Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Presidentin e Klubit Politik Ballkanik z. Zhelyu Zhelev. Në këtë takim u diskutua mbi organizimin e Konferencës së radhës
Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Presidentin e Klubit Politik Ballkanik z. Zhelyu Zhelev.
Në këtë takim u diskutua mbi organizimin e Konferencës së radhës së Klubit Politik Ballkanik në Tiranë në fund të muajit maj të këtij viti. Në këtë kuadër Kryeministri Fatos Nano shprehu të gjithë mbështetjen dhe gadishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të asistuar në organizimin me sukses të këtij evenimenti. Bashkëbiseduesit vlerësuan se çështjet konkrete në të cilat duhet të përqendrohet ky aktivitet i Klubit Politik Ballkanik duhet të fokusohen në paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal; integrimin euroatlantik, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve; zhvillimin e infrastrukturës rajonale dhe luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafiqeve ilegale.
Kryeministri Nano propozoi që një vend të rëndësishëm në axhendën e këtij aktiviteti të zërë çështja e integrimit në NATO dhe BE të vendeve të rajonit tonë.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion se Klubi Politik Ballkanik duhet të krijojë veprime lobiste në funksion të proceseve integruese rajonale, si dhe të ndihmojë në gjetjen e financimeve për projekte të mëdha të korridoreve që bashkojnë vendet tona dhe ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e të gjithë rajonit.
Gjithashtu, dy autoritetet e larta vlerësuan se është domosdoshmëri inicimi i hapave konkretë për të ftuar në këtë klub, si dhe për të shkëmbyer ide dhe projekte me liderë të tjerë botërorë.
"Ky klub duhet të iniciojë bashkëpunimin mes udhëheqësve politikë të rajonit për të mos lejuar që politikanë me mentalitetin e së kaluarës apo që nxisin dhunën ndëretnike, të kenë influencë në rajon", tha Kryeministri Nano, duke shtuar se "të gjithë jemi në rrugën e integrimit, kemi interesa të përbashkëta dhe tashmë ndodhemi në një moment të rëndësishëm për të gjithë rajonin. Në këtë funksion mund të ftojmë pranë klubit përfaqësues të investitorëve të kompanive të fuqishme dhe të bankave të njohura".
Në këtë takim u bisedua edhe mbi zhvillimet rajonale dhe në këtë linjë z. Zhelev vlerësoi kontributin e Kryeministrit Nano dhe të Qeverisë Shqiptare për rolin moderator dhe të kujdesshëm në forcimin e demokracisë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.