Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Ministrin e Brendshëm Grek, z.Georgis Voulgaragis. Në fillim të takimit, Kryeministri Nano u shpreh se kjo vizitë e një përf
Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Ministrin e Brendshëm Grek, z.Georgis Voulgaragis.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano u shpreh se kjo vizitë e një përfaqësuesi të lartë të qeverisë së re greke do t'i shërbejë nxitjes së bashkëpunimit të strukturave të sigurisë midis dy vendeve, në funksion të paqes, dhe stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë. "Shqipëria -tha zoti Nano- për shkak të progresit të bërë është e gatshme dhe po kontribuon tashmë si faktor stabiliteti dhe sigurie për kufijtë tuaj dhe në gjithë Ballkanin". Më tej Kryeministri u shpreh se marrëdhëniet me Greqinë nuk kanë pengesa për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm, ndërsa ka theksuar si moment të rëndësishëm mes dy vendeve intensifikimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik në nivel të lartë në funksion të iniciativave dypalëshe, rajonale dhe globale.
Ministri i Brendshëm i Greqisë i ka përcjellë zotit Nano përshëndetjet personale, vullnetin për forcimin e bashkëpunimit të zotit Karamanlis dhe ftesën e tij zyrtare për t'u takuar në fillim të majit në Athinë duke theksuar mesazhin e kreut të qeverisë greke "se e konsideron bashkëpunimin me qeverinë shqiptare të një rëndësie strategjike për të punuar sëbashku për të përballuar sfidat e reja rajonale dhe më tej". Ministri Grek tha me këtë rast se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Greqisë në rrugën e integrimit euroatlantik. Duke falenderuar dhe shprehur të njëjtin vullnet, Kryeministri Nano u shpreh se takimi zyrtar në Athinë me homologun Karamanlis, ashtu dhe ai në Samitin e Bosnjës pas disa ditësh, do t'i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi dhe vullneti të përbashkët mes të dy qeverive dhe vendeve tona.
Ministri Grek ka informuar Kryeministrin për masat e marra për sigurinë për lojrat olimpike që do të zhvillohen në Athinë, e cila në takim u cilësua një ngjarje për gjithë rajonin ndërsa ka vlerësuar kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim gjë që sipas tij e tregon dhe kjo vizitë e parë zyrtare e nisur pikërisht nga Tirana.
Kryeministri Nano duke garantuar për vullnetin dhe kontributin e Shqipërisë dhe strukturave të specializuara në këtë drejtim tha më tej se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë gjithashtu në goditjen e trafiqeve dhe krimit të organizuar për t'i bërë kufijtë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga fenomenet negative. "Ne jemi të interesuar të ndërtojmë në kufirin jugor me Greqinë fqinjë një model institucional, infrastrukturor, administrativ dhe të sigurisë së kufijve të BE-së", tha Kryeministri.
Të dy bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtën pikëpamje se emigrantët shqiptarë në Greqi janë një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve. Në këtë kuadër, zoti Nano është shprehur se tashmë është momenti i nxitjes së inisiativave për shtimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, për hapjen e tregjeve të lira, në të dy anët e kufirit. "Ka ardhur koha që ky koncept të realizohet në funksion të barazisë së tregjeve dhe të të drejtave të qytetarëve në të dy anët e kufirit, pavarësisht nga origjina shqiptare apo greke e shtetasve apo nga shtëpitë e para apo të dyta në të dyja anët e kufirit, të faktorëve që padyshim na bashkojnë në rrugën tonë drejt të ardhmes europiane", tha zoti Nano.