Kryeministri Fatos Nano, i cili ndodhet në Sarajevë për të marrë pjesë në Samitin e Vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, zhvilloi sot një takim me homologun e tij g

Kryeministri Fatos Nano, i cili ndodhet në Sarajevë për të marrë pjesë në Samitin e Vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, zhvilloi sot një takim me homologun e tij grek Kostas Karamanlis.
Në fillim të takimit, të dy autoritetet e larta shprehën kënaqësinë për këtë takim të parë si kryeministra tashme dhe e cilësuan atë si shumë të rëndësishëm në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë në të gjitha fushat.
Kryeministri grek, duke i paraqitur Kryeministrit Nano ftesën për një takim zyrtar në Athinë në ditët e para të majit, është shprehur se qeveria greke e konsideron Shqipërinë një partner të rëndësishëm strategjik. Jemi të gatshëm për të punuar sëbashku për të shikuar përpara drejt sfidave të reja dhe për t'u ofruar mundësi të reja për progres dhe prosperitet popujve tanë, është shprehur Z.Karamanlis në këtë takim, duke vlerësuar njëkohësisht rolin konstruktiv që luan Shqipëria për stabilitetin e rajonit.
Z.Karamanlis ka theksuar se tashmë marrëdhëniet midis dy qeverive dhe vendeve tona do të kenë një pikë të re fillimi të një bashkëpunimi më të ngushtë dhe mbështetje për zhvillim dhe progres.
Nga ana e tij, Kryeministri Nano ka shprehur vullnetin dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar ngushtë me qeverinë e re greke të z.Karamanlis që marrëdhëniet dypalëshe të përparojnë më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të gjithë rajonit tonë.
Kryeministri Nano është shprehur se Qeveria shqiptare mirëpritet çdo vendim të qeverisë greke që lehtëson procedurat e dhënies së lejeve të qëndrimit për emigrantët shqiptarë. Ndërkohë, Z.Nano ka falenderuar homologun e tij z.Karamanlis për lehtësirat e krijuara për emigrantët shqiptarë për festimin e Pashkëve në vendin e tyre. Ndërsa, Z.Karamanlis është shprehur se emigrantët shqiptarë do të jenë në vëmendjen e qeverisë së tij.
Të dy personalitetet ranë dakort që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis dy vendeve, bashkëpunimi në kuadër të organizimit të Lojrave Olimpike në Athinë, proçesi i integrimit euroatlantik të Shqipërisë, çështjet e pronave në të dyja anët e kufirit, Plani grek për investimet në Ballkan, etj., do të jenë në qëndër të bisedimeve zyrtare që dy autoritetet e larta do të zhvillojnë së afërmi në Athinë.
Ndërkohë, Kryeministri Karamanlis ka ritheksuar mbështetjen e Greqisë në drejtim të objektivit kryesor të qeverisë shqiptare, integrimit në strukturat euroatlantike.