Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot në Varshavë, ku po zhvillohet Samiti i Kryetarëve të Qeverive të Europës Qëndrore, një takim të veçantë me Kryeministrin hungarez Peter Medgjezi.
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot në Varshavë, ku po zhvillohet Samiti i Kryetarëve të Qeverive të Europës Qëndrore, një takim të veçantë me Kryeministrin hungarez Peter Medgjezi.
Të dy kryeministrat kanë vlerësuar nivelin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe janë shprehur për thellim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Kryeministri Nano ka përshëndetur arritjet e Hungarisë në integrimin euroatlantik dhe është shprehur se përvoja e saj në këtë drejtim do të ishte mjaft e vlefshme për Shqipërinë. Ndërkohë, Kryeministri hungarez Medgjezi ka siguruar Kryeministrin Nano për mbështetjen e vendit të tij në proçesin integrues të Shqipërisë.
Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik mes të dy vendeve, Kryeministri Medgjezi ka shprehur interesimin e madh të bankave hungareze përsa i përket proçesit të privatizimit të Bankës së Kursimeve.
Z. Medgjezi ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për zhvillimin e një takimi të përbashkët midis palëve për të identifikuar në detaje mundësitë e investimeve hungareze në Shqipëri. Në këtë kuadër, ai e ka ftuar z.Nano për një vizitë zyrtare në Hungari, në fillim të vitit të ardhshëm, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të sipërmarrjes shqiptare.
Kryeministri Nano, nga ana e tij, ka mirëpritur pjesëmarrjen e firmave hungareze në proçesin e privatizimit dhe investimet e tyre në vendin tonë.
Z.Nano ka shprehur interesin e palës shqiptare për kryerjen e studimeve të përbashkëta të fizibilitetit në fushën e industrisë minerare. Përsa i përket fushës së transportit, z.Nano ka ftuar pjesëmarrjen e firmave të njohura hungareze në tenderat ndërkombëtarë të projekteve të infrastrukturës rrugore me kredi të butë ose në formë konçesioni.
Ndërkohë, Kryeministri Nano ka mirëpritur interesimin e veçantë të palës hungareze për organizimin e transportit reciprok të mallrave ndërmjet rrugës hekurudhore dhe trajnime të specialistëve shqiptarë në Hungari.
Interes është shprehur edhe për bashkëpunimin në fushën e turizmit, mbrojtjes, arsimit, kulturës, etj.