Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite me delegacionin e sindikatës polake, Solidarnosc, i përbërë nga Presidenti i saj Janusz Snladek, zëvendëspresidenti i komisionit kombëtar, Maciej Jan
Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite me delegacionin e sindikatës polake, Solidarnosc, i përbërë nga Presidenti i saj Janusz Snladek, zëvendëspresidenti i komisionit kombëtar, Maciej Jankowski dhe sekretari i përgjithshëm, Andrezej Adamczyk. Në takim ishte i pranishëm dhe Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare, Gëzim Kalaja.
Kryeministri Nano u shpreh, në fillim të takimit, se jemi duke punuar në të njëjtin front për të garantuar një tranzicion të qetë nga regjimi komunist në demokraci. "Solidarnosc-i, - tha zoti Nano, - rrezatoi më gjërë, sepse pararendi rrëzimin e komunizmit dhe rënien e perdes së hekurt. Prej saj doli një President dhe nobelist njëherësh". Fundi i viteve '70 dhe fillimi i viteve '80 të shekullit të kaluar, - shtoi më tej Kryeministri, - shënoi për Poloninë dy kontribute të mëdha, zgjedhjen e Karol Vojtilës si Papai i Vatikanit më 1970. "Vojtila ka ardhur në Shqipëri më parë se ju, përfaqësuesit e Solidarnosc-it. Ai erdhi tek ne në prill të 1993 dhe me të zbritur nga avioni puthi tokën e Nënë Terezës, dhe na tha: Duajeni njëri-tjetrin", tha zoti Nano.
Duke vlerësuar eksperiencën e gjatë të Solidarnosc-it, zoti Nano u shpeh se do të ishte tepër e vlefshme bashkëpunimi me sindikatat në Shqipëri, nëpërmjet kualifikimeve dhe shkëmbimit të eksperiencës. "Shqipëria është pranë nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilzim Asociimit dhe detyrimet që rrjedhin nga ky përafrim kanë kosto sociale dhe ekonomike. Qeveria që unë drejtoj si qeveri e spektrit të majtë socialdemokrat, ka si përparësi filozofinë dhe politikat sociale, por reformat kanë kosto si ekonomike dhe sociale. Ndaj në këto raste roli i sindikatave është shumë i rëndësishëm", tha zoti Nano, duke vlerësuar se kohët e fundit BSPSH po i kupton kostot e reformave, që po ndërmarr qeveria shqiptare. "BSPSH dhe Konfederata, - tha zoti Nano, - janë partnerët tanë më seriozë në hartimin dhe korrigjimin në proces të politikave tona në fushën e legjislacionit të punës, në fushën e sigurimeve shoqërore, në indeksimin e pagave dhe të pensioneve, si dhe në luftën kundër ekonomisë informale".
Po ashtu, zoti Nano vlerësoi faktin se sëbashku me Poloninë, Shqipëria është pjestare e koalicionit global kundër terrorizmit.
Nga ana e tij, zoti Snladek, pasi vlerësoi mikëpritjen nga autoritetet shqiptare, shprehu falenderimet për kontributin e BSPSH në vendosjen e marrëdhënieve midis dy sindikatave, si dhe vlerësoi kontributet për të vendosur dialogun social. Njëherësh ai u shpreh se eksperienca e sindikatave polake do t'i përcillet BSPSH për të arritur standartet e sindikatave europiane.
Presdienti i BSPSH, Gëzim Kalaja u shpreh se "BSPSH i kupton vështirësitë që kalon vendi për të realizuar reforma ekonomike dhe sociale. Ju, zoti Kryeministër, ju ka rënë barra për t'i udhëhequr reformat në rrugën drejt BE-së". Më tej, zoti Kalaja, duke vënë në dukje faktin se Polonia më 1 maj do të anëtarësohet në BE, kërkoi mbështetjen e Solidarnsc-it për reformat që ka ndërrmarë Shqipëria, si dhe mbështje në rrugën e saj drejt përmbushjes së synimit për t'u anëtarësuar në BE. "BSPSH do të kontribuojë për arritjen e këtij qëllimi duke mirëkuptuar vështirësitë që rrjedhin nga ky proces. Partneriteti me qeverinë do të vazhdojë të ecë normalisht", tha zoti Kalaja.
Në fund të takimit, zoti Nano u shpreh se rritja e bashkëpunimit dhe ekspertizës midis sindikatave respektive është e rëndësishme për arritjen e standarteve europiane në këtë fushë. Marrëdhëniet shumë të mira politike me Poloninë, tha zoti Nano, duke theksuar veçanërisht marrëdhëniet shumë të mira me Presidentin polak Aleksandër Kwashnjewski, duhet të shtrihen në të gjitha fushat e bashkëpunimit.