Kryeministri Fatos Nano inauguroi sot paradite, në Fier, tre projekte të rëndësishme të infrastrukturës së këtij qyteti. Gjatë vizitës së tij në Fier, Kryeministri Nano shoqërohej nga
Kryeministri Fatos Nano inauguroi sot paradite, në Fier, tre projekte të rëndësishme të infrastrukturës së këtij qyteti.
Gjatë vizitës së tij në Fier, Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Bashkim Fino, nga Ministri i Punës dheÇështjeve Sociale, Ëngjëll Bejtaj, si dhe nga deputetë të zonës. Kryeministri Nano u prit nga përfaqësues të pushtetit vendor në Fier.
Kështu, u inaugurua faza e dytë e projektit që përfshin rikonstruksionin e plotë dhe sjelljen në parametra bashkëkohorë të rrugës "Ramiz Aranitasi", ndërkohë që ka përfunduar faza e parë e tij. Projekti është investuar nga buxheti i shtetit, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe nga Bashkia e Fierit. Vlera e këtij investimi është 89 429 219 lekë. Rruga ka një gjatësi prej 630 metra linearë dhe gërmimet që do të kryen do të jenë 10 mijë m3.
Më tej, është inauguruar projekti i dytë që ka të bëjë me rikonstruksionin e plotë të Rrugës "Jani Bakalli" me një gjatësi 650 metra lineralë. Investimi i kësaj rruge do të kryhet nga buxheti i shtetit dhe kap vlerën 19 600 000 lekë.
Po ashtu, është prezantuar edhe fillimi i projektit për rehabilitimin e plotë dhe modernizimin e infrastrukturës në Lagjjen "Sheqi i Madh". Ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor për qytetin e Fierit është investuar nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Rehabilitimi i kësaj lagjje kryhet në kuadër të projektit të menaxhimit të tokës urbane, projekt që drejtohet nga Bashkia e Fierit. Vlera e këtij investimi është 70.455.294 lekë.
Më pas, Kryeministri Nano i është drejtuar Qytetit antik të Apollonisë, ku ka ndjekur një koncert të organizuar me rastin e Festës së 1 Majit. Në koncert, ishin të pranishëm qytetarë të shumtë të Fierit dhe të zonës përreth.
Duke përshëndetur të pranishmit dhe duke u uruar festën e 1 Majit, Kryeministri Nano u shpreh se në këtë ditë të zgjerimit të Europës, edhe ne ndjehemi më pranë saj nëpërmjet zhvillimeve europiane të vendit, në rrugën e tij të integrimit në strukturat euroatlantike.