Kryeministri Fatos Nano ka mbërritur sot pasdite në Vjenë për një vizitë pune me ftese të Kancelarit austriak Wolfgang Schuessel. Rreth orës 16 00 dy autoritet e larta janë takuar në Selinë
Kryeministri Fatos Nano ka mbërritur sot pasdite në Vjenë për një vizitë pune me ftese të Kancelarit austriak Wolfgang Schuessel. Rreth orës 16 00 dy autoritet e larta janë takuar në Selinë e Këshillit të Ministrave.
Fillimisht të dy Kryeministrat kanë ndarë të njëjtin mendim se tashmë marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë shënuar rritje të prekshme, veçanërisht në kuadër të zhvillimit të vrullshëm të marrëdhenieve politike të nivelit të larte ashtu dhe ato ekonomike. Kryeministri Nano ka bërë një pasqyrë të zhvillimve në vend dhe puna që po bëhet në drejtim të reformave integruese dhe forcimin e kapaciteteve të administratës në këtë funksion.
Nga ana e tij, Kancelari Schuessel ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e integrimit të Shqipërisë. „Ju garantoj se Austria do të jetë një nga mbështetësit kryesor të Shqipërisë në proçesin integrues drejt Bashkimit Europian. Së shpejti do të takohem në Austri me autoritetet e larta të BE-së, ku do t'u bëj të njohur mbështetjen tonë në përpjekjet që ju po bëni për të arritur standartet e integrimit, progresin në këtë drejtim, ashtu dhe rolin tuaj të rëndësishëm në një rajon, i cili ka nevoje për këto kontribute".
Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën ekonomike, Kancelari austriak dhe Kryeministri Nano kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe janë shprehur për rritjen e pranisë austriake në sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. "Reiffeissen Bank është dëshmi e këtij realiteti të ri të këtyre zhvillimeve dhe ai ka një strategji të plotë për të patur një impakt të fortë pozitiv në ekonominë e Shqipërisë", tha Kancelari austriak.
Kryeministri Nano ka vlerësuar projektet në zbatim nga pala austriake në sektorët e energjitikës dhe të furnizimit me ujë. Ndërkohë, z.Nano ka shprehur interesin e palës shqiptare për pjesëmarrjen e firmave austriake në proçesin e privatizimit të sektoreve energjitik, të albtelekomit dhe kompanive të përpunimit të naftës, të cilat Kancelari i ka mirepritur.
Duke u nisur nga angazhimi i deritanishëm i palës austriake përsa i përket projekteve të furnizimit me ujë, z.Nano është shprehur për rritjen e numrit të projekteve austriake dhe në asistencën që mund t'i jepet Shqipërisë për përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë.
Më tej, z.Nano ka vlerësuar angazhimin e Kompanisë austriake të kërkimit të naftës OMV. Në këtë kuadër, Z. Nano ka ftuar firmat austriake të marrin pjesë në privatizimin e sektorit të naftës në Shqipëri.
Të dy personalitetet janë ndalur edhe në rritjen e bashkëpunimit në fusha të tjera, të rëndësishme si turizmi, arsimit, shëndetësia, mbrojtja etj.
Kancelari ka mbështetur inisiativen e Kryeministrit për lëvizjen e lirë në rajon si një element që nxit drejtpërdrejt integrimin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryeministrit për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit mes dy vendeve si një hap që do të ndikojë direkt në nxitjen e inisiativave të tjera për lëvizjen e lirë të njerëzve
Më pas, duke ju përgjigjur interesimit të medias rreth takimit z.Nano u shpreh:
"Me Kancelarin Schuessel prekëm të gjithë problematikën aktuale të marrëdhënieve të frytëshme bilaterale, të procesit që ka përfshirë mirëkuptimin dhe mbështetjen austriake për mbylljen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit të Shqipërisë me Komisionin Europian, si për angazhimet e Shqipërisë për një Ballkan të ri në hapje, bashkëpunim dhe integrim me Bashkimin Europian.
Austria është tashmë një partner me shumë dimensione, është e pranishme me projekte të rëndësishme në infrastrukturë, në energji, në sistemet e ujit të pijshëm apo kanalizimeve, mbështet zhvillimin tonë me programe trajnimi dhe eksperiencë në fushat e menaxhimit ekonomik dhe turizmit. Ne synuam dhe arritëm të njëjtin kuptim me Kancelarin Scuessel për të mbështetur ardhjen e Reiffeisen Bank me inisiativa që do të vënë në kontakt komunitetet e sipërmarrësve në përputhje me të njëjtat prioritete të aktivizimit të resurseve dhe të integrimit të Ballkanit në tregjet europiane. Kancelari Schuessel u tregua i gatshëm për të përshpejtuar punën për përgatitjen e një numri marrëveshjes të reja bilaterale, të cilat ai do të vijë t'i firmosë shpresoj edhe brenda këtij viti në Tiranë dhe gjeta të gjithë vëmendjen e duhur për të nxitur akoma më shumë këtë proces me shumë dimensione bashkëpunimi dhe partneriteti europian midis Shqipërisë dhe Austrisë".
Kryeministri Fatos Nano do të jetë nesër në Salzburg, ku do të marrë pjesë në Takimin e Kryeministrave mbi Stabilitetin në Europën Juglindore në shekullin e 21. Kryeministri Nano do të mbajë një fjalim në këtë aktivitet të rëndësishëm.