E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit, në kuadër të inisiativës "Tirana-Durrësi, dy qytete, një metropol". Në këtë takim Kryemi

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit, në kuadër të inisiativës "Tirana-Durrësi, dy qytete, një metropol".

Në këtë takim Kryeministri Nano shoqërohej nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi, disa ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe ai i Durrësit Miri Hoti, si dhe drejtues të administratës tatimore dhe doganore.

Në takimin, e zhvilluar në formën e një bashkëbisedimi, Kryeministri Nano përshëndeti inisiativën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për të zgjeruar kontaktet midis Qeverisë, administratës publike dhe sipërmarrjes.

"Unë e shfrytëzova këtë rast për të strukturuar më mirë marrëdhëniet tona me ju duke marrë me vete dhe disa nga protagonistët e ekipit qeverisës apo të administratës civile me të cilët ju punoni, duke pasur gjithnjë në vëmendje edhe sensibilitetet kritike apo propozimet për më shumë bashkëveprim në funksion të normave të harmonizuara të përitimit tuaj dhe të vendit në procesin e afrimit për integrim me standartet e BE", tha z. Nano.

Kryeministri Nano theksoi rëndësinë e realizimit të një revolucioni të vërtetë fiskal, që duhet të ndodhë në 2004, për mbledhjen e kontributeve të sigurimit të të punësuarve nga tatimet.

"Ky është një revolucion që do të ndodhë pasi do t'ju duhet të ndryshoni mënyrën e mbajtjes së bilanceve, pasi duhet të filloni të mbani që tani kalkulimet e horizontalizimit të normave të fitimit dhe jo të vertikalizimit. Kjo do të sillte që nga 3.5% që është pesha e sigurimit të punëmarrësve, gjatë këtij viti të dyfishohet", tha Kryeministri.

Lidhur me këtë çështje, z. Nano bëri të qartë që asnjë sipërmarrës që nuk paguan detyrimet ligjore ndaj shtetit nuk është mik i Qeverisë. "Unë dua t'ju garantoj që Qeveria nuk kërkon asnjë miqësi me ata që nuk paguajnë. Nëse doni marrëdhënie partneriale me Qeverinë, konçesione, favore të ligjshme, apo të jeni gjithnjë të pranishëm në shortlistat që ne bëjmë për të kualifikuar kompani dhe sipërmarrje vendase, krahas atyre ndërkombëtare për prioritete zhvillimi, regjistrohuni, formalizohuni, paguani detyrimet. Po nuk u zgjerua baza nuk bie dot trysnia fiskale mbi ata që paguajnë.", u shpreh Kryeministri Nano duke shtuar se "vetëm në këtë fazë, do të ishim në gjendje të jepnim më shumë garanci të kthyeshme në ekonomi apo do të ishim në gjendje të kalkulonim së bashku, që në përputhje me zgjerimin e bazës fisklale, pra, të kontribuesve, edhe juve keni filluar të nxeheni kur keni si konkurentë ndonjë që nuk paguan taksa, sepse ju masakron në mënyrë të pamerituar".

Kryeministri Nano në këtë takim vuri në dukje gjithashtu se ky bashkëbisedim i shërben gjetjes së zgjidhjeve për disa disa çështje në raportin e sipërmarrjes me sistemin fiskal, në marrëdhëniet e biznesit me proçedurat administrative që burojnë nga legjislacioni, i cili rregullon tregun dhe institucionet që ofrojnë mbrojtje dhe hapësira për lirinë e sipërmarrjes në Shqipëri.

"Jemi në një moment, - tha z. Nano, - kur standartet e BE për shkak të negociatave që po përparojnë po bëhen gjithnjë e më të prekshme për të gjithë ne. Besoj të gjithëve na shqetëson së pari karakteri ende i lartë i informalitetit në ekonominë dhe tregun shqiptar, pavarësisht se ka një progres shumë dinamik në rregjistrimin e kapitaleve tuaja në raport me fiskun, me administratën, për shkaqe aplikimi për oferta publike apo projekte zhvillimi dhe me bankat, për shkaqet e natyrshme të identifikimit të kolateralit të hipotekës me të cilën ju garantoni kreditë që afrohen apo merrni".

Kryeministri theksoi se është momenti kur sipërmarrësit shqiptarë duhet të integrohen tashmë si investitorë të rëndësishëm në tregun kombëtar, që po hapet dhe jo vetëm si importues të rëndësishëm drejt tregut të brendshëm. Ai vuri në dukje faktin se Shqipëria po i afrohet treguesve të një zhvillimi normal, duke ndarë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit edhe disa shqetësime që ka shteti në marrëdhëniet midis tyre.

Në këtë kuadër, z. Nano theksoi nevojën e vendosjes së marrëdhënieve më të ngushta e të qëndrueshme midis administratës publike, sipërmarrjes dhe institucioneve financiare. "Unë dua që të kuptojmë njëlloj nevojën për të pasur një marrëdhënie standarte midis jush në treg, pra ,rregulla të konkurrencës së ndershme që janë transparente dhe mbrohen nga ligji që u shërben më pas edhe politika apo administrata. Duhet të kuptojmë njëlloj nevojën për të kuruar dhe shëruar disa dobësi të sistemit në tranzicion, të tregut në hapje dhe të sipërmarrjes së paligjshme apo kriminale, e cila siç kërcënon vendin kërcënon edhe sipërmarrjen e ndershme apo aftësinë konkuruese të saj", tha z. Nano.

Nga ana e tyre biznesmenët përshëndetën zhvillimin e këtij takimi duke u shprehur se ndihen partnerë realë me Qeverinë në sipërmarrjen e tyre. "Marrëdhënia që është krijuar midis nesh dhe Qeverisë është tepër e rëndësishme. Kjo marrëdhënie duhet të konsolidohet dhe të respektohet", thanë në fjalën e tyre biznesmenë të ndryshëm. Ata vlerësuan këtë vëmendje të Qeverisë ndaj tyre materializuar edhe me shpeshtimin e takimeve të tilla me Kryeministrin Nano.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›