Kryeministri Fatos Nano, në krye të delegacionit zyrtar në kuadër të turit të tij në disa vende, ka mbërritur sot pasdite në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, për të marrë pjesë në Sam
Kryeministri Fatos Nano, në krye të delegacionit zyrtar në kuadër të turit të tij në disa vende, ka mbërritur sot pasdite në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, për të marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të Europës Qendrore si dhe për të zhvilluar takime me autoritetet më të larta të këtij vendi.
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes në Samit, në orën 16.00, Z.Nano është pritur në një takim të veçantë nga Kryeministri i Polonisë Leshek Miller.
Të dy autoritetet e larta e kanë vlerësuar këtë takim si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve, në hedhjen e hapave konkretë të bashkëpunimit në fusha prioritare dhe shkëmbimin e eksperiencave në proçeset integruese drejt BE-së.
Kryeministri shqiptar dhe homologu i tij polak janë përqendruar në marrëdhëniet ekonomike, ku u theksua fakti se vitin e fundit ato kanë arritur shifrën 3.2 milion dollarë, në krahasim me vitin 2002, ku arrinte në 1 milion dollarë, ndërsa kanë theksuar se ka ende mundësi për të rritur volumin e shkëmbimeve tregtare për të futur në tregun polak prodhime të ndryshme shqiptare me interes për këtë treg, si pije, artizanati, në fushën e mineraleve etj.
Z. Miller ka vlerësuar faktin e pranisë në Poloni së biznesmenëve, në përbërje të delegacionit shqiptar, në Poloni duke shprehur kënaqësinë që midis Dhomave të Tregtisë së dy vendeve ekziston një marrëveshje dhe se vizita e biznesmenëve dhe organizimi i një forumi midis sipërmarrësve të dy vendeve do të çojë në hapa konkretë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, është vlerësuar shumë i frytshëm pjesëmarrja e biznesmenëve shqiptarë në Forumin e përbashkët ekonomik me sipërmarrësit polakë.
Kryeministri Nano ka nënvizuar se turizmi do të ishte një fushë me rëndësi për bashkëpunimin në të ardhmen, duke u shprehur se heqja e vizave për qytetarët polakë për të hyrë në Shqipëri përbën një kusht të favorshëm në këtë drejtim.
Duke u ndalur në proçeset integruese, Z. Miller garantoi për mbështetjen e plotë të Polonisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe në strukturat Euro-Atlantike, si dhe për gadishmërinë maksimale për të dhënë përvojën e saj për këtë aspekt. Zoti Miller ka inkurajuar Kryeministrin dhe Qeverinë Shqiptare në rrugën e reformave të gjithanshme integruese. Ai ka theksuar se e konsideronte të reëdësishëm faktin që të dy vendet janë partnere të koalicionit kundër terrorizmit në Irak, duke informuar Kryeministrin Nano rreth vizitës së tij të disa ditëve më parë në Bagdat.
Në vazhdim, Kryeministri Nano ka bërë një pasqyrë të zhvilimeve rajonale dhe proçeseve integruese në rajon. ‘Në filozofinë tonë nuk ka alternativë tjetër përveç progresit të përbashkët për proçesin e Stabilizim Asociimit". Ne - tha Z. Nano - kemi nxitur dhe do të vazhdojmë të nxisim dialogun, dhe bashkëpunimin si e vetmja mënyrë për të siguruar stabilitet dhe progres në rajon, ndërsa ka theksuar se Shqipëria inkurajon faktorët konstruktivë në Prishtinë për të realizuar objektivat e tyre nëpërmjet dialogut me Beogradin.
Gjithashtu, nëshkrimi i marrevëshjeve të tregtisë së lire midis vendeve të rajonit, menaxhimi i kufinjve, goditja kundër trafiqeve etj. u konsideruan nga Kryeministri shqiptar si hapat konkretë për të ecur përpara në proçesin e integrimit rajonal.
Z. Miller ka theksuar se në Varshavë është i vlerësuar roli moderator i Qeverisë Shqiptare për të nxitur inisiativa në rajon, duke dhënë kontribut për stabilitetin, dialogun dhe paqen.
Dy autoritet e larta kanë shprehur bindjen se Samiti i Kryetarëve të Qeverive të Nismës së Europës Qendrore do të çojë përpara bashkëpunimin dhe inisiativat e përbashkëta.
Pas takimit me Z. Miller, Kryeministri shqiptar Fatos Nano iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me temën e bisedimeve mes dy homologëve.
"Tema e bisedimeve ishte shkëmbimi i përpjekjeve, informacioneve dhe inisiativave për të përcjellë një zhvillim të ri në marrëdhëniet polake, të mbështetur në shfrytëzimin e eksperiencës polake në proçeset e reformave në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ne kemi besim se tashmë po integrohen në marrëdhëniet shqiptaro-polake edhe aktorë joqeveritarë, siç është vizita e 40 bisnesmenëve që do të ndalen në Dhomën polake të Tregtisë dhe Industrisë për kontrata të drejpërdrejta. Në takim u theksua mbi këtë bazë edhe kuptimi i përbashkët që distancat po shkurtohen", tha Kryeministri Nano.
Inisiativa e Nismës së Europës Qendrore, një organizatë ndërqeveritare, është inisiativa me e vjetër dhe më e madhe e bashkëpunimit rajonal që përfshin vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, e krijuar menjëherë pas rënies së murit të Berlinit. Ajo synon inkurajimin e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon dhe të kontribuojë në përafrimin sa më të shpejtë të vendeve që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE-së për të realizuar qëllimet e tyre integruese në strukturat euroatlantike . Gjthashtu kjo synon edhe krijimin e lidhjeve mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. E themeluar në vitin 1989, ajo ka në përbërjen e saj 17 vende dhe përkatësisht Shqipërinë, Austrinë, Italia, Bosnjë-Hercegovinën, Hungaria, Kroacia, RepublikaÇeke, Bjellorusia, Maqedonia, Polonia, Moldavia, Unioni Serbi-Mal i zi, Ukraina, Sllovenia dhe Sllovakia, Rumania, Bullgaria.
Gjithashtu, Kryeministri Fatos Nano eshte pritur ne nje takim nga Presidenti i Polonisë, Aleksandër Kwashnjewski. Më pas Kryeministri Nano ka marre pjese ne punimet e seances plenare te Samitit.