E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në samitin e 7-të të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, që u mbajt në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë. Me këtë rast Kryemini

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në samitin e 7-të të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, që u mbajt në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë. Me këtë rast Kryeministri Nano mbajti një fjalë, në të cilën u trajtua thellimi i bashkëpunimit rajonal, ekonomik, politik dhe hapat konkretë në drejtim të integrimit të vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike.

Në fjalën e tij zoti Nano përgëzoi Presdiencën e Bosnje-Hercegovinës për punën e bërë gjatë kryesimit të SEECP, duke e vlerësuar këtë takim si mjetin politik dhe diplomatik për vendet e rajonit, për t'u bashkuar me shpirt solidariteti dhe bashkëpunimi për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura të tij. "Që nga koha kur Bosnja dhe Hercegovina morën Presidencën, vendet e rajonit kanë bërë hapa gjigande përpara, në zhvillimet politike, ekonomike dhe ato sociale, si dhe në përmirësimin e klimës dhe shpirtit rajonal të bashkepunimit", tha zoti Nano. Rajoni ynë, shtoi më tej ai, po fillon të shfaqë shenja të gjallërimit të vërtetë ekonomik, si dhe përmirësimin e mirëqënies së përgjithshme të qytetarëve tanë. Progresi i arritur deri tani do të na ndihmojë të forcojmë më tej lidhjet e miqësisë dhe interesat e përbashkëta mes vendeve tona, ndërsa ecim në mijëvjeçarin e ri.

Zoti Nano nënvizoi se me kënaqësi konstatohet se bashkëpunimi rajonal në çështje kyçe si transporti, tregu, energjia, zhvillimi i mjedisit dhe i teknologjisë së informacionit, kanë bërë ndryshime të dukshme. Krijimi i një zone të lirë komerciale për Europën Juglindore, vuri në dukje zoti Nano, përfaqëson një arritje konkrete për integrimin tonë rajonal. "Ky proces mund të mos jetë një proces i thjeshtë dhe as pa kosto imediate për secilin prej vendeve tona. Harmonizimi i nivelit të tarifave dhe taksave të kufirit, sigurisht, ndihmon në zhvillimin e niveleve më të përparuara ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare. Ai do t'i shërbejë rigjallërimit të rjonit në një treg më tërheqës që, nga ana e vet, do të gjenerojë nivelet e larta të investimeve kombëtare dhe ndërkombëtare", tha zoti Nano, duke nënvizuar, në këtë kuadër, se Shqipëria mbështet hapat konkretë drejt liberalizimit dhe harmonizimit të regjimit të vizave, si një pjesë e proceseve pozitive në rajon. "Kjo do të bëjë të mundur përafrimin e vendeve të rajonit tonë drejt integrimit europian". Duke qenë se kemi mbyllur kapitullin e trishtuesëhm të konflikteve që kanë ndjekur rajonin tonë, u shpreh më tej zoti Nano, mund të fillojmë udhëtimin tonë, një udhëtim i ndërtuar në themele të forta shprese, më tepër sesa i penguar nga pangat e dëshpërimit dhe dështimit, një udhëtim që kërkon të ndërtojë urat e rindërtimit, zhvillimit dhe prosperitetit për të gjithë popujt tanë, një udhëtim ku ne po punojmë për t'u bërë pjesë e familjes së madhe europiane, kulturalisht, shpirtërisht dhe gjeografikisht.

Duke u ndalur në çështjet e stabilitetit dhe të sigurisë në rajon, Kryeministri shqiptar u shpreh se "sfida e konsolidimit të paqes dhe rritjes së sigurisë rajonale, mbeten dy prioritetet kyçe për Shqipërinë". Për Shqipërinë, e angazhuar ndaj parimit universal të bashkëjetesës multietnike, sipas zotit Nano, Rezoluta 1244, Marrëveshjet e Ohrit dhe Deitonit, mbeten dokumentet kyçe të "road-map-it" që kërkojnë implementim të vazhdueshëm. "Dhuna e tmerrshme e kohëve të fundit në Kosovë, tha zoti Nano, buroi sërish mëshirshëm. Së bashku me kolegët e Aleancës së Atlantikut dhe ata Europianë, ne kërkojmë një zgjidhje që të mos vijë dhe të mos na drejtojë drejt mërirave. Ne kërkojmë një rezolutë që sjell demokraci të vërtetë dhe stabilitet për gjithë popullin e Kosovës. Kam qenë aktiv, si dhe shumë të tjerë, në kontaktet e rregullta që kam patur me liderët Kosovarë dhe fqinjët e tyre. Ne të gjithë ofrojmë çdo lloj ndihme që mundemi, me çfarëdo kostoje, në çfarëdo kohe, për të ndihmuar në qetësimin e situatës dhe krijimin atje të një paqeje të gjatë, stabilitetit dhe prosperitetit". Ne, nënvizoi zoti Nano, nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë rajonin tonë të rrëshkasë sërish në situatë dëshpërimi. "Të gjithë duhet të kuptojmë se sado e nderë të bëhet situata, është detyra jonë të zgjidhim këtë çështje shqetësuese me dialog të maturuar dhe negociata. Ata që përpiqen dhe prosperojne nëpërmjet përdorimit të dhunës nuk do të kenë kurrë sukses. Dhuna nuk ka qenë kurrë nëna e paqes. Dhuna nuk është nëna e paqes. Dhuna nuk duhet të jetë kurrë as në të ardhmen, nëna e paqes, për sa kohë që në venat tona kolektive do të rrjedhe gjak dhe shpresa do të rrahë në zemrat e kombeve të rajonit".

Kryeministri Nano siguroi më tej në fjalën e tij se, për të ruajtur dhe për t'i shërbyer stabilitetit rajonal, Qeveria Shqiptare ka renditur si një nga prioritetet e saj kyçe, ndërtimin e marrdhënieve edhe më të forta me të gjitha vendet e tjera të rajonit, të jetë një fqinj i mirë. Kjo është ajo që drejton politikën tonë rajonale, tha zoti Nano, duke shtuar se procesi i financimit të projekteve rajonale, kushtëzohet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis ekonomik të favorshem për investimet, vendase dhe të huaja. Për t'ia arritur këtij qëllimi, Kryeministrit Nano tha se "jemi duke ideuar dhe implementuar një kuadër ligjor, i cili të krijojë hapësira për ushtrimin e biznesit të ndershëm dhe të sigurtë, po luftojmë që të eleminojmë barriera administrative dhe komerciale, po vazhdojmë të zhvillomë institucione të biznesit vendas dhe po rrisim sigurinë për investitorët duke forcuar rendin publik dhe duke krijuar skena sigurimi për të mbuluar riskun jookomercial, po vendosim partneritete kuptimplota me institucionet e biznesit rajonal, si dhe po krijojmë një sistem financiar që frymëzon jetë të re në biznes, nëpërmjet marrëveshjeve fleksibël të kreditimit". Politikat e Qeverisë Shqiptare, shtoi më tej zoti Nano, janë hartuar për të rritur investimet, për të siguruar një prosperitet ekonomik dhe të ulin nivelin e varfërisë. "Agjenda jonë për ndryshim" fokusohet në reformat që lidhen me infrastrukturën publike dhe atë administrative, si dhe për zhvillimin e programeve financuese të sektorit privat dhe atij publik. Masa të tilla, vuri në dukje ai, janë aplikuar edhe në nivel rajonal, ku Shqipëria vazhdon të luajë rol aktiv për të diskutuar dhe aprovuar modele për një bashkëpunim ekonomik edhe më të ngushtë; për të identifikuar dhe paraqitur projekte rajonale që ofrojnë një ndihmë reale për suksesin e të ardhmes ekonomike të rajonit.

Në kuadrin e integrimit në BE, sipas Kryeministrit Nano, fokusi i përbashkët i vendeve të rajonit ka marrë dimensione të reja, bashkëpunimi rajonal është zgjeruar në një numër zonash të ndërlidhura, si zgjerimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, zhvillimi i infrastruktures rajonale, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut dhe sigurisht terrorizmit global. Zoti Nano theksoi se reforma në infrastrukture mbetet ende një nga prioritetet ryesore. "Korridoret që kalojnë në vendin tone si: Tirana-Odorize-Sarajeve, Adriatik – Jon dhe Korridori i Tetë, përveçse janë arterie kyçe për lidhjen e njerëzve dhe mallrave, janë gjithashtu mjeti me të cilin stabiliteti, prosperiteti dhe bashkëpunimi do të vazhdojë të lëvizë nëpër vendet e rajonit".

Vendet e rajonit, tha Kryeministri, sot lundrojnë sot në të njëjtat rryma politike dhe ekonomike, duhet të përballen me sfida të njëjta apo shumë të ngjashme të reformave të demokratizimit, ekonomike dhe administrative. "Shumë prej problemeve me të cilat përballemi, do të zgjidhen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, si lufta kundër krimit të organizuar dhe lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve dhe vlerave. Asnjë prej nesh nuk do të mund të sigurojë progres, në programin tone të reformave në vend, apo në marrëveshjet rajonale, ndërsa ne mbetemi të paqëndrueshem, "stagnante" e të prapambetur". Bashkëpunimi, sipas zotit Nano, është një prerekuizitë e natyrshme për integrimin e ardhshëm të rajonit në strukturat formale të partnerëve dhe aleatëve tanë europianë dhe të Atlantikut Verior.

"Interestat e modës së vjetër gjeopolitike, që marshonin shpesh në shekullin e kaluar, nuk e motivojnë më pikëpamjen e perëndimit ndaj rajonit. Sot, është rajoni, si një i tërë, që tërheq vëmendjen e perëndimit. Dhe një kuptim më i mirë i këtij koncepti kyç do të na ndihmonte të gjithëve të fillonim të punonim si një "rajon", duke pranuar një identitet rajonal dhe duke zhvilluar interesa rajonale të përbashkëta", tha zoti Nano. Në këtë drejtim, nënvizoi ai, liberalizimi i mallrave dhe shërbimeve duhet të shoqërohet me lëvizjen e lirë të njerëzve, veçanërisht përsa i përket tregtisë së lirë. "Politikat e liberalizimit të qeverisë sime, tha Kryeministri, janë të lidhura ngushtë në aleancë me përmirësimin e politikave tregtare gjithashtu. Në Shqipëri, liberalizimi nuk konsiderohet me një monopol i shtetit. Për ne, komuniteti i biznesit përfaqëson një grup interesi të pandarë dhe shoqëria civile, gjithashtu, po bëhet gjithmonë e më e interesuar në çështjet tregtare. Sot, ka më shumë vullnet politik për bashkëpunim brenda rajonit".

Pavarësisht nga këto rezultate inkurajuese, garantoi Kryeministri shqiptar, ne do të vazhdojmë të ndjekim këto vendime të veshtira, sepse "ato do të japin rezultatet e duhura për popujt tanë në një periudhë më afatgjatë. Strukturat tona administrative do të bëhen më transparente dhe efektive në implementimin e programit të reformave, do të krijojmë një mjedis më kompetitiv, duke i siguruar mbështetje lëvizjes politike të reformave dhe do të intensifikojmë integrimin rajonal". E gjitha kjo, shtoi zoti Nano, sepse komuniteti ndërkombëtar e konsideron integrimin rajonal si një parakusht thelbësor për integrimin në BE. "Integrimi do të fillojë vetëm atëherë kur të jetë bërë progres drejt bashkëpunimit rajonal. Integrimi në BE do të prodhoje impaktin e vet maksimal vetëm kur paralelisht të zhvillohet një proces komplementar vullnetar në të gjithe rajonin. Modeli i vetëm integrues dhe i mbështetur nga politikanët e rajonit, duket një organizatë ombrellë pan-Europiane".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›