Të nderuar zotërinj deputetë, Më lejoni që para se të filloj fjalën time, të uroj së bashku me ju zgjerimin e Bashkimit Europian me 10 antarë të rinj. Këta vende ish komuniste zyrtarish
Të nderuar zotërinj deputetë,
Më lejoni që para se të filloj fjalën time, të uroj së bashku me ju zgjerimin e Bashkimit Europian me 10 antarë të rinj. Këta vende ish komuniste zyrtarisht, qysh nga 1 maji 2004, janë antarë me të drejta të plota të këtij komuniteti të madh vlerash. Përshëndes me këtë rast angazhimin e Komisionit dhe të vendeve antare të BE-së për gadishmërinë që kanë treguar dhe ndihmën që kanë dhënë për këtë zgjerim që i dha fund përgjithmonë ndarjes që buronte nga Lufta e Ftohtë. Tani kemi një Europë të Bashkuar më të madhe. Tashmë Europën e kemi edhe më afër. Përshëndes gjithashtu deklarimin e datës 2 maj të Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi, i cili u shpreh: "Faza tjetër e zgjerimit lidhet me Ballkanin. Pas dy vjetësh do të antarësohen në BE edhe tre vende të tjerë të Ballkanit (Rumani, Bullgari, Kroaci) dhe në vijim edhe Maqedonia me Shqipërinë." (Intervistë me gazetarin e njohur britanik Sir David Frost, BBC 1, datë 2 maj 2004)
Zotërinj deputetë,
Është bërë e zakonshme që, në çdo fillim viti, të mblidhemi dhe të debatojmë në këtë Kuvend për raportet vjetore të monitorimit dhe të vlerësimit të strukturave të Bashkimit Europian për vendet e veçanta ashtu si dhe për Shqipërinë. Thënë ndryshe, ne bëjmë kështu një analizë të progresit që ka bërë vendi ynë në proceset integruese. Kjo analizë bëhet duke marë në konsideratë një varg raportesh shumë të rëndësishëm dhe analizash të një vargu institucionesh ndërkombëtarë me të cilët tashmë kemi një bashkëpunim të vërtetë partnerial. E kam fjalën jo vetëm atë të Bashkimit Europian, i cili pret të miratohet pas disa ditësh në Këshillin e Ministrave të BE-së, së bashku me Dokumentin e Partneritetit Europian, por edhe analizat e përvitëshme me Bankën Botërore, BERZH-in, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin Amerikan të Shtetit, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës etj, etj). Sikundër e dini, mbi bazën e ligjit dhe të matricës qeverisëse, ne realizojmë analizat e veprimtarisë së ekzekutivit një herë në gjashtë muaj dhe një herë në vit. Këto analiza janë bërë në transparencë të plotë për publikun. Sivjet, duke e konsideruar 2004-n si vit i dinamikës së asociimit, me synimin që t'u japim një shtysë të re veprimeve tona ekzekutive, u organizua për herë të parë dhe sapo u mbyllën analizat tremujore të sektorëve dhe prioriteteve. Kjo analizë u krye bazuar në katër matrica kryesore: matrica jonë qeverisëse 35 mujore, ajo e prioriteteve të qeverisjes, ajo për Integrim dhe matrica për luftën kundër korrupsionit. Një informacion më të hollësishëm mbi detyrat prioritare të dinamikës së asociimit 2004 e keni tashmë në dispozicion në tavolinat tuaja. Qëllimi i këtij informimi është dëshira që debati i kësaj rradhe të jetë konstruktiv, luajal dhe në dobi të progresit, në dallim nga debatet e mëparshme me këtë temë, të cilët nuk kanë lënë asgjë në kujtesën e shumëkujt, përveç shijes së një sherri të pabukë. Ky material, së bashku me matricat tona qeverisëse dhe me dokumentin e Partneritetit Europian që do të miratojë Komisioni Europian do të përbëjnë Metrin Europian për Shqipërinë e vitit 2005.
Te nderuar deputetë,
Tashmë është e qartë për gjithkënd, se ndryshe nga perceptimi që është shkaktuar veçanërisht nga abuzimi i pandalshëm politik, proceset integruese për në strukturat euroatlantike, nuk janë vetëm detyrë e qeverisë, paçka se ajo mban peshën kryesore. Në të janë po kaq të rëndësishëm parlamenti dhe sistemi i drejtësisë, media dhe shoqëria civile, sipërmarrja e lirë dhe sistemi bankar. Nga ana tjetër, procesi i integrimit në BE nuk është kurrsesi i shkëputur nga ecuria e proceseve të tjera integruese, pasi kështu funksionon realiteti global ku po integrohemi: përmes shumë institucionesh që ndihmojnë njëri-tjetetrin dhe çertifikojnë arritjet në fusha specifike. Kësisoj, nëse ne marrim mbështetje nga strukturat më të larta të NATO-s për procesin e antarësimit në këtë aleancë më të suksesshmen në historinë e njerëzimit, njëherësh ne marrim një mbështetje edhe për procesin e antarësimit në BE; nëse çertifikohemi nga FMN apo BB apo nga agjenci të tjera si SACE, Exim Bank etj, ne jemi çertifikuar për përmbushjen e një vargu reformash të cilat janë njëherësh edhe pjesë e reformave të marrëveshjes së stabilizim asociimit; e kështu me radhë. Po kështu ndodh edhe me vlerësimin në proces të progresit të Shqipërisë për MCA, program i ideuar nga Presidenti Bush dhe që përfshin vlerësimin e një vargu agjencish të rëndësishmë të Shteteve të Bashkuara. Vetëdijësimi i gjithkujt për përgjegjësitë në këtë proces kompleks, gjë që duket se është ende jo në atë nivel që do të dëshironim, mbetet një nga parakushtet që i gjithë procesi të përshpejtohet.
Pikërisht nisur nga ky këndvështrim, në vend që ta shndërrojmë edhe analizën e këtij procesi në një top të spekullimit politik, puna e do që të ulemi bashkërisht dhe të shohim se ç'kemi bërë dhe ç'mund të bëjmë më mirë, të gjithë së bashku. Në këtë kuadër ne shumë shpejt do të paraqesim në Kuvend Dokumentin shqiptar të Partneritetit Europian, ku do të bëhen më të qarta angazhimet e çdo strukture të Shtetit. Nëse do të ngelemi te loja e shëmtuar me përdorim abuziv të deklaratave, atëhere do të shtojmë baltën nën rrota. Përkundrazi, nëse bashkojmë forcat në të mirë të procesit të reformave, rruga ka për të qënë më e lehtë.
Jo një herë kam pasur rastin të përsëris se tashmë marrëdhëniet tona me Komunitetin Europian kanë hyrë në një fazë cilësisht të re. Me fjalë më të thjeshta, kjo do të thotë se tashmë me Europën e Bashkuar, ndryshe nga deri një vit më parë, nuk jemi në fazën e shprehjes së vullnetit, por kemi një axhendë reformash për të cilën kemi rënë bashkërisht dakord me ta, punojmë me raunde negociatash dhe monitorimesh të programuar qartë dhe në këtë proces partneriteti, kur edhe ekspertët e Komisionit, por edhe ne po e kuptojmë dhe njohim më mirë njëri-tjetrin, problemet që do të përballojmë vijnë e bëhen konkrete. Ky është gjithashtu ndryshimi cilësor mes nesh dhe opozitës, e cila, sa kohë ishte në pushtet, e mbante vendin në tonalitetet e propagandës boshe për integrimin. Ne jemi maxhoranca e hapave konkretë të integrimit. Dhe jemi të sigurt se në këtë bashkëveprim institucional me Komisionin Europian detyrat sa vijnë e vështirësohen për të gjithë, jo vetëm për qeverinë.
Pikërisht, nisur nga ky nivel i ri dhe nga ky pozicion i ri përgjegjësish, më lejoni që në fillim të përsëris edhe para jush, të nderuar deputetë, vlerësimin tim për raportin, i cili edhe këtë vit ishte mjaft realist, madje do ta cilësoja si nga më realistët e bërë ndonjëherë për Shqipërinë. Më duket shumë e rëndësishme të theksoj faktin se ky raport i quan tashmë të tejkaluara shumë prej sensibiliteteve të BE-së të një viti më parë mbi trafikun e qënieve njerëzore, korrupsionin e qeverisë në emërimet në Policine e Shtetit, funksionimin e parlamentit, stabilitetin politik pas zgjedhjes së Presidentit Konsensual etj. Është shumë e rëndësishme, gjithashtu, që ky raport vlerëson dukshëm progresin e gjithanshëm të Shqipërisë, siç e evidenton në mënyrë shumë konstruktive mangësitë e vërejtura, të cilat kanë qenë shqetësimi i vazhdueshëm i qeverisë dhe i gjithë politikës së përgjegjshme të vendit. Me këtë rast, në emër të Qeverisë Shqiptare, nga kjo tribunë dëshiroj të falenderoj të gjithë përfaqësuesit e BE-së, që punojnë pranë nesh dhe na mbështesin e ndihmojnë për t'u përafruar çdo ditë e më shumë me Evropën.
Duke u fokusuar në defektet dhe mangësitë, më lejoni t'ju ftoj, të nderuar deputetë, që në këtë debat të jemi konstruktivë dhe bashkëpunues. Përjashtimi apo vetëpërjashtimi, përçudnimi politik, fyerja e mbështetur mbi abuzimin politik dhe mediatik, intoleranca apo mungesa e luajalitetit bashkëpunues, nuk na afrojnë me BE-në, por na largojnë. Dhe se cilët janë ata që demonstrojnë këtë shpirt populli shqiptar e di mirë, prandaj edhe nuk i voton. Cështjet sensitive që na shqetësojnë ne dhe të gjithë vendin meritojnë të trajtohen me profesionalizëm dhe me kulturë qytetare. Prandaj ju ftoj te shfaqim një etikë të përgjegjëshme politike dhe përfaqësuese, e cila ndihmon dukshëm edhe partnerët tanë ndërkombëtarë të kuptojnë më mirë problemet tona dhe të na vlerësojnë edhe më realisht. Sepse unë jam i bindur, ashtu siç janë të bindur edhe shumica e deputetëve në këtë sallë, se mjaft nga problemet e ngitura e kanë fillesën edhe në perceptimin e debateve tona shterpë apo të tymnajave publike dhe private, që ngrejnë disa në këtë sallë, apo edhe jashtë saj.
Të nderuar deputetë,
Siç e dini, ne çdo vend të botës, reformat kërkojne vullnet politik per t'u menaxhuar. Sa më i gjerë të jetë rrethi i subjekteve politikë që janë të vullnetshëm dhe pjesëmarrës, aq më i garantuar është ritmi dhe suksesi i reformës. Kjo aksiomë qëndron përherë në themel të koncepteve politike të stabilitetit dhe të demokracisë në vend. Edhe ne kemi shembuj të shumtë të mbarëvajtjes së reformave, kur ato janë bërë me konsensus të gjerë, apo anasjelltas. Përveç të tjerash, edhe mbi këtë realitet dhe parim të shenjtë të demokracisë gjykon edhe BE-ja, kur vlerëson progresin e një vendi si Shqipëria. Natyrshëm nuk mund të presim që vlerësimet për Shqipërinë të jenë të shkëlqyera, sa kohë që opozita prodhon zhurmë në vend të politikës dhe hedh baltë me arrogancë mbi përpjekjet e mundimshme të popullit dhe të vendit të vet për t'iu afruar Evropës, aq sa cilësohet kjo opozitë edhe si destruktive nga opinioni zyrtar ndërkombëtar. Qëndrimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në Asamblenë Parlamentare të KE-së janë modeli më i mirë se si, paaftësinë e tyre për t'u integuar në proceset reformuese që realizohen në vend, politika e papërgjegjëshme e kthen në kosto për të gjithë vendin. Natyrshëm nuk mund të presim që vlerësimet për Shqipërinë të jenë të shkëlqyera, kur individë të çfarëdo krahu, edhe këtu, në Kuvend, nxisin tendenca vetëshkatërrimi, vetizolimi apo kur mllefi personal politik mbyt logjikën më të thjeshtë të një politike realiste dhe të dobishme.
Më lejoni, të nderuar deputetë, ta vazhdoj fjalën time duke marë në analizë tezen bajate e të provuar tërësisht si të dështuar, tezë e cila është rimarrë kohët e fundit, sipas së cilës qeveria manipuloi zgjedhjet, apo që Fatos Nano është "armik i zgjedhjeve të lira". Për konseguencë të fakteve ju lutem thirrini memorjes suaj institucionale dhe njerëzore para se të gjykoni të tjerët për faje apo krime elektorale, që i keni kryer vetë, të nderuar ish-pushtetarë, krime të cilët ne po i korrektojmë me vendosmëri. Në kohën kur ju vidhnit vota dhe i nxirrnit rezultatet e votimit mbi 120%, unë isha i burgosuri juaj politik. Minimalisht duhet t'u kërkoni të falur Shqiptarëve për atë që keni bërë. Më tej akoma, ju fajsoni qeverinë që unë drejtoj për ndërhyrje në procesin zgjedhor, kur faktet flasin ndryshe. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, qeveria ka vetëm rol mbështetës në organizimin e zgjedhjeve. Ajo siguron mjedise pune dhe fonde për komisionet zgjedhore, si dhe rendin dhe qetësinë, kur ky cënohet tepër rëndë. Kaq. Ju ftoj te mos e harroni raportin e ODIHR, ku vlerësohet lart roli i Policisë së Shtetit në Zgjedhje, megjithë zhurmën e paarsyeshme që u mundua të krijonte lidershipi juaj i vjetër, të nderuar opozitarë. C'Dushk paskam bërë unë, kur dushkarët janë shpërndarë në të katër anët e kësaj salle?!
Me këtë rast, edhe njëherë do te doja te sqaroj opinionin publik për rolin tim si Kryeministër dhe Kryetar i maxhorancës në zgjedhjet që sapo kaluam. Detyrat e mia ligjore janë të qarta. Unë nuk kam asnjë tagër kushtetues apo ligjor që të ndërhyj në procesin zgjedhor në asnjë fazë të tij. Zhurma që opozita kërkon të shtojë në mënyrë abuzive ndaj meje dhe maxhorancës është fiktive, e pabazë dhe e palogjikshme. Mendësia se Kryeministri i ka në dorë të gjitha gjërat në vend, madje edhe vdekjen fatkeqe të njerëzve, ka marrë fund njëherë e mirë, që nga dita kur Berisha la pushtetin. Kush e kujton, për shembull, se kush ishte Kryetari i Gjykatës së Lartë apo i KQZ-së në kohën e Berishës? Askush. Kjo ndodhte sepse në atë kohë te gjitha pushtetet ishin të përqëndruar në një dorë të vetme, në dorën e regjimit të Shaban Memisë.
Me këtë mendësi vetëm ju vazhdoni të gjykoni edhe sot për Kryeministrin edhe për Presidentin e Republikës, pa marrë fare parasysh të vërtetat institucionale dhe ligjore mbi kompetencat e tyre. Madje, duke mohuar edhe ato përpjekje titanike që të tjerët vazhdojnë të bëjnë për të ndihmuar procesin zgjedhor, vazhdoni të ushqeni si jo rrallë herë, dhunën si mbështetje për politikën tuaj jo konkuruese.
Maxhoranca progresiste e Shqipërisë ka bërë që gjatë këtyre viteve të vendoset besimi tek institucioni bazë i demokracisë: zgjedhjet e lira. Ne ndërtuam ligje dhe struktura elektorale që funksionojnë në bazë të Kushtetutës dhe kodeve organike. Ne jemi shprehur të gatshëm që të marim seriozisht në konsideratë të gjithë vërejtjet profesionale të ODIHR-it si institucioni më i rëndësishëm i specializuar për zgjedhjet në botën demokratike. Pikërisht në këtë kuadër ne vendosëm që të pershpejtohet puna për reformën e Gjendjes Civile duke financuar me 7 milionë euro nga buxheti i shtetit për kompjuterizimin e saj dhe pajisjen e shtetasve me karta identiteti bashkekohore si database unik për listat zgjedhore. Ky proces do të përfundojë brenda Majit të vitit 2005. Kështu punon maxhoranca dhe qeveria për përmbushjen e detyrimeve edhe në raport me zgjedhjet e lira, me masa konkrete dhe e pashqetësuar nga pengesat që vijnë prej krahut që ka frikë të votohet, sepse humbet.
Ne nuk mund ta mbajmë vendin peng të mendësisë dhe veprimit politik të disa individëve të disbalancuar opozitarë, që vetëm kur fitojnë vetë i njohin zgjedhjet. Psh, asnjëherë nuk ka ndodhur që opozita t'i deklarojë të deligjitimuara votimet e fundit në Korçë, Sarandë apo Elbasan; siç edhe nuk ka ndodhur që pozita të bëjë të njëjtën gjë me po ato qytete, përkundrazi, u kemi ofruar të zgjedhurve legjitimë bashkëpunim për ecurinë e reformave, madje Bashkinë e Elbasanit e kemi preferuar edhe si bashki ku po pilotohen reformat. Marrëveshja politike për bashkëpunim dhe reformë të institucioneve u prish njëanshmërisht nga PD, për faktin e thjeshtë se teknologjia e tyre e të bërit politikë nuk bën ndryshe veçse nëse është promotor i bojkotit apo dhunës ndaj çfarëdo institucioni. Eshtë fatkeqësi për vendin, që ne jemi të detyruar të bëjmë politikë dhe reforma integruese në një mjedis të tillë politik. Dhe e gjitha kjo kthehet në një kosto shtesë dhe të panevojshme për proceset tona integruese.
Megjithatë, BE vlerëson në raportin e vet se progresi në Shqipëri është i dukshëm. Kam rastin t'u kujtoj shqiptarëve se ky progres është kryekëput produkt i përgjegjësisë dhe këmbënguljes së maxhorancës progresiste. Natyrisht do të kishim bërë më shumë nëse e gjithë klasa politike do të ishte rrjeshtuar në krah të reformave dhe jo një pjesë në krah të anti-reformave. Kur Enti Rregullator, vendosi për përshtatjen cmimit të energjisë me atë të tregut të hapur dhe me koston e prodhimit, ju e dini mirë se si opozita e manipuloi këtë fakt, duke luajtur me emocionet e njerëzve, që janë vërtet në nevojë. Ky, të nderuar deputetë, nuk është bashkëpunim për reformë, por lëvizje anti-reformiste që mund të të çojë kudotjetër, veçse jo në Europë.
Të nderuar deputetë,
Edhe në vlerësimin tim dhe të qeverisë që unë kryesoj, në muajt e fundit të vitit 2003 ka patur një ngadalësim të ritmit të disa reformave, gjë që thuhet qartë në raportin e BE. Analizën e kësaj e kemi bërë dhe është e njohur për publikun e gjerë kur parlamenti u zvarrit 6 muaj pas 2 ministrave. Në një vështrim të përgjithshëm ajo është çmimi që ne bashkërisht i paguam prishjes së marrëveshjes pozitë-opozitë, marrëveshje e cila jo vetëm u vlerësua lart brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm solli një klimë më europiane bashkëpunimi, por edhe dha rezultate konkrete në një varg reformash kryesore.
Kujtoj ketu se në këtë klimë të dëmtuar edhe vetë Kuvendi i Shqiperise për muaj të tërë u pengua në mënyrë te pajustifikuar nga opozita, e cila, po të ishte vërtet e interesuar për integrimin në BE, ashtu siç pretendon edhe sot në këtë debat, do të kishte qënë minimalisht komplementare me ne për miratimin e disa ligjeve të matricës së integrimit, te tilla si Ligji i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që është bllokuar në procedura nga deputetë të djathtë, të cilët veprojnë në konflikt të dukshëm interesi; apo ligji për mbrojtjen e dëshmitarit, që mezi u miratua, në sajë të vendosmërisë së kartonit të maxhorancës, etj. Sa komisione hetimore kemi krijuar vetëm e vetëm që të qetësohet klima politike dhe të çlirohet parlamenti, duke qënë të vetëdijshëm në vërtetësinë e konkluzionit të Avokat Ngjelës, i cili tha me shumë të drejtë se "nëse do të mos zgjidhësh ndonjë punë, krijo një komision hetimor parlamentar". Kuvendi nuk mund të futet në ritmin e reformave të integrimit europian me bojkotet dhe bllokimet e opozitës që Raporti i BE-së e stigmatizon për destruktivitet.
Zotërinj deputetë,
Është e vërtetë, siç vë në dukje raporti, se ne nuk kemi ende një administratë tërësisht apo thellësisht profesionale dhe me vetiniciativë. Dua ta veçoj dhe të ndalem me gjate në çështjen e reformës në Administrën Publike sepse ajo mbetet protiritet i të gjitha prioriteteve tona politike, por edhe nje çeshtje mjaft sensitive per procesin e integrimit. Progresin dhe mangësite e saj unë i kam analizuar me hollësi publikisht jo shumë kohë më parë, me rastin e analizës vjetore të qeverisë, dhe mbetem plotësisht i angazhuar të korrektojmë punët edhe mbi konstatimet e raportit të BE-së. Prandaj me duket me e udhes te ndalem ne programin tone te veprimit, ne zbatimin e te cilit jemi ende jo në ritmet e duhura, me se shumti për shkaqe objektive. Ne jemi në konsultë të përditshme e në mirëkuptim të plotë me partnerët tanë, të cilët shprehen dakort e na mbështesin për të ndërmarrë këto hapa si vijojnë:
Së pari, ne jemi futur në një proces rishikimi dhe rivlerësimi të funksioneve të çdo ministrie dhe dikasteri. Analizat e fundit i shërbyen edhe këtij procesi. Kam urdhëruar fillimin e kësaj pune që në muajin shkurt dhe jemi në fazën e përpunimit të informacionit të grumbulluar dhe te konsultimit me asistentet e huaj. Do të vlerësoja shumë përfshirjen e ekspertizës së opozitës në këtë proces, jo thjesht për komplementaritet, por për kontribut real, sepse edhe pranë jush gjendet ekspertizë e mirë dhe e kualifikuar jashtë shtetit. Në këtë fazë ne synojmë të definojmë qartë misionin e çdo ministrie, objektivat e saj, strukturat e nevojshme për realizimin e misionit dhe objektivave dhe një numër i përgjithshëm punonjësish për çdo dikaster mbi bazën e nevojave të llogaritura saktë. Në këtë kuadër, përcaktimi sa më parë i një misioni të ri të Ministrisë së Integrimit, ku roli i saj do të rritet ndjeshëm në nivele koordinative, do t'i japë një shtysë të re punëve dhe më shumë rezultate. Unë ju siguroj se asnjë vendim i qeverisë, asnjë projektligj nuk do të miratohet në qeveri pa ekspertizën dhe harmonizimin e tij me matricën tonë integruese.
Së dyti, Qeveria ka programuar ndëhryrje në ligj, për të saktësuar edhe njëherë procedurat e rekrutimit dhe të largimit të punonjësve. Unë kam urdhëruar të gjithë titullarët, që në fazën e zhvillimit të konkurseve të pranimit të trajtohen më përparësi personat e diplomuar jashtë vendit. Edhe pse urdhëri ka dalë jo shumë javë më parë, tashmë kam kënaqësinë të raportoj para jush se vetëm për këto javë, si pasojë e veprimit tim ligjor, në administratën shqiptare janë rekrutuar po aq të diplomuar jashtë shtetit sa kanë qënë rekrutuar në krejt vitin e kaluar. Në këtë kuadër po shqyrtojmë edhe programe që rrisin edhe motivimin financiar për këtë kategori nëpunësish, si pjesë të reformës së pagave që parashikojmë ta përfundojmë këtë vit. Edhe për këtë reformë të rëndësishme ekzekutive ne kërkojmë mbështetjen dhe kontributin real të opozitës.
Së treti, ne po rishikojmë standartimin e vendeve të punës në administratë e për pasojë hartimin e përshkrimeve të punës në mënyrë më të përshtatshme se deri më sot. Duke bërë këtë do të thjeshtohet shumë procesi i vlerësimit për secilin. Përshkrimi i saktë i vendit të punës, krijon mundësinë e vlerësimit real të punës së secilit dhe dokumentimin e mangësive. Kjo natyrshëm do të ulë edhe kontestet në Komisioninin e Shërbimit Civil apo në Gjykata për paprovueshmëri të masave disiplinore që janë marë. Një rol të veçantë këtu presim të luajë edhe Komisioni i Shërbimit Civil i cili ende po sillet thjesht si gjykatë. Kur raporton në Kuvend, rezulton se ky komision nuk njeh asgjë nga realiteti në administratë, por thjesht niset nga paragjykime punonjësish të larguar me vështirësi nga detyrat të cilat ose nuk kanë arritur t'i kryejnë, ose kanë abuzuar me to. Nuk është e rastit, psh që Komisioni i Shërbimit Civil, nuk di apo hiqet sikur nuk e di masakrën e bërë nga të zgjedhurit e PD-së në Bashki e Komuna, mbi punonjësit me statusin e Nëpunësit Civil.
Së katërti, siç e përmenda më lart, po përfundon puna për studimin e pagave në administratë. Ky studim do paraqitet së shpejti për miratim dhe zbatim, pasi të përcaktojmë edhe ngarkesën në punë për secilin. Ndërkohë që në gjithë këto vite ka ndodhur e kundërta, janë dhënë paga qesim. Na duhet të korrektojmë edhe këto difekte, që fatkeqësisht janë çimentuar edhe në ligje që kërkojnë 3/5-at e votave, për të vendosur përfundimisht në administratën publike parimin e shpërblimit sipas kontributit, meritës, hierarkisë dhe ngarkesës në punë.
Së pesti, megjithë punën e mirë që po bën Instituti i Trainimit të Administratës Publike, edhe trainimi si nocion, pas këtyre hapave që duhen ndërmarrë, do të pësojë reformën e tij. Ne do të kërkojmë që të ofrohen trainime më të specializuara, kur të kemi administratorë të motivuar në punë, që kontribuojnë brenda kornizave të ligjit dhe të parimeve që përmendëm më lart. Ne kemi iniciuar dhe po mbështesim, gjithashtu, trainimin e administrates vendore, ne menyre qe te ecet paralelisht me forcimin e kapaciteteve te te dy niveleve te qeverisjes.
Nëse vërtet opozita dëshiron të realizohen këto reforma jetike edhe për integrimin, është e mirëpritur.
Të nderuar Deputetë,
Viti 2003 konsolidoi më tej ekonominë shqiptare, gjë që u pasqyrua qartë në treguesit bazë ekonomikë e financiarë. Zhvillimet makroekonomike ishin përgjithësisht në përputhje me parashikimet. Objektivi i rritjes ekonomike u përmbush me sukses, inflacioni u mbajt në nivele te ulta, deficiti buxhetor u ruajt brenda kufijve të parashikuar dhe u rrit rezerva valutore. Zhvillimet sektoriale të ekonomisë, përgjithësisht, kanë qenë në nivele të kënaqshëm. Këto janë shoqëruar edhe me vazhdimin e përmirësimeve në strukturën e ekonomisë, duke çuar në ulje të peshës specifike të sektorit të bujqësisë dhe në rritje të saj për sektorët e tjerë. Kjo gjendje ekonomike na ka ndihmuar të përparojmë në zbatimin e masave të parashikuara në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik e Social për zbutjen e varfërisë, uljen e papunësisë dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj popullit. Vlerësimi i këtij progresi nga partnerët tanë Evropiane eshte nje inkurajim i madh për të gjithë ne për të realizuar ritme edhe më të larta të rritjes ekonomike.
Situata e qendrueshme ekonomike ka favorizuar më shumë akoma veprimet tona ekzekutive në luftë kundër krimit të organizuar. Forca goditëse dhe zbuluese e policisë së Shtetit është rritur ndjeshëm. Puna e saj për kapjen dhe parandalimin e trafikantëve dhe të trafikut të drogave, si fenomeni më i rrezikshëm pas atij të trafikut të qënieve njerëzore, të cilin e mbyllëm, po jep rezultate. Tashme eshte bere e qarte per te gjithe se polica nuk ka nevojë për trima apo për histori trimash. Ajo ka nevojë për punë sistematike profesionale, zbatim korrekt të ligjit e mbi të gjitha ndershmëri të lartë në detyrë. Ndershmëria është jetike për cdo reformë në këtë institucion, i cili ka vite që përflitet, për shkak të trashëgimisë së tij, presioneve të shumta që përballon dhe të problemeve të akumuluara në tranzicion. Fatkeqësisht, abuzivizmi ende provohet shumë pak, por mjafton të shihni "trimat" me uniformë që kanë ndërtuar vila apo shfaqen si pronarë firmash private, sapo lenë detyrën, dhe do të kuptoni fare mirë se çfarë ndodh, domethënë çfarë ka ndodhur më përpara, kur ata kanë qënë në detyrë. Pastrimi i radhëve të policise nga të paaftët apo nga abuzuesit me detyrën po bëhet pa lëkundje sepse kjo lidhet me një të ardhme të shëndetëshme të mbarë jetës së vendit dhe veçanërisht me forcimin e shtetit të së drejtës.
Është shumë e domosdoshme, gjithashtu, të forcohet bashkëpunimi politik në kuadër të komisionit Parlamentar të Rendit dhe SHISH. Unë i kam kërkuar ministrit të rendit të vazhdojë të jetë transparent me insitucionet, ashtu siç kërkoj nga të gjithë ju më shumë mbështetje, mirëkuptim e bashkëpunim. Ne nuk mund të bashkëpunojmë me politikanë të fantaksur që sa herë shohin ëndërra me "mala vita" apo ku të dish çfarë klanesh kriminale, ngrihet në mëngjes dhe i tregojnë ato me zë të lartë para kamerave, duke vënë emra ministrash në personazhet e kokës së tyre. Të paktën ju, deputetë të tjerë të opozitës dhe të maxhorancës, që keni kthjelltësinë e nevojshme për të kuptuar rëndësinë e veprimeve tuaja politike, duhet të kontribuoni realisht për zgjidhjen e problemeve dhe jo për të krijuar të tjera. Sa kohë që debati spostohet nga antikorrupsioni real në emra të trilluar, abuzuesit fërkojnë duart dhe të paaftët vegjetojnë pafundësisht, për pasojë krimi merr kurajo më të madhe për të vepruar. Pikërisht për këto sensibilitete flet edhe raporti i BE-së për Shqipërinë.
Krijimi dhe funksionimi i gjykatave të Krimeve të Rënda eshte nje mase tjeter e rendesishme qe kemi marre dhe qe po jep frytet e para. Siguria në gjykimin e çështjeve është rritur ndjeshëm. Reforma në gjyqësor po ecën në ritmet e duhura. Tashmë ndërhyrjet themelore në fushën e goditjes së drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar kanë përfunduar. Kemi ende disa detyra komplementare për të zgjidhur, të cilat janë në proces konsultimi me ekspertët e huaj. Brenda këtij sesioni Parlamentar unë shpresoj që ne të gjithë së bashku të miratojmë ligjin anti-mafia, si një mjet efikas për goditjen e para-industrisë së trafikut dhe krimit të organizuar. Ja pse sërish nevojitet kontributi i opozitës. Natyrisht, nuk dua të ekzagjeroj praninë e këtij krimi në Shqipëri e aq më pak të bëj komente spekulative për lidhjet e tij me politikën, sic bëjnë lehtësisht opozitarët e politikës. Për këtë qëllim unë kam qene dhe jam i prirur të vendos mbi bazën e konkluzioneve të ekspertëve dhe të institucioneve të ndekjes penale, e pse jo edhe atyre të inteligjencës. Të jeni të bindur se nuk do të hezitoja përpara askujt politikani nëse për të do të kisha denoncime ligjore dhe do të veproja me ashpërsinë dhe kompetencat që më jep ligji. Dhe këtë e them në kushtet kur thuajse të gjithë shërbimet tona janë në partneritet me institucione homologe presitigjoze të botës, por edhe me ato të vendeve fqinjë, pasi pa këtë bashkëpunim, efikasiteti i luftës kundër krimit të organizuar do të mbetej i ulët.
Sa i takon funksionimit të gjyqësorit, vlerësoj se edhe ky Kuvend duhet të bëjë më shumë, jo thjesht dhe vetëm të merret me ekzekutivin. Ekzekutivi disa herë është pozicionuar me veprime dhe vendimmarrje në favor të qytetarëve që goditen padrejtësisht nga drejtësia. Ne jo vetëm kemi marrë masa për ekzekutimin e të gjitha vendimeve gjyqësore, si shenje e rritjes së besimit të njerëzve të drejtësia, por edhe kemi marrë vendime që zbusin efektet e vendimeve të gjykatave për shtetas apo institucione që janë goditur padrejtësisht. Ajo që po kërkoj në këtë kuvend është më shumë përgjegjësi ligjore dhe qytetare nga ana e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe më shumë përgjegjësi bashkëpunimi institucional nga drejtuesit më të lartë të Pushtetit Gjyqësor. Unë, disa herë, jam marrë publikisht me problematikën e gjyqsorit dhe performancën e gjykatave, por vërej se Kuvendi nuk e ka ndjekur më tej këtë çështje. Ndërkohë që Kushtetuta jonë nuk e ndalon, përkundrazi, e lejon kontrollin parlamentar edhe ndaj pushtetit gjyqësor, natyrisht jo për çështje konkrete. Ne duhet të luftojmë mendësinë e fitimit të disa punëve të rehatëshme me mandat e imunitet kushtetues, që pothuajse gjithmonë na rezultojnë në përgjegjshmëri të munguara publike të këtyre të zgjedhurve. Është e tepër të përmend ndoshta faktin se Gjykata jonë e Lartë ende sillet si gjykatë e shkallës së tretë, në më shumë se 80% të kohës së saj të punës. Ndërkohë që Kushtetuta i ka dhënë asaj një juridiksion tjetër primar, atë të unifikimit të praktikës gjyqësore. Kjo do të thotë: më shumë kontroll dhe disiplinë juridike mbi të gjithë pushtetitn gjyqësor. Me të njëjtin shqetësim mund të analizojmë edhe performancën e Gjykatës Kushtetuese, dhe me gjendjen e zbatueshmërisë së vendimeve të saj. Ku them performancë kam parasysh faktin se është detyrë e kësaj gjykate të interpetojë drejt Kushtetutën dhe jo të na bëjë të gjithëve të mendojmë për ta ndryshuar Kushtetutën, pa e zbatuar atë, proces i cili ka shumë kosto për integrimin europian të Shqipërisë.
Të nderuar deputetë,
Në një vlerësim të përgjithshëm, procesi i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit po ecën në drejtimin e duhur. Ne sapo përfunduam edhe negociatat për nenet e fundit të projekt marrëveshjes dhe për të gjitha protokollet shtesë, si dhe për marrëveshjet e ripranimit. Pra është përballuar një punë tepër voluminoze, ku në thelb çdo nen diktonte një standart tjetër të negociatorëve tanë dhe të paktën një reformë për t'u kryer. Në këtë proces kemi krijuar një përvojë tërësisht të re dhe të veçantë që është përvoja e bashkëpunimit partnerial me administratorët dhe komisionerët e Europës së Bashkuar.
Vijueshmëria e këtij procesi është tashmë thuajse tërësish pjesë e vendimmarrjes së BE-së dhe kryesisht e zhvillimeve tona të brendshme politike. Ne duhet të jemi të gatshëm të gjithë së bashku, për të mirën e Shqipërisë të dëshmojmë para Brukselit se e duam këtë vend në Evropë më tepër sesa ata na duan ne atje. Për këtë qëllim ne, siç e përmenda, po hartojmë një platformë bashkëpunimi politik me të gjithë faktorët e interesit brenda vendit, duke synuar përshpejtimin nga ana jonë të paktën të nënshkrimit të marrëveshjes. Në këtë funksion maxhoranca do të propozojë shumë shpejt idenë e shndërrimit të Komisionit të Integrimit në Komision të Përhershëm Parlamentar, duke rënë kështu plotësisht dakort me propozimin e BE-së.
Duhet të kemi parasysh se këtë vit BE-ja organizon zgjedhjet e përgjithshme për institucionet e saj përfaqësuese. Shumë energji do t'i duhet BE-së harxhojë për zgjerimin që ndodhi para dy ditësh, si dhe për të realizuar reformën kushtetuese. Prandaj ne duhet të bëjmë gjithcka që kemi në dorën tonë që të përshpejtojmë procesin tonë të asociimit. Për këtë arsye ju ftoj, të nderuar deputetë, të bëheni edhe më mirë dhe në mënyrë edhe më aktive pjesë e këtij procesi vendimtar në historinë tonë, duke u rreshtuar aktivisht në këtë koalicion të gjerë të vullnetit të mirë për integrim.
Të nderuar deputetë,
Rënia faktike e perdes së hekurt me vendet ish komuniste, domosdoshmërisht kërkon edhe një veprim politik gjithëpërfshirës tonin, si pjesë të reflektimit që duhet të ndodhë tek gjithkush përpara këtyre proceseve jetike për të ardhmen e vendit. Ne nuk mund te integrohemi në Europën e Bashkuar pa u integruar mes vetes sonë pa e humbur aspak natyrshmërinë e pavarësisë së pushteteve dhe të opcioneve politike, të domosdoshme për pluralizmin dhe demokracinë. Ne nuk mund të integrohemi në Europën e Bashkuar pa realizuar me sukses integrimin rajonal për të cilin vazhdojmë të vlerësohemi lart. Ne nuk mund të integrohemi në Europën e Bashkuar nëse pjesë të spektrit tonë politik përpiqen në mënyrë të vazhdueshme të mbajnë në izolim zona të caktuara të Shqipërisë. Ne nuk mund të integrohemi në Europë nëse vemë interesat e partive mbi ato të Shqipërisë. Politika jonë si maxhorancë progresiste e këtyre viteve të pluralizmit ka dëshmuar me fakte se ne e kemi hequr përfundimisht perden e hekurt. Gjej rastin të përsëris se të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe opozita. Reformat tepër të rëndësishme siç është ajo e kthimit dhe kompensimit të pronave, përfundimi dhe sjellja në standartet e kërkuara e reformës zgjedhore, kompensimi i ish të persekutuarve dhe vetë proçesi i integrimit bëjnë apel për më shumë bashkëpunim politik dhe parlamentar. Realiteti ynë ka dëshmuar se në një klimë bashkëpunimi reformat ecin më shpejt. Kjo që them nuk është aspak shprehje e paaftësisë apo dobësisë së maxhorancës qeverisëse. Përkundrazi. Është vetdije europiane. Në të kundërt, i kujtoj zotit Berisha se maxhoranca që unë drejtoj është e zonja të përdorë instrumenta të demokracisë së drejtpërdrejtë siç janë referendumet, me qëllim që të mos e mbajmë peng procesin dhe reformat integruese për interesa të ngushta partiake apo korruptive.
Në këtë kuadër, përveç të tjerave, unë kam kënaqësinë të ftoj liderin e opozitës, zotin Berisha që të bashkohet me delegacionin e nivelit shumë të lartë shqiptar që do të marë pjesë në Samitin e NATO-s në Stamboll, në qershor të këtij viti. Dhe këtë ftesë e bëj jo vetëm për në Stamboll, por për të punuar së bashku gjithkund ku ka nevojë për forca të bashkuara që sjellin ritme të larta, duke filluar që nga problemet e gjakmarrjes, deri tek zgjidhja e problemeve të shqiptarëve jashtë vendit. Në gjykimin tim kjo është prova reale e përgjegjësive politike dhe vullnetit për integrim për lidershipin shqiptar.
Ju faleminderit!