E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Zotit Toni Bler, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Stamboll, ku humbën jetën Konsull

Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Zotit Toni Bler, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Stamboll, ku humbën jetën Konsulli i Përgjithshëm britanik, asistenti i tij dhe mjaft qytetarë britanikë.
Në këtë mesazh Kryeministri Nano shkruan:
"I nderuar Zoti Kryeministër,
Mësova me trishtim lajmin tragjik mbi aktin terrorist në Konsullatën e Përgjithshme Britanike në Stamboll, ku gjeti vdekjen Konsulli i Përgjithshëm, asistenti i tij dhe mjaft qytetarë britanikë.
Ky është një akt i egër barbar, i drejtuar kundër jetës dhe sigurisë. Ai përfaqëson një krim të rëndë që synon të dekurajojë përpjekjet e përbashkëta të njerëzimit për të luftuar kundër forcave të errëta të regresit.
Më lejoni, i Nderuar Shkëlqesi, që në emër të Qeverisë Shqiptare t'Ju dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Kjo fatkeqësi përbën një humbje jo vetëm për Ju, qeverinë që Ju drejtoni dhe popullin britanik, por edhe për Ne.
Në këto çaste hidhërimi marrim pjesë në dhimbjen e popullit britanik dhe të familjeve të viktimave.
Duke përsëritur vlerësimin më të lartë për kontributin e çmuar të Britanisë së Madhe në përpjekjet për të luftuar kundër terrorizmit dhe indinjatën time të thellë për këtë veprim kriminal, Ju lutem Shkëlqesi, t'iu transmetoni ngushëllimet e mia të sinqerta edhe familjeve të viktimave".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›