Kryeministri Fatos Nano përuroi sot paradite në ambientet e hotel "Continental", në Bukuresht, një pllakë përkujtimore në nder të krijuesit të shtetit të parë shqiptar dhe atdhetarit t
Kryeministri Fatos Nano përuroi sot paradite në ambientet e hotel "Continental", në Bukuresht, një pllakë përkujtimore në nder të krijuesit të shtetit të parë shqiptar dhe atdhetarit të shquar Ismail Qemali, që qëndroi në këtë hotel, në kryeqytetin rumun, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912. Holli i hotelit grumbulloi sot, ashtu si 90 vjet më parë, shumë shqiptarë që jetojnë në Rumani, si dhe studentë që studiojnë atje.
Kryeministri Nano e vlerësoi përkujtimin e atdhetarit të shquar shqiptar, që shpalli pavarësinë e vendit, si një eveniment shumë të rëndësishëm dhe si një nder për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryeministri bëri një ekspoze të shkurtër të gjithë momenteve kyçe, gjatë periudhës së shpalljes së pavarësisë se Shqipërisë, duke i konsideruar ato si ngjarje të rëndësishme të historisë së vendit.
Z.Nano theksoi rëndësinë që pati për vendin tonë dhe shpalljen e pavarësisë mbështetja që i dha Rumania atdhetarëve shqiptarë dhe krijuesit të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali.
"Historia jonë është e mbushur me momente kulminante gjatë të cilave vazhdimisht ka qenë dominante mbështetja e komunitetit rumun dhe vetë shtetit", u shpreh Kryeministri Nano.
Ndërsa Ambasadori shqiptar në Bukuresht, e vlerësoi inaugurimin e pllakës përkujtimore për nder të Ismail Qemalit si një eveniment që do të skalisë rëndësinë historike të punës së atdhetarit të shquar dhe mikpritjen që kryeqyteti rumun i ofroi atij.
Po sot, Kryeministri Fatos Nano vizitoi edhe selinë e Partisë Social-Demokrate të Rumanisë, ku u prit nga kryetari i kësaj partie dhe Kryeministri rumun, Adrian Nastase.
Të dy personalitetet kanë theksuar se do të forcojnë bashkëpunimin mes tyre si dy parti të spektrit të majtë dhe anëtare të Internacionales Socialiste. Z. Nastase theksoi se shkëmbimi i përvojës është prioritet në marrëdhëniet mes dy partive. Ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e një delegacioni të partisë së tij në kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë që do të zhvillohet më 12 dhjetor në Tiranë.
Sot, Kryeministri Fatos do të niset për në Varshavë të Polonisë ku do të marrë pjesë në Samitin e Kryeministrave dhe ministrave të Financave të Europës Qendrore.