Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Znj. Orsalia Kalanzopoulos Drejtoreshë Ekzekutive e Bankës Botërore për Europën Juglindore. Në këtë takim Kryeministri Nano vlerësoi kontr
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Znj. Orsalia Kalanzopoulos Drejtoreshë Ekzekutive e Bankës Botërore për Europën Juglindore.
Në këtë takim Kryeministri Nano vlerësoi kontributin e Bankës Botërore për ndihmën e dhënë në asistimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Zoti Nano shrehu angazhimin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi duke u shprehur se "ky bashkëpunim duhet të vazhdojë jo vetëm thjesht si përfitues dhe zbatues të ndihmës, por duke e konsideruar Shqipërinë si një partnere bashkëpunuese".
Më tej bashkëbiseduesit vlerësuan se Qeveria Shqiptare po punon me përgjegjshmëri dhe angazhim në funksion të implementimit, monitorimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të dokumentit të SKZHES dhe në mënyrë të veçantë për të realizuar një lidhje sa më të mirë të saj me buxhetin vjetor dhe atë afat-mesëm. "Po punohet që kjo strategji të luajë rolin e një strategjie gjithëpërfshirëse", tha Kryeministri Nano duke shtuar se strategjitë sektoriale të miratuara duhet të jenë të harmonizuara dhe në kohezion me strategjinë Kombëtare, si dhe me procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë".
Në këtë takim u diskutua edhe mbi çështjet e përmirësimit të qeverisjes dhe forcimit të institucioneve, nxitjes së rritjes së qëndrueshme të sektorit privat, nxitjes së zhvillimit njerëzor përmes rritjes së efikasitetit të asistencës sociale dhe shërbimeve sociale. "Në aktivitetet tona ne po punojmë për të maksimalizuar efektivitetin e ndihmës së donatorëve në sektorë prioritarë si investimet në ifrastrukturë dhe reforma në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe politikave sociale.
Mbështetur edhe në sfidat e reja të vendit tonë që rrjedhin nga asociimi në BE dhe për një shfrytëzim më të mirë të burimeve të vendeve të rajonit me një kosto më të ulët, sipas Kryeministrtit Nano vizioni i Qeverisë Shqiptare është që ekonomia e vendit tonë të përfshihet në zhvillimet rajonale si turizëm, energji, Marrëveshjet e Tregtisë së lirë etj.
Nga ana e saj znj. Kalanzopoulos garantoi vazhdimin e mbështetjes së Bankës Botërore për Qeverinë Shqiptare në përmbushjen dhe konkretizimin e sfidave dhe prioriteteve kryesore të saj edhe përmes asistencës së pandërprerë ekonomike.