Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Zëvendës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Tregtisë William H. Lash. Në fillim të takimit, bashkebiseduesit ndanë të njëjtin
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Zëvendës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Tregtisë William H. Lash.
Në fillim të takimit, bashkebiseduesit ndanë të njëjtin vlerësim per bashkëpunimin ne rritje ekonomiko – tregtare të Shqipërisë me SHBA, në kuadër të të cilit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh që përbëjnë bazën për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare, ekonomike dhe të asistencës teknike.
Më tej, Kryeministri Nano u ndal në projektet që lidhen me zhvillimin e biznesit, ku përmendi si shumë të rëndësishëm projektin e USAID-it "Programi për asistencë dhe kredi për biznesin e vogël", me një vlerë 6 milion USD, ku krahas kreditimit të SME-ve, asistencës teknike dhe trainimit për to, projekti siguron financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme kryesisht të sektorit prodhues si dhe mbulimin e 50% të riskut të kreditimit të bizneseve nëpërmjet marrëveshjeve të bëra me bankat.
I rëndësishëm u vlerësua nga Kryeministri edhe projekti tjetër i USAID "Zhvillimi i Ndërmarrjeve dhe Shërbimeve të Tregjeve të Eksportit, i cili asiston kompanitë shqiptare në fushën e eksporteve dhe synon përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në tregun global nëpërmjet nxitjes së konkurencës së biznesit të vogël dhe të mesëm në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Kryeministri Nano ka vlerësuar edhe kontributin e organizatave ekonomike amerikane që operojnë në Shqipëri, ku në mënyrë të veçantë Z.Nano përmendi Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, anëtarë të së cilës janë rreth 160 kompani potenciale biznesi, si dhe Shoqatën Shqiptaro-Amerikane për Tregtinë dhe Zhvillimin, e cila u konsiderua nga Z.Nano si shumë e rëndësishme për krijimin e një klime të favorshme të bashkëpunimit reciprok në fushën e zhvillimit të biznesit dhe të nxitjes së investimeve amerikane në vendin tonë.
Në kuadër të mundësive për bashkëpunim në të ardhmen, të dy personalitetet e larta vlerësuan si të rëndësishëm shkëmbimin e informacionit në fushën e legjislacionit dhe politikave të tregtisë, të biznesit, si dhe të investimeve të huaja. Po ashtu, u bisedua për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të nxitjes së biznesit, si dhe për hartimin dhe realizimin e programeve dhe projekteve të përbashkëta në fushën e asistencës teknike dhe financiare.
Në takim zoti Lash ka inkurajuar inisiativen e kryeministrit per krijimin e One Stop Shop duke garantuar për asistencën teknike te SH.B.A në drejtim të kushteve, mënyrat e funksionimit dhe potencialet e aplikimit në Shqipëri, në mjedisin kur po punohet për hapjen e zyrave për informimin publik që do të ndihmojnë në rritjen e transparencës për shërbimet e ofruara nga institucionet shtetërore si dhe biznesin në procesin informues.
Menjëherë pas takimit, duke iu përgjigjur edhe interesimit të medias Z. Lash u shpreh:
Pata një takim shumë të mirë me Kryeministrin Nano.
Ne falenderuam Kryeministrin, administratën e tij dhe të gjithë popullin shqiptar për mbështetjen e tyre në luftën kundër terrorizmit dhe ushtarët shqiptarë që luftojnë në Afganistan, ashtu si edhe në Irak.
Ne folëm për mundësitë potenciale për investime në Shqipëri. Ne ramë dakort për të bashkëpunuar së bashku me dhomën Amerikane të Tregtisë dhe me agjenci të tjera amerikane të punojmë me administratën shqiptare për të ndërtuar grupe pune për bashkepunimin ekonomik me SHBA, për të ngritur profile fizibiliteti për investimet në Shqipëri. Ne folëm për privatizimin e pritshëm të Albtelekomit, i cili është një privatizim me interes të përbashkët për të marrë pjesë në këtë investim. Gjithashtu diskutuam edhe mbi angazhimin për të ruajtur interesat e investorëve të huaj dhe për të promovuar një klimë të përshtatshme për ta dhe mundësi biznesi.Të njëjtat çështje do t'i trajtojmë edhe me përfaqsëues të tjerë të administratës publike në Shqipëri, si dhe për të ndërtuar One Stop Shop në këtë funksion.
Klima është shumë pozitive, ju si dhe ne mund të shihni qartë rritjen ekonomike dhe numrin gjithnjë e më të madh të investitorëve dhe bizneseve të tyre qe po afrohen. Ne po përpiqemi si miq dhe si partnerë të bëjmë të ditur potencialet që ofron Shqipëria, për një sukses më të madh në tregjet globale.