që të gjithë të paguajnë faturat dhe taksat sipas ligjit dhe bëhet fjalë për të dyfishuar të ardhurat që mblidhen nga ekonomia në raport me nivelin e sotëm të kemi një buxhet rezervë për arsimin, të kemi një buxhet që do të godasim me një revolucion në fushën e arsimit, jo thjesht në fushën e sentencave, por të teknologjisë të metodave, të pajisjeve dhe të shkëmbimeve të tjera me universitetet dhe me kolegjet e përparuara të vendeve fqinje të Europës", u shpreh Kryeministri Nano.