E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot takime me kryetarët e shteteve, pjesëmarrës në samitin e Sarajevës të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore. Kryeministri Nano u

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot takime me kryetarët e shteteve, pjesëmarrës në samitin e Sarajevës të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore.

Kryeministri Nano u takua me tre perfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Sulejman Tihic, Borislav Paravac dhe DraganÇoviç. Në fillim të takimit, zoti Nano vlerësoi hapat e bërë nga Bosnjë-Hercegovina në drejtim të integrimit në strukturat euroatlantike. Në këtë kuadër, Kryeministri Nano u shpreh se Shqipëria mbështet nënshkrimin e marrëveshjes së Partneritetit për Paqe midis Bosnjë-Hercegovinës dhe NATO.

Zoti Nano shprehu përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si dhe ftesën zyrtare në emër të Presidentit për të vizituar Shqipërinë së shpejti.

Personalitetet e larta të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës e falenderuan Kryeministrin Nano për rolin e rëndësishëm që luan Shqipëria në drejtim të stabilitetit në rajon.

Duke u ndalur në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, ata vunë theksin në krijimin e hapësirave të lëvizjes së lirë të mallrave dhe kapitaleve midis dy vendeve. Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për kufij të përforcuar kundër krimit të organizuar dhe jo më barriera për lëvizjen e lirë të shtetasve, biznesmenëve, njerëzve të artit e kulturës. Kryeministri Nano shprehu vullentin e Qeverisë Shqiptare për t'i zgjeruar marrëdhëniet edhe në fusha të tjera si turizmi dhe energjia. Duke qënë se Bosnjë-Hercegovina është i vetmi vend që eksporton energji në rajonin tonë, u diskutua edhe për një marrëveshje dypalëshe midis enteve përkatëse.

Kryeministri Nano çmoi bashkëpunimin midis dy vendeve, gjatë kryesimit të SEECP-së nga Bosnjë-Hercegovina, ndërkohë që shprehu gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për konsultime dhe bashkërendime paraprake qëndrimesh në forume si Pakti i Stabilitetit, SEECP, Nisma Adriatiko-Joniane, etj.

***

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Ljubko Jordanovski

Kryeministri Nano përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, të cilat do të ndikojnë në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike në vendin fqinj.

Lidhur me proceset integruese në strukturat euroatlantike, Kryeministri Nano u shpreh se dy vendet kanë mbështetjen e SHBA-së dhe të miqve europianë në drejtim të integrimit të përbashkët të vendeve tona në këto struktura.

Zoti Nano përshëndeti hapin e bërë nga Maqedonia në drejtim të integrimit në BE me paraqitjen më 22 mars 2004 të kërkesës zyrtare për anëtarësim, duke e vlerësuar këtë si arritje jo vetëm të Maqedonisë, por si një zhvillim me ndikime pozitive për të gjithë rajonin.

Zoti Jordanovski tha se Samiti i Stambollit përbën një sinjal pozitiv për anëtarësimin e plotë në NATO brenda vitit 2007, të tre vendeve që kanë nënshkruar Kartën e Adriatikut.

Dy personalitetet e larta, pasi vunë në dukje rëndësinë që kanë për Maqedoinë dhe Shqipërinë Korridorin 8 dhe Projekti i Naftësjellësit AMBO, theksuan gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes reciprok. Po ashtu, ata diskutuan edhe për përshpejtimin e procedurave për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare në kufirin e përbashkët, duke vlerësuar se kjo do t'i shërbejë lehtësimit të qarkullimit legal të qytetarëve të të dyja vendeve.

Kryeministri Nano shprehu bindjen se procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit do të vazhdojë të mbetet një ndër prioritetet dhe angazhimet serioze të palës maqedone për të siguruar realizimin e saj në kohë dhe pa vonesa.

***

Kryeministri Fatos Nano u takua Presidentin e Rumanisë, Ion Iliesku

Në këtë takim, Presisdenti Iliesku i vlerësoi si shumë të mira dhe shumë të rëndësishme marrëdhëniet që Rumania ka me Shqipërinë, duke garantuar gjithashtu mbështetjen e Rumanisë për një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në strukturat euratlantike.

Duke vënë në dukje faktin që Kongresi amerikan miratoi Rezolutën për mbëshjtetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri shqiptar propozoi që një rezolutë të ngjajshme të miratojë edhe Parlamenti rumun.

Zoti Nano i shprehu Presidentit të Rumanisë përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si dhe ftesën zyrtare në emër të Presidentit për të vizituar Shqipërinë së shpejti.

Kryeministri Nano shprehu gatishmërinë e Qeverisë që drejton për rritjen e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare me Rumaninë. Zoti Nano tha se vullneti i qeverisë shqiptare është për një bashkëpunim në rritje në fushën ekonomike, të transportit, bujqësisë, turizmit, arsimit etj. Ky do të ishte dhe një bilanc i mirë për sesionin e ardhshëm të komisionit ndërqeveritar të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar.

Gjithashtu, zoti Nano përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe atë të Bashkëpunimit midis Dhomave të Tregtisë e Industrisë të të dy vendeve, të cilat do të shërbejnë si bazë për nxitjen dhe intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare.

***

Kryeministri Fatos Nano u takua me Presidentin e Bullgarisë, Georgi Parvanov

Në fillim të takimit, Kryeministri Nano ka përshëndetur anëtarësimin e Bullgarisë në NATO dhe perspektivën e anëtarësimit të saj të shpejtë në Bashkimin Europian.

Presidenti Parvanov u shpreh se prezenca e Kryeministrit Nano në Uashington, së bashku me kryeministrat e tjerë të vendeve që u anëtërsuan në NATO, tregon qartë se Shqipëria është tashmë pjesë përbërëse e Aleancës së Atlantikut Verior.

Ndërkohë, Kryeministri Nano i shprehu Presidentit të Bullgarisë përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si dhe ftesën zyrtare në emër të Presidentit për të vizituar Shqipërinë së shpejti.

Të dy personalitetet vlerësuan faktin që Shqipëria dhe Bullagaria kanë treguar një qëndrim të sigurtë në kuadrin e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Ata i vlerësuan shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve, veçanërisht vitin e fundit. "Edhe ky takim është shprehje e rëndësisë që i kushtojmë marrëdhënieve tona, dëshirës së mirë për forcimin e vazhdueshëm të këtij dialogu dhe bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë", tha Z.Nano.

***

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Presidentin e Serbisë dhe Malit të Zi, Svetovar Maroviç

Kryeministri Nano u shpreh se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të rëndësishme për popujt tanë dhe për rajonin. "Ngarkesat emocionale të së kaluarës nuk mund të kondicionojnë dhe të bëhen pengesë lidhur me proceset integruese ku kanë hyrë të dy vendet tona dhe mbarë rajoni. Terminali i përbashkët i të gjitha vendeve të rajonit është Brukseli", tha zoti Nano. Duke nënvizuar faktin se Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë edhe në të ardhmen rol moderator, çka e ka bërë atë një faktor të rëndësishëm që gjeneron paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Zoti Nano nënvizoi faktin se bashkëpunimi në fusha të ndryshme i shërben interesave të vendeve tona dhe rajonit në tërësi. Potenciali i bashkëpunimit, tha zoti Nano, është sidomos i madh dhe i rëndësishëm në kuadrin e organizmave dhe nismave rajonale si Pakti i Stabilitetit, SEECP, Nisma Adriatiko-Joniane, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi etj.

Zoti Maroviç u shpreh se është e nevojshme të ecet me hapa konstruktivë që çojnë drejt progresit dhe zhvillimit të rajonit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›