E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite, në Konferencën Kombëtare "Drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit nëpërmjet Strategjisë

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite, në Konferencën Kombëtare "Drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social". Kjo Konferencë është organizuar nga Ministria e Financave, PNUD, si dhe Ekipi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Në këtë aktvitet Kryeministri Nano tha:

"Më lejoni t'ju falenderoj për praninë tuaj në këtë sallë dhe t'ju siguroj qysh në fillim se organizimi i kësaj Konference Kombëtare shpreh angazhimin e Qeverisë Shqiptare për ta parë Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Social si dokumentin nga i cili udhëhiqet puna dhe veprimtaria e saj, si strategjia ku përmblidhen politikat e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë, si instrumenti me të cilin ne vlerësojmë se bëhet më e sigurtë rruga jonë për integrim në familjen europiane në përputhje me objektivat e Mijëvjeçarit.

Kjo strategji është pagëzuar si programi i reduktimit të varfërisë dhe i rritjes ekonomike, dhe më pas është ridimensionuar në vlerësimin tonë të përbashkët si Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Shoqëror. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ajo pasqyron gjithnjë e më me objektivitet ndryshimet që po ndodhin në realitetin shoqëror – ekonomik të vendit, po reflekton hap pas hapi për shkak të angazhimeve tona për progres dhe azhornim të objektivave për përparimin e sigurt të vendit në proçesin e Stabilizim – Asociimit, si dhe po dëshmon angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur brenda vitit 2015 të gjitha objektivat e përcaktuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Jam këtu për të rikonfirmuar se Qeveria mbetet e bindur që çrrënjosja e varfërisë, përmirësimi i jetës së shtetasve të vendit, si objektiv kryesor i saj, nuk mund të realizohen me slogane, me demagogji populiste apo me masa gjysmake, por vetëm nëpërmjet përpunimit dhe vënies në jetë të strategjive që bashkojnë të gjitha kontributet dhe kapacitetet e shoqërisë shqiptare. Natyrshëm ne jemi këtu për t'i bashkërenduar këto kapacitete dhe angazhime me tuajat, me kapacitetet e donatorëve dhe partnereve tanë, edhe nga shoqëria civile, që na asistojnë dhe investojnë vlera të çmuara për proçesin e integrimit euroatlantik të vendit.

Objektivi i parë i qeverisjes sonë, pra integrimi në realitetet euro-atlantike na detyron të hartojmë, të zbatojmë e të vlerësojmë politika, strategji e programe zhvillimi që në realitet sigurojnë përafrimin e standarteve të jetës shoqërore dhe ekonomike të vendit me ato të realiteteve ku po integrohemi. Një gjë e tillë nuk do të mund të realizohet nëse strategjitë do të konsiderohen si dokumenta të dizenjuara nga "ne" (dhe këtu e kam fjalën për ne qeveritarët) per t'u zbatuar po prapë vetëm nga "ne". Dokumenta të përmasave të tilla siç është Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social kanë vendosur në themel të tyre, dhe udhëhiqen nga parime të tilla, si:

pronësia dhe dimensioni kombëtar duke nënkuptuar këtu përfshirjen dhe kontributin e çmuar të shoqërisë civile, të sipërmarrjes gjithashtu, të gjithë spektrit politik parlamentar, të strukturave të qeverisjes vendore dhe të sektorit privat që ka nisur të shfaqet në të gjithë territorin si motorr i rritjes ekonomike;

orientimi nga rezultatet dhe këtu bëhet fjalë për objektiva konkrete të shprehur në shifra nga të cilat përfitojnë në mënyrë gjithnjë e më të balancuar të gjitha shtresat e veçanërisht ato më në nevojë;

orientimi nga partneriteti duke synuar dhe realizuar tashmë një pjesëmarrje të koordinuar të partnereve tanë të zhvillimit siç janë donatorët bilateralë apo multilateralë dhe organizatat joqeveritare, është një tjetër princip me të cilin punojmë sëbashku;

perspektiva afatgjatë që njeh orientimin e strategjisë nga detyra dhe misioni ynë i integrimit në strukturat euro-atlantike;

Është e qartë se edhe kjo sallë shfaq kuadrin gjithpërfshirës në të cilin punojmë, duke vlerësuar natyrën shumë-dimensionale e komplekse të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit.

Njohja e këtyre principeve, pranimi i tyre nga të gjithë aktorët e përfshirë në proçes dhe puna e përbashkët për përmirësimin dhe konsolidimin e tyre besoj se është mënyra e vetme që e shndërron Strategjinë në një platformë të përbashkët pune dhe në një instrument efikas që po lehtëson realisht rrugën tonë drejt BE-së dhe paralelisht do të mundësojë arritjen e objektivave të Mijëvejeçarit.

Është e ditur se Shqipëria është një nga 191 vendet nënshkruese të Deklaratës së Mileniumit dhe prandaj ne po angazhohemi për të vendosur dhe realizuar objektivat konkrete, të cilat nuk janë vetëm "fasadë" apo objekt vetëm sensibilizimi i shoqërisë civile. Përfundimisht, më lejoni të vlerësoj se ato janë shndërruar në pjesë të objektivave të qeverisjes në proçesin e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit për të cilin jemi këtu për të zhvilluar llogaridhënien dhe transparencën gjithashtu. Unë konstatoj me kënaqësi se pjesa dërrmuese e objektivave po bëhet në vazhdimësi pjesë e indikatorëve të punës së përditshme të strukturave që punojnë për SKZHES, dhe kjo sjell një garanci më të madhe për realizimin konkret të tyre.

Në të njëjtin optikë edhe proçesi i Stabilizim Asociimit mbetet edhe integrues dhe mbështetës i zhvillimit të brendshëm ekonomik. Ju e dini që sapo kryem bisedimet e rradhës me negociatorët e BE, raundi i 6-të, dhe unë vlerësoj se çdo mesazh që vazhdon të prodhohet nga ky proçes partneriteti, si dhe nga monitorimi i bërë atij, po i shërben përmirësimit të politikave të stabilizimit dhe reformave tona strukturore.

Në anën tjetër janë disa instrumenta që nxisin këtë zhvillim. Nënshkrimi i 8 Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë me vendet e Rajonit brenda afateve të përcaktuara në negociatat me BE, instrumentat dhe programet që veprojnë në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, krahas organizatave ndërkombëtare që monitorojnë proçesin e integrimit të gjithë vendeve të Rajonit, janë një platformë për reforma të mëtejshme ekonomike dhe financiare, që nxisin hapjen e tregjeve dhe integrimin e operatorëve. Këto marrëveshje kanë krijuar kushtet që negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë me BE-në të nisin në kuadrin e Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit. Për qeverinë kjo marrëveshje ka një rëndësi të posaçme, sepse me vendet e BE-së ne zhvillojmë mbi 80 përqind të volumit të tregëtisë së jashtme.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të kërkojë dhe do të shoqërohet nga një varg reformash në politikat bujqësore, industriale, financiare, tregtare, doganore dhe atyre ekonomike në përgjithësi, me prirjen e liberalizimit të mëtejshëm të shërbimeve dhe kapitaleve, të nxitjes së eksporteve, të krijimit të lehtësirave të mëtejshme për investimet vendase dhe të huaja, private dhe direkte, duke synuar të konsolidohet klima mbështetëse për sipërmarrjen vendase dhe të përmirësohen standartet dhe cilësia e produkteve shqiptare, duke iu afruar dhe duke penetruar në tregjet e BE. Ne duam që ky ushtrim t'u shërbejë të gjithëve për të konsoliduar dhe krijuar aty ku mungojnë aftësitë konkurruese të vendit me realitetin global.

Nga i gjithë ky proçes hapjeje dhe integrimi drejt strukturave të BE, ku duhet të lëvizin lirisht jo vetëm idetë, mallrat, kapitalet por edhe njerëzit, do të jetë në përfitim të drejtëpërdrejtë për vendin dhe qytetarët shqiptarë.

Nga analiza e ecurisë së treguesve kryesorë ekonomikë gjatë viteve të fundit, rezulton se pergjithesisht tendenca pozitive e zhvillimit të ekonomisë po konsolidohet. Në aspektin makroekonomik ajo shprehet me garantimin tashmë në vite të objektivave të rritjes ekonomike në kufijtë 6-7.3 përqind, me kontrollin efikas të inflacionit në kufijtë 2-4% dhe përfundimisht në mënyrë sintetike me uljen konstante të defiçitit buxhetor në 4.4% të GDP kundrejt 11% që ishte në 1998.

Këto ritme të rritjes së qëndrueshme ekonomike janë rrjedhojë e aksionit dhe veprimtarisë konkrete të aktorëve të ndryshëm dhe të Qeverisë për krijimin e një klime të favorshme në nxitjen e investimeve publike dhe private, vendase dhe të huaja, në ritmin e përshpejtuar të realizimit të reformave, sidomos në privatizimin e sektorëve strategjikë, përdorimit me efektivitet të shpenzimeve publike e sidomos atyre kapitale. Rritja ekonomike, rezulton të jetë shoqëruar edhe me përmirësime në strukturën e ekonomisë, duke sjellë uljen e peshës specifike të sektorit të bujqësisë në dobi të sektorëve të tjerë si ndërtimi, transporti dhe shërbimet.

Në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, Programin Buxhetor Afatmesëm, programin e Qeverisë, gjatë viteve të fundit Qeveria ka mbështetur me politika nxitëse dhe resurse të administruara me transparencë, sektorë prioritarë si infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politikat sociale, zhvillimin rural etj. Niveli i shpenzimeve buxhetore për këta sektorë është rritur nga viti në vit mbi mesataren e sektorëve të tjerë.

Tashmë efektiviteti i shpenzimeve buxhetore është rritur si rezultat i përmirësimit të nivelit të programimit duke kaluar gradualisht nga parashikime vjetore në parashikime dhe monitorime afatmesme. Nga ana tjetër kjo është rezultat edhe i forcimit të disiplinës financiare dhe i vendosjes së një lidhjeje të qëndrueshme të Programit Afatmesëm të Shpenzimeve Buxhetore me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social, krahas implementimit të standarteve ndërkombëtare për hartimin dhe ekzekutimin e buxhetit vjetor të shtetit. Gjatë vitit 2003, për herë të parë u vendosën kritere në përcaktimin e prioriteteve në programin e investimeve publike, duke vendosur sistem pikësh për klasifikimin e projekteve. Vemendja që po tregojmë në harmonizimin e këtyre tre elementeve: të vendosjes së objektivave, përputhjes dhe mbulimit të tyre me burime financimi dhe zbatimit të buxhetit, po e bën Strategjinë gjithnjë e më reale dhe me akses për të gjithë – administratën publike, Kuvendin e Shqipërisë, qeverisjen vendore, shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit, përfshirë këtu edhe donatorët me specifikat dhe ekzigjencat e tyre të mirëpritura.

Më lejoni të shpreh bindjen se kjo konferencë dy-ditore do të krijojë mundësinë për një analizë të hollësishme e të detajuar të progresit që ka njohur deri tani SKZHES-ja, duke na dhënë një shans më shumë për një vleresim objektiv te arritjeve dhe problematikave që duhen kapërcyer. Prandaj mendoj se ky takim që mbledh sëbashku përfaqësues të ekzekutivit, shoqërisë civile, komunitetit të donatorëve, sipërmarrjes private dhe botës akademike është një mundësi e pazëvendësueshme për të arsyetuar dhe vendosur bashkarisht se çfarë duhet bërë më mirë që kjo Strategji e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë të jetë një platformë e punës dhe bashkëveprimit për të gjithë ata që janë dhe nuk janë të pranishëm në këtë sallë, por që doemos do t'u duhet të kontribuojnë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›