Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim të veçantë me nje grup studentësh të Kuvendit të Unionit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga Kryetar i këtij
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim të veçantë me nje grup studentësh të Kuvendit të Unionit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga Kryetar i këtij Kuvendi, Ali Sefaj, kryetari i Unionit të Fakultetit Ekonomik Sami Isma, anëtarët e Senatit Feim Maliqaj, Elbasan Hoti e Afrim Haxhimustafa.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor Kryeministri Nano, fillimisht i falënderoj studentët për respektin, për vizitën, e cila "edhe për mua, u shpreh Ai, është e rëndësishme, sepse ju jeni përfaqësues të shquar të rinisë kosovare, të studentëve të Kosovës, të këtij brezi që ka një rol të pazëvendësueshëm për ta përshpejtuar procesin e mëvetësisë së institucioneve të Kosovës, si një komunitet që ka vendin e vet të merituar në rajon, si përfaqësues i një pjese të rëndësishme të popullit shqiptar, por ka vendin e vet të pazëvendësueshëm edhe në bashkësinë europiane".
Ky proces, tha në vijim Kryeministri Nano, na ka përfshirë të gjithëve. Kosova po jep provat e duhura të aftësisë, mbështetur edhe në qytetërimin tonë të përbashkët, të përbashkët edhe me Europën, provat e duhura të burrërisë dhe të pjekurisë politike dhe civile, që janë garancia më e fortë se e kaluara nuk kthehet më, se populli i Kosovës, apo shqiptarët në tërësi nuk mund të viktimizohen apo masakrohen nga askush, se askush nuk mund të luajë, as edhe një shqiptar madje, nuk mund të luajë me konfliktin ndëretnik apo urrejtjen etnike, që ka qenë një nga faktorët që na ka lënë këto plagë në histori, na ka ndarë nga njëri- tjetri dhe na ka sjellë ndryshe kaq afër, kaq afër njëri-tjetrit dhe kaq afër Europës.
Kryeministri Nano, duke iu drejtuar studentëve të Universitetit të Prishtinës për rolin që kanë ata për ardhmërinë e Kosovës, u shpreh: "Ju jeni shumë të vyer për të marrë përsipër misione të tilla, të vyer për shkak se nga e kaluara keni vetëm emrin e madh personal dhe familjar të Shqipërisë, qytetërimit shqiptar, të kontributeve kombëtare të shqiptarëve në rajon e në botë. Kjo është bërë me burra të ditur, të shquar për shkak të dijes dhe ju jeni në procesin e nxënies së më shumë dijeve edhe nga historia kombëtare edhe nga realiteti i kohës".
Në vijim të bisedës Zoti Nano, duke vlerësuar rolin e Universitetit të Prishtinës, u shpreh se ai është një nga institucionet e reja dhe të forta që shoqëron ngritjen e institucioneve vetqeverisëse dhe demokratike të Kosovës së re dhe të lirë në një kryeqytet që është tashmë një nga shtatë kryeqytetet e Ballkanit, ku funksionon një parlament i zgjedhur në mënyrë demokratike, një qeveri e dalë në mënyrë legjitime nga ky Kuvend dhe unë kam shumë kënaqësi që po e ndaj këtë bisedë me Kryetarin e një Kuvendi të vjetër të Unionit të Pavarur të Studentëve, që është një provë që edhe shoqëria civile në Kosovë funksionon me ritmin dhe drejtimin e duhur.
Bashkebiseduesit u ndalen edhe në rolin aktiv që luajnë e duhet të luajnë studentet për forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë. "Nuk është koha për më shumë ligështim se ç'kemi pas,-tha Kryeministri. Ju përfaqësoni një brez shumë premtues studentësh, që unë, do të kisha dëshiruar të vazhdonte të ishte po kaq aktiv. Unë pata mundësinë të takoj shumë prej jush në vizitën time në Prishtinë, në një moment historik shumë të rëndësishëm, kur duhet forcuar qeverisja demokratike e Kosovës, kur partitë politike duhet të marrin mesazhe civile nga ju gjithashtu, se përgjegjësinë e lartë dhe kurajon atdhetare dhe demokratike të Ramush Haradinajt si shenjë e partneritetit dhe e respektit që kanë kohë që e tregojnë shqiptarët me komunitetin ndërkombëtar dhe me institucionet e botës demokratike me të cilët po rritemi për tu integruar, na shoqërojnë me të njëjtët akte kurajoze, atdhetare, demokratike dhe në dobi të integrimit që do ta zëvendësonin debatin e përditshëm për pushtet politik me kontributin e të gjithëve për ta sjellë Kosovën sa më shpejt në takimin e madh të këtij viti, që nis për të përfunduar procesin e shqyrtimit dhe miratimit të statusit të saj europian".
Kryeministri Nano gjithashtu foli edhe për rolin që duhet të luajnë studentët e Kosovës për hapjen e tyre, për frymën e solidaritetit, të bashkëpunimit e bashkëjetesës në rajon e më gjërë. Ju dhe e gjithë shoqëria e re kosovare, e re edhe nga pikëpamja e moshës, por edhe institucionet dhe principet me të cilat po përtërit vlerat tona europiane, nuk mund të dhunohet më nga askush", u shpreh Kryeministri.
Kryetari i Kuvendit të Unionit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës Ali Sefaj në emër të studentëve e falenderoj Kryeministrin Fatos Nano për pritjen që u bëri. U jemi shumë mirënjohës që na dhatë rasitn të takohemi me Ju, tha ai. Ne duhet të mbyllim sytë ngazëllyeshëm se asgjë në Kosovë nuk është më e rëndë se ajo që kemi kaluar. Qeveria Shqiptare dhe gjithë Shqipëria ka qënë një nënë e mirë në të gjitha rastet e në momentet më të rënda, ka qënë një udhërrëfyes, një kandil që na ka ndriçuar rrugën për të parë nga duhet të kalojmë, për të fituar statusin përfundimtar e për të shkuar në Evropë. Ai i kërkoi Kryeministrit forcimin e marrëdhënieve ndëruniversitare dhe gjithë sistemit të arsimit.