Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar në Uashington një takim me zj.An Krueger, Drejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kryeministri Nano ka shprehur vlerësimet për mbështetjen e deritanishm
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar në Uashington një takim me zj.An Krueger, Drejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kryeministri Nano ka shprehur vlerësimet për mbështetjen e deritanishme të FMN dhënë Qeverisë Shqiptare në kuadër të procesit të reformave integruese. Kryeministri e ka njohur zj. Krueger me zhvillimet më të fundit, si dhe me objektivat më të rëndësishme për të cilat po punohet me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga ana e Qeverisë Shqiptare, për t'í realizuar brenda vitit 2004.
Lidhur me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik Kryeministri Nano u shpreh se janë bërë hapa përpara në arritjen e treguesve të parashikuar makroekonomikë gjatë 2003 dhe ky është rezultat i një politike fiskale dhe monetare të kujdesshme dhe pasojë e rivendosjes së rregullit dhe qetësisë në vend. "Një nga sfidat ambicioze të Qeverisë Shqiptare është ulja e evazionit fiskal dhe ekonomisë informale", tha Kryeministri Nano, duke renditur më pas disa nga masat e marra në këtë drejtim.
Kryeministri Nano e njohu zj. Krueger edhe me politikat buxhetore në ndihmë të zbutjes së varfërisë, ku po punohet me një angazhim maksimal për zbatimin e strategjisë kombëtare "për zhvillim ekonomik dhe social", në të cilën vëmendja është përqendruar në mënyrë të veçantë në investimet në sektorët prioritarë të arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, infrastrukturës, energjetikës etj.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar rritjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës financiare, vazhdimit të reformave në sektorin publik, si dhe i politikave integruese në rajon dhe BE.
Nga ana e saj zj. Krueger ka vlerësuar vizitën e Kryeministrit Shqiptar Fatos Nano në Shtetet të Bashkuara të Amerikës. Ajo është shprehur se kjo gjë është vlerësuar edhe nga institucione financiare amerikane që kanë garantuar ofrimin e mbështetjes për investime në Shqipëri. Drejtorja e FMN zj. Krueger ka garantuar që FMN do të vazhdojë edhe në të ardhmen të bashkëpunojë dhe të asistojë Shqipërinë në rrugën e reformave dhe të zhvillimit ekonomik.
***
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi dje, në Uashington, një takim me Presidentin e Export-Import Bank, z. Philip Merril.
Kryeministri Fatos Nano i shprehu vlerësimet Presidentit të EXIM Bank për vëmendjen e vazhdueshme të këtij institucioni financiar në drejtim të Shqipërisë, i cili kohët e fundit ka ulur kategorizimin e riskut për bizneset e huaja që investojnë në Shqipëri.
Gjithashtu, Kryeministri Nano vlerësoi garancitë e ofruara në shkurt të këtij viti nga Zëvendëspresidentja e EXIM Bank, e cila i shprehu angazhimin dhe interesin e kësaj banke për të mbështetur projektet e Qeverisë Shqiptare në fushat prioritare të përcaktuara prej saj.
Nga ana e tij Presidenti i Export-Import Bank, z. Philip Merril ka garantuar për vazhdimësinë e ofrimit të mbështetjes së projekteve të rëndësishme të investitorëve strategjikë amerikanë, pasi e ka konsideruar Shqipërinë si një vend që po zhvillohet me shpejtësi dhe që po ecën me siguri drejt progresit.
Duke propozuar që interesimi i EXIM Bank për të garantuar investime në Shqipëri të shtrihet në fusha të tjera, Kryeministri Nano shprehu interesin që kjo Bankë të asistojë në veçanti Qeverinë Shqiptare për projektin e ngritjes së termocentralit energjetik.
Po ashtu, Kryeministri Nano shprehu domosdoshmërinë për vazhdimësinë e angazhimit të ofruar nga EXIM Bank për mbarëvajtjen e projektit të Kompanisë "Lockheed Martin".
Në takim u diskutua gjithashtu, për zhvillimin e një proçesi transparent për projektin e hekurudhës Durrës-Rinas-Tiranë, projekt i cili paraqet rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit.
***
Kryeministri Fatos Nano është takuar dje edhe me një grup përfaqësuesish, liderë të biznesit amerikan, që përfaqësojnë kompani të njohura të SHBA në tregun global. Në këtë takim Kryeministri Nano i ka njohur ata me zhvillimet në Shqipëri, me hapësirat ligjore, si dhe me garancitë që Qeveria Shqiptare u krijon investimeve të huaja në vendin tonë.
Përfaqësuesit e biznesit amerikan, në këtë takim shprehën interesin e tyre për të njohur resurset dhe mundësitë që ofron Shqipëria për investime, duke vlerësuar gjithashtu, edhe faktin që disa nga kompanitë e njohura në SHBA, si General Electric, Lockheed Martin apo mbështetja e Exim Bank për investimet amerikane në Shqipëri, përbën një fakt të rëndësishëm për t'u afruar drejt vendit tonë.