E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka vizituar dje në mbrëmje Kontigjentin e 14 të Misionit Paqeruajtës Shqiptar në Sarajevë. I shoqëruar në këtë vizitë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Is

Kryeministri Fatos Nano ka vizituar dje në mbrëmje Kontigjentin e 14 të Misionit Paqeruajtës Shqiptar në Sarajevë. I shoqëruar në këtë vizitë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami dhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Pëllumb Qazimi, Kryeministri Fatos Nano ka përgëzuar forcat tona komando për devotshmerinë dhe guximin e treguar prej tyre në përmbushjen e detyrave të ngarkuara, në misionin e tyre paqeruajtës në Bosnjë-Hercegovinë.
Kryeministri Nano ka marrë nga Gjenerali i Brigadës përgëzimet dhe vlerësimet maksimale për përgatitjen dhe efikasitetin në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga ana e ushtarëve shqiptarë që kryejnë misionin atje.
Emocionues ka qënë momenti kur Kryeministri Nano, gjatë takimit me paqeruajtësit e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, ka zhvilluar disa biseda telefonike edhe me ushtarakë shqiptarë që veprojnë në misione të tilla paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, duke i përcjellë atyre përgëzimet e Qeverisë Shqiptare dhe të paqeruajtësve shqiptarë në Bosnjë, për misionin që po kryejnë me sukses.
Kryeministri ka përgëzuar devotshmërinë me të cilën ushtarët shqiptarë po përmbushin detyrën atdhetare në funksion të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe të kontributit të Shqipërisë në paqen ndërkombëtare.
Para pak javësh, Shqipëria u ftua në ceremoninë e zgjerimit të NATO-s me shtatë vende të reja në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, - tha Kryeministri - dhe u ndjeva krenar që në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me flamujt e NATO-s dhe të SHBA-së u ngrit edhe flamuri ynë me shqiponjën dykrenare. Kjo është gjithashtu, meritë e juaja, prandaj të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë më lejoni të ndaj me ju vlerësimet e qeverisë dhe të popullit shqiptar që ndjehen krenarë që djemtë e Shqipërisë, bijtë e saj më të mirë, gjenerojnë paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të Republikës sonë.
Kryeministri u shreh se falë kontributit të ushtarëve shqiptarë që kryejnë misione paqeruajtëse vendi ynë është shndërruar tashmë në mënyrë të qartë dhe të pakthyeshme në faktor të sigurisë, në prodhues të saj edhe për të tjerët, në kontribues të paqes dhe stabilitetit dhe ka filluar të kontribuojë me ndihmesën e vet jo vetëm në Bosnje, brenda rajonit tonë të vogël dhe kontinentit europian, por edhe me larg në Afganistan dhe në Irak.
«Në përmbushjen me sukses të misionit dhe detyrave tuaja, ju ushtarë të thjeshtë, nënoficerë dhe oficerë mbroni dhe ndërtoni paqen jo vetëm në shtëpinë tuaj, por edhe në atë të fqinjit. Ky është një Ballkan shumë i ndryshëm nga e kaluara- e afërt madje-pikërisht për këtë shkak ju punoni sëbashku me fqinjët dhe me aleatët euroatlantikë për të ndërtuar një paqe dhe prosperitet të pakthyeshëm», tha Kryeministri Nano, duke shprehur bindjen se, nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta po ngremë lart figurën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, me hapa të sigurt dhe të pakthyeshëm, që do të na integrojnë në të ardhmen e afërt denjësisht në familjen europiane, në strukturat euroatlantike.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka marrë një mbështetje të qartë dhe të sigurtë nga autoritetet e SHBA-së dhe të vendeve të tjera të NATO-s, nga Kongresi Amerikan dhe nga Parlamente të tjera Europiane që do të pasojnë, për të mbështetur ftesën ndaj Shqipërisë për integrim në NATO brenda dy viteve të ardhshëm. Po ashtu në muajt në vijim, misioni ynë këtu në SFOR do të drejtohet nga vende anëtare të BE-së dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë të njëjtin angazhim dhe përkushtim në kryerjen e detyrave që po ju besojmë, që po na besojnë, siç kemi vepruar edhe deri më sot.
Me këtë rast, Kryeministri Nano ka shprehur një mirënjohje të veçantë edhe për autoritetet dhe ushtarakët e Republikës Federale Gjermane dhe të Republikës Italiane, të gjithë përfaqësuesit e shtabeve dhe të trupave që, në vazhdimësi që prej vitit 1996, mbështesin kontigjentet shqiptare në misione paqeruajtëse, mbështesin rritjen dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe të forcave tona të armatosura për tu bërë të denjë për tu pranuar në NATO.
Më tej, Kryeministri Nano ka darkuar së bashku me ushtarët shqiptarë të Kontigjentit paqeruajtës në Bosnjë, në mjediset ku është dislokuar ky kontigjent.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›