E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në aktivitetin "Teknologji e përparuar në bujqësi dhe agroindustri prioritet për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit". Në këtë akti

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në aktivitetin "Teknologji e përparuar në bujqësi dhe agroindustri prioritet për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit". Në këtë aktivitet Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Agron Duka, Ministri i Ekonomisë Arben Malaj, Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sporteve Arta Dade, përfaqësues të pushtetit vendor të zonës, sipërmarrës etj.

Kryeministri Nano ka ndjekur nga afër një ekzibicion të makinerive bujqësore të fermerëve të zonës të cilët i kanë ato nga kredia e dhënë përmes grantit japonez (ndihmë e Qeverisë Japoneze për Qeverinë shqiptare), projekt ky që drejtohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit.

Më pas Kryeministri është njohur edhe me investimin prej gati 200 mijë USD bërë për ndërtimin e serrave në komunën e Krutjes së bashkisë-Lushnje. Teknologjia e përdorur në këto serra është izraelite dhe e fjalës së fundit të teknikës.

Në takimin me fermerët dhe sipërmarrësit e kësaj zone Kryeministri ka premtuar studimin e mundësive për heqjen e akcizës së karburanteve për serrat dhe mekanikën bujqësore duke përmbushur në këtë mënyrë një nga nevojat kryesore të këtij komuniteti prodhuesish, masë e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti në uljen e kostos së prodhimit. Në këtë aktivitet është nënshkruar për herë të parë edhe një memorandum bashkëpunimi midis përfaqësuesve të agrobiznesit, të prodhuesve të farës së lulediellit dhe atyre të firmës "Olim" përmes të cilit do të mundësohet krijimi i një lidhje zinxhir mes prodhuesve të këtij produkti dhe sipërmarrësve të mëdhenj të cilët tashmë, si lëndë të parë, do të përdorin prodhimin shqiptar.

Kryeministri Nano në këtë aktivitet është shprehur:

"Të nderuar sipërmarrës, biznesmenë, fermerë, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit dhe të agjencive të zhvillimit të agrobiznesit.

Të dashur miq dhe të ftuar

Jo rastësisht erdhëm sot në Krutje për këtë takim shumë përgëzues. Krutja ndodhet në zemër të Myzeqesë dhe dallohet historikisht për potencialet dhe kontributet e spikatura në këtë degë të veprimtarisë shoqërore të ekonomisë dhe të zhvillimit. Ky takim midis nesh sot është një provë e qartë se zhvillimi i bujqësisë dhe përafrimi i saj me standartet e vendeve të BE po jep fryte në procesin e realizimit të njërit prej prioriteteve bazë të qeverisë së mazhorancës aktuale që unë drejtoj. Ne po dëshmojmë hap pas hapi, fakt pas fakti, (falënderojmë edhe median që na jep mundësinë t'u bëjmë të njohur njerëzve, në mbarë Shqipërinqë), këto prova progresi dhe zhvillimi nga të cilat po garantohet rritja e të ardhurave nga prodhimi bujqësor, blegtoria apo industria, peshkimi dhe pyjet, të cilat mbeten sektorët më dinamikë që garantojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm për Shqipërinë.

Qeveria është shumë e vëmendshme ndaj këtyre zhvillimeve prandaj ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë politika mbështetësë, që prodhimin bujqësor ta vëjë mbi baza rritjeje të qëndrueshme me ritme gjithnjë e më të larta dhe kjo i shërben jo vetëm përmirësimit të bilanceve tuaja të sipërmarrjes, por edhe të përmirësimit të bilancit tregtar të vendit. Ne kemi hyrë tashmë në fazën e zyrtarizimit të një marrëdhënie të re kontraktore me institucionet përfaqësuese të BE. Pra, procesi i integrimit po ecën dhe ne po kalojmë nga marrëdhëniet tregtare në marrëdhëniet e asocimit Shqipëri - BE. Në këtë kuadër po realizohen dhe kanë nisur të zbatohen Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë si pjesë e këtij procesi të integrimit të madh rajonal dhe europian të vendit qysh në kufijtë e vendit me fqinjët në rajon, me të cilit gjithashtu po ballafaqohemi dhe po konsolidojmë aftësi konkuruese të flukseve komerciale. Marrëveshje tip dhe standart si këto të Tregtisë së Lirë dhe të tjera që i shoqërojnë ato do të vazhdojnë të nënshkruhen në të ardhmne dhe do të vihen në zbatim duke bërë presion pozitiv që bujqësia shqiptare të adoptohet si në këtë rast me kushtet e reja dhe të konsolidojë aftësitë konkuruese.

Këtë radhë, natyrshëm, nuk konkurohet më me fermerët e rretheve fqinjë as me ata të rajonit. Këtë radhë konkurohet, dhe me sukses madje, me nivelet më të larta të shkencës dhe të teknologjisë ndërkombëtare. Shembulli më sinjifikativ i këtij realiteti është komunikimi me internet me qendrën e asistencës në Izrael. Duket, pra, se ky zhvillim është i garantuar. Këto enë komunikuese me progresin global tashmë funksionojnë lirshëm dhe unë dua t'ju përgëzoj që ju jeni në gjendje, jo vetëm ta realizoni këtë gjë, por edhe të përballoni kostot që ka ky zhvillim dhe kjo aftësi konkuruese e niveleve bashkëkohore. Ju po bëheni, dhe prova është këtu e prekshme, zotërues të teknologjive moderne të prodhimit, zotërues të të rejave më të fundit të shkencave që lidhen drejtpërsëdrejti me prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Ishte ëndërr, pak vite më parë, të shikoje në Shqipëri një bujqësi kaq të kompjuterizuar siç ka ky kompleks serash.
Kjo ndodhi e gjitha në logjikën e kapërcimit të aventurave dhe pengesave për zhvillim normal në këtë vend. Ndodhi pas dramës tragjike të piramidave famëkeqe që ndërtoi paraardhësi ynë në pushtet dhe, prandaj, pas bllokimit të tyre, njerëzit iu kthyen punës dhe kemi arritur tashmë në këto maja, maja që mbështeten në punë të ndershme dhe në fitim të ndershëm. Mua më rezulton se, për këtë shkak, kthimi te puna dhe kapjes së këtyre majave, krijimi i një serre prodhimesh perimesh,- prodhimi i perimeve po rritet ndjeshëm nga viti në vit. Vetëm dy vitet e fundit është rritur me 65 mijë ton të tjerë. Mbetet akoma për të përballuar problemin e sezonalitetit që kjo serrë po mënjanon, apo i një asortimenti ende të varfër që janë mangësi që ekonomisë shqiptare dhe vazhdojnë t'i kushtojnë 900 milion lekë të reja importe në vit. Taksimi i sezonalitetit, shtimi i prodhimit dhe i eksporteve arrihen në mënyrë të sigurtë duke kultivuar perimet në serra me teknologji të larta dhe me arritjet e fundit të bioteknologjisë. E tillë është serra që sapo vizituam, për të cilën ju uroj me gjithë zemër: ta gëzoni këtë fabrikë të gjelbër! Serra ka të instaluar drejtim elektronik të sinkronizuar të bioklimës nëpërmjet komandimit në distancë. Dhe kjo serrë që i takon bioteknologjisë më moderne realizon në këtë mënyrë një prodhim me të vërtetë industrial. Për ndërtimin e mjediseve të mbrojtura për kultivimin e perimeve, unë dua të përgëzoj, në mënyrë të veçantë, fermerët e Lushnjes, në mënyrë, akoma më të veçantë, të fshatit Goriçaj të organizuar në Shoqatën "Perigor" që ngritën 20 hektarë serra, ata të fshatit Goriçan në Berat, prodhuesit e perimeve në serra në Tiranë, në Elbasan, Sarandë dhe Fier. Të gjithë këta sipërmarrës të guximshëm dhe konkurues kapërcnyen, përveç të tjerave, paragjykimin e krijuar në vite për t'u grupuar vullnetarisht në organizata të prodhimit të madh për një treg të madh. Ky është një hap i rëndësishëm që po e fut bujqësinë shqiptare në hullinë e duhur, sepse, pa organizata sipërmarrëse të kësaj shkalle prodhimi dhe marketingu, është e pamundur të përballohet konkurenca në tregjet rajonale dhe europiane, në të cilat, duke u hapur po integrohemi.

Qeveria do ta mbështesë këtë zhvillim duke realizuar projekte të tjera konkrete me politika mbështetëse që synojnë rritjen e prodhimeve, uljen e kostos dhe natyrisht nuk mund të realizohet e gjitha kjo, që është një angazhim, tashmë i programuar, pa iniciativa, lehtësi dhe mbështetje në fushën fiskale. Me këtë rast do të përmendja atë që kemi bërë deri tani: heqjen e taksës doganore për importimin e kësaj mekanike bujqësore fantastike, për të cilën, duhet të përgëzoj mekanizatorët e rinj privatë që e përdorin njëlloj si djali juaj lidhjen me internet me Izralin, por e përdorin edhe më mirë sesa mitingashë që ngasin makinat në fushatë elektorale.

Importuesit e mekanikës bujqësore nuk paguajnë në doganë TVSH për linjat e agropërpunimit dhe mallrat që përdorin për investime direkte. Afatet e rimbursimit të TVSH-së u ulën nga 6 muaj, në 1 muaj, janë ulur 2% taksat për farat, fidanet, plehrat kimike dhe lëndët e para që përdoren në bujqësi e agroindustri.

Ne do të vazhdojmë ta thellojmë më tej këtë identifikim të masave, të politikave nxitëse dhe stimuluese të zhvillimit të bujqësisë në kushtet e tregjeve të hapara dhe të shkallës së madhe.

Me fillimin e aplikimit të taksës mbi tokën ky proçes do të ndikojë në rritjen e investimeve dhe të përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës. Ne do të shohim edhe masa të tjera, siç stimuluam edhe jashtë sektorit të kulturave të prodhimit të gjelbër për peshkimin me heqen e akcizës së karburanteve. Edhe këtu po studiohet mundësia e heqjes së akcizave për karburantet që përdoren për serrat dhe mekanikën bujqësore. Siç e thashë edhe me peshkatarët në Vlorë, ky karburant pa akcizë do të jetë ngjyrë rozë. Ju falenderoj për mirëkuptimin! (Por këto janë disa nga krimet që bëj unë dhe Duka).

Këto masa reale të studiuara me kujdes, të diskutuara me frymë partneriteti dhe me trasparancë me përfaqësuesit më të sigurtë dhe të ardhme të sipërmarrësve në fushën e agrobiznesit, me institucionet financiare të vendit dhe ndërkombëtare, po ndikojnë drejtpërsëdrejti në konsolidimin e këtyre faktorëve të rritjes së prodhimit, prandaj ne nuk u dorëzohemi kollaj premtimeve të llojit "t'ua fusim edhe kësaj radhe", siç bëjnë ata, konkurentët tanë politikë.

Unë jam këtu për të shpallur botërisht këtë program mbështetje për agrobiznesin dhe për të dhënë llogari për realizimin e tij, siç kemi të drejtë të krenohemi sot se, disa studime për të cilat jemi angazhuar një vit më parë, tashmë janë bërë të prekshem dhe po japin efekte në dobi të rritjes së aftësisë suaj paguese.

U informova që, një investim si ky kryhet në një periudhë fantastike 3 deri në 5 vjet, që përbën edhe në tregun global, periudhën më të shpejtë të kthimit të investimeve themelore. Ky është një seriozitet bashkëpunimi dhe partneritet i ndershëm midis Qeverisë dhe sipërmarrjes, midis administratës shtetërore dhe agrobiznesit e fermerëve.Çdo trajtim ndryshe, me tullumbace elektorale dhe të pambështetur në studime, i këtij partneriteti është fyes për ju, fyes dhe për shtetin.

Me këtë rast dua të ritheksoj se ndryshimet dhe përmirësimet në sektorin fiskal, (jemi dhe në hartimin e paketës se re fiskale dhe të buxhetit të shtetit për vitin 2004, veçanërisht për sektorin e bujqësisë dhe të agrobiznesit), do të vazhdojnë të jenë nga prioritetet dhe instrumentat kryesore me të cilat ne synojmë të ndërhyjmë me aktivizimin e potencialeve të tjera të sipërmarrjes vendase për prodhim dhe për të ballancuar shkëmbimet tregtare me jashte në kushtet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë programet e bashkëpunimit me donatorë ndërkombëtarë që synojë modernizimin e mekanizimit dhe aplikimin e teknologjive të reja në fushën e sipërmarrjes bujqësore.

Prej vitesh në zonat rurale të vendit vepron Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zbatohen një numër projektesh të Bankës Botërore në fushën e ujitjes, peshkimit, të shërbimeve bujqësore, zbatohen projektet FARE të komunitetit evropian, projektet e qeverisë amerikane nëpërmjet USAID, projekte të organizatës ndërkombëtare të bujqësisë FAO-s, projekti 2 KR, ky grant i rëndësishëm i qeverisë japoneze, që, nëse më lejoni një krahasim, është bërë po kaq tërheqës për ju sa ç'është programi DV-5, llotaria e vizave amerikane për shqiptarët etj. E bëra krahasimim, sepse ka edhe një dallim themelor midis këtyre dy instrumenteve. Llotaria DV-5 të largon nga Shqipëria, dërsa programi 2 KR të mban këtu. I thashë djalit të pronarit: "Ta hodhi babai. S'ka më emigracion". Dhe ai ishte shumë i kënaqur që emigronte vetëm nëpëmjet inernetit. Natyrisht këta janë qytetarë të lirë që tashmë kanë edhe para, edhe garancitë për të lëvizur lirisht, edhe në funksion të shkëmbimit të eksperiencave teknologjike moderne, edhe në funksion të hovit të rinisë.

Me fondet e qeverisë japoneze dhe, natyrisht, bashkëfinancimit të qeverisë shqiptare, siç e pamë, është bërë e mundur të importohen markat më të mira të traktorëve të prodhuar në Japoni, Angli dhe Itali. Deri tani janë importuar 576 traktorë, 1200 agregate dhe makineri bujqësore, 12 mijë ton plehra kimike, 7 autokombajna, 13 fabrika të përpunimit të ullirit për vaj, 1 fabrikë moderne për vajin e lulediellit, në Rrogozhinë është një fabrikë shumë moderne e përpunimit të qumështit etj.

Blerjet janë bërë me kushte lehtësuese dhe çmime konkuruese në favor të fermerëve, me procedura trasparente dhe me pjesëmarrjen e biznesit e të medias. Është bërë kujdes i veçantë të mos përsëriten gabimet e ‘94 dhe '95, kur, jo me grante, por me kredi me interesa të larta të Bankës së Kursimeve, të ish - Bankës Agrare si dhe donatorëve u importuan linja të agropërpunimit, traktorë dhe agregate bujqësore me teknologji të vjetëruar dhe me çmime tepër të larta. Ajo politikë e gabuar solli dështimin e plotë, kreditë nuk u kthyen, Banka Agrare falimetoi, financimet e donatorëve u ndërprenë dhe ne na është dashur të investojmë shumë mund dhe angazhime politike dhe institucionale për ta rikthyer situatën në këtë realitet bashkëpunimi të frytshëm që sot përfshin tre palë: donatorët e huaj, Qeverinë e Shqipërisë dhe organizatat përfaqësuese të sipërmarrësve dhe fermerëve që përfitojnë frytet e kësaj.

Pamja që shpaloset sot është krejt tjetër. Politikat dhe qendrimet korrekte në zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara ka bërë që financimet grant, nga pala japoneze psh. me programin 2 KR të mos ndërpriten, por të vijnë duke u shtuar,(Jemi në transhin e ri që është çelur).

Në qershor të këtij viti Qeveria vendosi që fondet grant të kthyera nga kreditë e dhëna të ripërdoren në agrobiznes për importe të teknologjisë bashkëkohore. Pra, është vendosur, në këtë mënyrë, të ripërdoren më shumë se 5 milion dollarë, që do të vazhdojnë të mbështesin dhe financojnë sektorë; si ai i përpunimit të qumështit, mishit, peshkut, molusqeve, grumbullimin e përpunimin e frutave dhe perimeve, të bimëve mjeksore dhe serrave të teknologjisë së përparuar.

Po e mbyll këtë bashkëbisedim frytdhënës, duke theksuar se unë do të vazhdoj të qëndroj pranë jush, me vizita si kjo, për të prekur nga afër gjithë opinionin publik, edhe ata që ende mashtrohen nga spekulimi për "krimin dhe abuzimin shtetëror". Frytet e këtij realitetit, për të inkurajuar dhe mbështetur iniciativat që krijojnë të ardhmen për këtë vend dhe sipërmarrësit shqiptarë, që sjellin modernitetin e vendeve të botës së përparuar, ku po integrohemi, te arat dhe shtëpitë tona, për të rritur besimin te njëri-tjetri, për të stimuluar më tej iniciativat sipërmarrëse të investitorëve vendas, për të forcuar klimën dhe shembujt e besimit për donatorët e huaj dhe të kapitalit të huaj privat që mund të trasferojë në Shqipëri teknologji, fonde dhe të nxisë këtë prirje të fuqishme që po konsolidon zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare, spostimin e donacioneve, investimeve dhe resurseve nga sektori tregtar në investime në bujqësi dhe agroindustri.

Dua t'ju falenderoj duke ju kërkuar të vazhdojmë të jemi në kontakt dhe bashëkveprim për të aktivizuar rezervat dhe potenciale si këto të cilat do të na bëjnë më të mbrojtur, më të pajisur, më të pasur po të dëshironi në ballafaqimin konkurues, prodhues, tregtar, apo privat, pra në lëvizjet e lira të qytetarëve, me fqinjët dhe qytetarët e vendeve më të zhvilluara industriale që na rrethojnë.
Ju uroj të gjithëve punë të mbarë e suksese!.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›