Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Anëtaren e Parlamentit Britanik dhe Sekretaren e Shtetit për Kulturën, Median dhe Sportin znj. Tessa Jowell. Kryeministri Nano
Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Anëtaren e Parlamentit Britanik dhe Sekretaren e Shtetit për Kulturën, Median dhe Sportin znj. Tessa Jowell.
Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi ka vlerësuar ndihmën dhe mbështetjen e Qeverisë Britanike në projekte dhe iniciativa të ndryshme të zhvillimit, forcimit të intitucioneve demokratike dhe ecurisë së reformave që do të përshpejtojnë afrimin e Shqipërisë me institucionet moderne euroatlantike dhe BE.
"Ky është një moment i veçantë për Shqipërinë kur ne po përpiqemi që të intensifikojmë edhe bashkëpunimin kulturor, iniciativat që forcojnë institucionet dhe demokracinë në Shqipëri. Jam i bindur se edhe përafrimi kulturor mes Shqipërisë dhe Britanisë do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces", tha Kryeministri Nano.
Më tej biseda është përqendruar në zhvillimin e turizmit në jug të vendit dhe në veçanti në zonën e Butrintit, si dhe në mbështetjen konkrete që Qeveria Britanike ka ofruar për ruajtjen e vlerave kulturore arkeologjike të kësaj zone.
Në këtë kuadër Znj. Jowell ka përmendur mbështetjen dhe interesin mjaft të madh të shprehur nga ana e themeluesit të Fondacionit Butrinti Lordit Jakob Rothchild për zhvillimin e parkut kombëtar Butrinti si dhe për mundësitë e zhvillimit të turizmit kulturor dhe nxitjes së politikave zhvilluese për këtë zonë.
Kryeministri Nano ka theksuar se Qeveria Shqiptare është maksimalisht e angazhuar në hartimin e një pakete të plotë ligjore që do të strukturojë dhe realizojë iniciativa të tilla me interes kombëtar.
"Ne kemi miratuar një masterplan zhvillimi për të gjithë zonën e Jugut të Shqipërisë, e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti dhe do të japë efekte shumë pozitive në zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e vlerave historike kombëtare". Sipas Kryeministri Nano, në realizimin e projekteve të tilla të zhvillimit kërkohet një angazhim i plotë i shumë aktorëve, si dhe përbën një domosdoshmëri gjetja e burimeve financiare që do t'i materializojë këto projekte dhe iniciativa.
Në këtë kuadër Kryeministri Nano e ka vënë theksin edhe në ngritjen e një infrastrukture moderne e cila do të afrojë më shumë turistë nga vendet e rajonit duke e shdërruar në mënyrë të veçantë edhe zonën e Butrintit në një qendër të rëndësishme kulturore arkeologjike dhe prezantuese dinjitoze të vlerave historike shqiptare.
Të dy bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në çështjen e procesit të integrimit, ku Kryeministri Nano tha se tashmë Shqipëria ndodhet në një moment pozitiv duke ndërrmarrë hapa konkretë në realizimin e standarteve integruese në strukturat euroatlantike, përmes forcimit të institucioneve, reformës në administratën publike forcimin e kapaciteteve të saj etj.
Nga ana e saj, Znj Jowell u shpreh mjaft e kënaqur nga niveli i bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Britanike, si dhe nga progresi i deritanishëm në fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit tonë, duke theksuar më tej impenjimin për thellimin e këtij bashkëpunimi mes dy vendeve tona.
Në emër të Qeverisë Britanike ajo ka siguruar Kryeministrin Nano për bashkëpunim jo vetëm në fushën e kulturës, turizmit, medias po edhe në procesin e reformave drejt integrimit euroatlantik të Shqipërisë.