Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në fazën finale të konkursit nderkombëtar "Tirana, një qytet Europian". Kryeministri Nano ndodhet në këtë aktivitetet edhe në cil
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në fazën finale të konkursit nderkombëtar "Tirana, një qytet Europian".
Kryeministri Nano ndodhet në këtë aktivitetet edhe në cilësinë e kryetarit të jurisë, e cila pritet të bëjë përzgjedhjen e firmës fituese, që ka realizuar studimin më të mirë urbanistik të qendrës së kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
Në këtë konkurs janë paraqitur studio projektuese nga më prestigjozet në shkallë ndërkombëtare.
Kryeministri Fatos Nano në fillim të këtij aktiviteti u shpreh:
Të nderuar pjesëmarrës në këtë konkurs të rëndësishëm,
të nderuar kolegë anëtarë të jurisë,
të nderuar miq dhe dashamirës të progresit!
Sigurisht, sot është rasti më i papërshtatshëm për të mbajtur fjalime, por më lejoni ta konsideroj veten me fat që kam shansin të jem kryetar i kësaj jurie prestigjioze, e cila do të marrë vendime të rëndësishme, për të ardhmen e qytetit tim të lindjes dhe njëkohësisht të kryeqytetit të vendit tim.
Në gjykimin për tre projektet e seleksionuar për qëndrën tashmë europiane të Tiranës, unë si Kryeministër do të ndaj përgjegjësinë e përzgjedhjes me personalitetet e shquar që vijnë këtu, me këtë bagazh të admirueshëm dhe të sprovuar eksperience.
Mbetem i bindur se kjo garë, me seriozitetin dhe profesionalizmin e saj, do ta vendosë përfundimisht Tiranën në hartën e atyre simotrave të veta në Europë, që bëjnë përzgjedhje dhe marrin vendime pikërisht në këtë mënyrë, me anë të konkurimeve si ky dhe që deri tani i kanë munguar Shqipërisë.
Zhvillimi i këtij konkursi është provë tjetër e realiteteve të integrimit që përjeton Shqipëria. Përes ballafaqimesh të tilla ndërkombëtare ne do të vazhdojmë kërkimin e pareshtur të shtigjeve të reja të zhvillimit urbanistik, në dobi të rritjes ekonomike, në përputhje me zhvillimet e vrullta që po transformojnë fytyrën e qyteteve të globit, gjithnjë nën filozofinë e kohës, atë të shprehjes së shpirtit demokratik dhe të një filozofie të sprovuar me sfond social: bashkëpunimi me komunitetin në kushte transprence. Kjo është në thelb arësyeja që dhe unë jam sot këtu, dhe shpresoj të jetë dhe arësyeja e ndodhjes së të gjithëve këtu.
Përsa i takon fushës së urbanistikës që paraqitetet me prioritete të veçanta edhe në programet tona qeverisëse, ngjarja e sotme shënon fillimin e një proçesi të natyrshëm bashkëpunimi interaktiv me nivelet më të larta europiane të Europës ku edhe Shqipëria tashmë po integrohet me shpejtësi. Të tjera konkurse do ta ndjekin këtë sfidë të parë e cila do të japë përgjigje cilësore për pikëpyetjet tona lidhur me zhvillimet e mëtejshme urbane në kryeqendrën e Shqipërisë. Ne sot po hedhim bazat e një shprehjeje të re të Tiranës sonë të dashur, të Tiranës demokratike, gjithnjë në respekt të shprehjeve më të mira të së kaluarës sonë, qofshin ato otomane, monarkike apo socialiste.
Ndonëse studiot që vijnë këtu, pas një proçesi konkurrues të hapur ndërmjet 35 syresh, janë të huaja aktorët shqiptarë të fushës, për asnjë çast, nuk janë dhe nuk do të ndjehen të përjashtuar nga kjo garë. Ata janë dhe do të mbeten pjesë e zhvillimit të suksesshëm të projektit fitues, i cili falë këtyre aktorëve do të mund të kalojë nga stadi i stimulimit kompjuterik në atë të realitetit të gjallë e dinamik të kryeqytetit tonë të dashur. Dhe jo vetëm kaq, do të doja të shtoja se përpara botës shqiptare të ndërtuesve dhe të projektuesve, kjo garë dhe ky projekt europian, jo vetëm që çel një perspektivë me rëndësi por na jep njëkohësisht edhe një sfidë të së njëjtës përmasa me ta.
Dëshiroj gjithashtu që të vë në dukje se, qeveria që unë drejtoj duke e vlerësuar maksimalisht këtë ngjarje historike për zhvillimin urban të kryeqytetit, por jo vetëm të kryeytetit pasi në këtë mënyrë hyjmë konceptualisht në një fazë të re të zhvillimeve urbane në përgjithësi në Shqipëri, është plotësisht e angazhuar që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me partnerë e donatorë ndërkombëtarë, nëpërmjet mekanizmave të rregullimit, të luajë një rol vendimtar për impementimin në shumë aspekte për realizimin in situ të projektit që sot do të shpallim fitues.
Më lejoni më në fund të falenderoj Qeverinë Gjermane për mbështetjen morale dhe kontributin financiar që ka dhënë në këtë rast, por edhe Bashkinë e Tiranës sigurisht dhe kryetarin e saj z.Rama për këmbënguljen në realizimin e kësaj pjese të rëndësishme të programit tonë të përbashkët elektoral, por edhe të gërshetimit të interesave lokale me programet dhe orioentimet aktuale qeverisëse në fushë të planifikimit urban.
Duke mbetur modestisht i ndërgjegjshëm se përpara profesionistëve si ju, nuk është e këshillueshme për ne qeveritarët të flasim gjatë më lejoni që konkursin ta shpall të çelur.
Ju faleminderit!