Kryeministri Fatos Nano ishte sot për një vizitë pune në Minierën e Bakrit të Munellës, në rrethin e Pukës, e cila është marrë me konçesion nga Kompania turke "BER-ONER". Në këtÃ
Kryeministri Fatos Nano ishte sot për një vizitë pune në Minierën e Bakrit të Munellës, në rrethin e Pukës, e cila është marrë me konçesion nga Kompania turke "BER-ONER".
Në këtë vizitë, Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, si dhe drejtues të pushtetit vendor.
Kryeministri Nano vizitoi nga afër punimet e deritanishme të Kompanisë konçesionare turke, e cila aktualisht ka përfunduar fazën e parë të përgatitjes për të filluar prodhimin e mineralit të bakrit, si edhe ka filluar montimin e pajisjeve të Fabrikës së re të Pasurimit të këtij minerali në Fushë-Arrëz.
Kryeministri Nano tha se Qeveria Shqiptare do të vazhdojë politikat nxitëse për vënien në funksionim të kësaj industrie të rëndësishme, e cila nuk funksiononte më prej vitesh.
Kompania konçesionare "BER-ONER" ka punësuar deri tani 60 punonjës, kryesisht në zonat ku ndodhen objektet e minierës. Me intesifikimin e punimeve dhe fillimin e nxjerrjes së mineralit, Kompania parashikon të punësojë rreth 200 punonjës. Aktualisht, në këtë minierë janë investuar rreth 1.6 milionë USD, ndërkohë që deri në fund të vitit 2004, firma parashikon të investojë 3.6 milionë USD në Minierën e Bakrit Munellë dhe 2.1 milionë USD në Fabrikën e Pasurimit në Fushë-Arrëz. Sipas parashikimit, në të gjithë periudhën 7 vjeçare do të ketë një investim prej 20.93 milionë USD.
Deri tani është punuar për përgatitjen për shfrytëzim të pjesës më e pasur së vendburimit me rreth 600 000 ton, ndërsa rreth 3-4 milionë ton të tjera do të përgatiten gradualisht me fillimin nga puna të Minierës së Munellës.
Sipas projektit konçesionar, kapaciteti prodhues i Minierës do të jetë 150 000 ton në vit, në 3-4 vitet e para dhe më pas, rreth 300 000 ton në vit. I gjithë minerali do të pasurohet në Fabrikën e Pasurimit në Fushë-Arrëz.
Kompania konçesionare turke ka krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me drejtuesit lokalë të Komunës Gjegjan, ku përveç punësimit, ajo ka investuar edhe në fusha jetësore për banorët e zonës. Kështu, Kompania "BER-ONER" ka investuar 30 mijë USD për ndërtimin e shkollë së fshatit Kimez, ka riparuar rrugën e fshatit Mesul dhe do të ndihmojë në hapjen e rrugës së fshatit Kabash.
Vendburimi i Munellës bën pjesë në zonën bakërmbajtëse Munellë-Qafë Mali në rrethin e Pukës. Munella është vendburimi më i rëndësishëm i bakrit në vend. Punimet e para minerare kanë filluar në vitin 1982, me hapjen e punimeve nëntokësore. Ritmet e projektit ishin shumë të ulta, derisa në vitin 1992, punimet në këtë minierë u ndërprerë fare.
Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, rezervat gjeologjike në këtë zonë lëvizin në shifrat nga 5-6 milionë ton. Punimet e deritanishme të Kompanisë konçesionare turke "BER-ONER" i kanë vërtetuar këto parashikime për rezervat gjeologjike.