E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite, në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Angazhimeve Morale të Përbashkëta nga përfaqësuesit më të lartë të katër komunitetev

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite, në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Angazhimeve Morale të Përbashkëta nga përfaqësuesit më të lartë të katër komuniteteve kryesore fetare në Shqipëri, Komunitetit Mysliman, Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kishës Katolike, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Kjo deklaratë u nënshkrua nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Selim Muça, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë prof.Dr. Anastasi, Shkëlqesia e tij, Monsinjor Rrok Mirdita si dhe H.D. Reshat Bardhi.

Kryeministri Fatos Nano, duke përshëndetur nënshkrimin e kësaj deklarate të përbashkët të katër institucioneve fetare më të rëndësishme në Shqipëri, u shpreh:

"Më lejoni që në emër të qeverisë të përshëndes dhe të shpreh të gjithë mbështetjen e nevojshme për këtë nismë jashtëzakonisht të rëndësishme të drejtuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri, e cila jo vetëm në traditën dhe në themelin e qytetërimit tonë kombëtar, por edhe në kohën e duhur, në kohën e ripërtëritjes dhe të konsolidimit të institucioneve të lirisë së besimit në një hap me zhvillimin e shoqërisë sonë demokratike dhe civile dhe me konsolidimin e shtetit ligjor dhe e marrëdhënieve të Shqipërisë me botën e qytetëruar.

Është në nderin e drejtuesve të lartë të komuniteteve të shquara fetare në Shqipëri të kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëveprimin e të gjithë aktorëve të tjerë kombëtarë dhe partnerëve të kombit shqiptar, shtetërorë dhe joqeveritarë, civilë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, për të forcuar akoma më shumë figurën dhe zërin, kontributin dhe profilin e Shqipërisë si një faktor paqeje në rajonin tonë, si një model i bashkëjetesës së shkëlqyer midis komuniteteve fetare, si një kontribuent i pazëvendësueshëm dhe i vlerësuar për këtë arsye në transformimin e Europës Juglindore dhe në krijimin e shembujve funksionues të bashkëjetesës midis popujve, kombeve, komuniteteve që ndryshojnë nga pikëpamja e besimit, kulturës dhe traditave dhe ky mesazh gëzon gjithë simpatinë e të gjithëve në fillim të Mijëvjeçarit të paqes. Këta njerëz janë më të rëndësishëm se sa autoritetet që ripërtërihen nga zgjedhjet në çdo shoqëri, pra edhe në Shqipëri".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›