Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e biznesit në qarkun e Shkodrës. Në këtë aktivitet Kryeministri Nano shoqërohej edhe nga Ministri i Ekonomisë Arben Malaj,
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e biznesit në qarkun e Shkodrës. Në këtë aktivitet Kryeministri Nano shoqërohej edhe nga Ministri i Ekonomisë Arben Malaj, Zv/Ministria e Financave Adriana Berberi, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Shpëtim Idrizi, Drejtori i KESH Andis Harasani, Prefekti Gjergj Liqejza etj.
Në këtë takim me biznesmenët shkodranë e cili u zhvillua ne forman e nje bashkebisedimi Kryeministri Nano pasi njohu argumentat dhe mendimet e sipermarresve per nxitjen e metejshme te bisnesit ne kete qytet, u shpreh:
"Jemi sot me përfaqësues të organizatave të sipërmarrjes dhe me drejtues të sektorëve të administratës së lartë shtetërore, që ndërtojnë politika dhe realizojnë marrëdhëniet e sipërmarrjes në dobi të një rritje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe efektivisht të flukseve financiare që gjenerohen.
Ne jemi në fazën e përpunimit të paketës fiskale dhe t-ë ushtrimit buxhetor 2004 dhe jemi të vendosur që të marrim vendimet e duhura. Unë jam i bindur se në mendjet dhe në portofolet tuaja sipërmarrëse -që besoj si rregull më shumë mbushen sesa zbrazen- lëvizin shumë ide për t'u kthyer në iniciativa dhe instrumente të një partneriteti të qëndrueshëm me shtetin dhe administratën, të cilët duke mbledhur detyrimet legale fiskale duhet të gjenerojnë edhe stimuj për sipërmarrjen, atë vendase në mënyrë të veçantë, duke konsoliduar tiparet dhe prirjet që forcojnë aftësitë tuaja konkuruese dhe integruese. Konkuruese, meqë jemi në një pjesë të sipërmarrjes dhe të tregut në shkallë kombëtare e natyrisht konkuruese dhe integruese në rajon dhe më gjerë, sepse Shqipëria është në një fazë hapjeje ku barrierat po bien. Kur barrierat bien, barrierat doganore, tregtare, ato administrative, përveç përfitimeve na bëjnë dhe më vulnerabël, më të ekspozuar ndaj sipërmarrjes së të tjerëve, veçanërisht përvojës, fuqisë apo influencës në treg të kompanive të vendeve fqinje, apo të kompanive globale.
Nuk besoj se e gjitha kjo mund të kapërcehet me një të rënë të lapsit. Sot, jemi brenda sistemit të sipërmarrjes së lirë, të ekonomisë së tregut, që në hapje i shton sfidat që duhet të përballojmë edhe në politikat shtetërore edhe në parametrat e sipërmarrjes. Pra, nuk mund të zgjidheshin problemet me një të rënë të lapsit fiskal, domethënë vetëm me një ndryshim akcizash apo nivelesh tatimi.Çështja është shumë më komplekse se kaq dhe do të ishte mirë të rroknim së bashku disa nga problemet që kërkojnë një rafinim më të mirë të raportit midis nesh dhe pastaj të politikave dhe të menaxhimit shtetëror për kushtet në të cilat ju ushtroni bizneset tuaja.
Sikurse po e kuptoni, ne, po marrim përsipër të analizojmë sëbashku problemet që janë ngritur për zgjidhje edhe në këtë takim mes nesh.
Ka ndryshuar shumë ajo situatë dhe ndoshta të gjithë duhet të jemi më të qetë dhe më të kënaqur që tani ka kompani vendase që duan të kuptojnë dhe të shfrytëzojnë më mirë hapësirat që ka legjislacioni shqiptar, Kodi Doganor, Kodi Fiskal. Natyrisht ka edhe konkurencë midis kompanive, por nuk mund të ketë konkurencë të pabarabartë. Pra, në qoftë se kompanitë te huaja që kanë pasë përdorur si tranzit pjesën tuaj të infrastrukturës apo të tregut për të kaluar sipër, tani do te konkurrohen dhe nga ju sepse erdhi koha te fuqizoheni ju. Tani, në qoftë se magazinat apo lehtësirat doganore kanë ngelur në Durrës, nuk ka ndonjë arësye parimore , që këto lehtësi ligjore për sipërmarrjen, ashtu siç është vendosur ajo në pjesë të ndryshme të tregut, të shtrihen edhe pranë këtij kufiri tjetër doganor që është Shkodra.
Dëshiroj të vazhdoj bisedën me ju duke nxjerrë në pah edhe një tipar shumë pozitiv. Sot, në Shkodër, erdha me shumë kënaqësi për të prekur me dorë një nga frytet e një iniciative të re që lidhi sipërmarrjen me Qeverinë. Dëshiroj t'ju falenderoj nëpërmjet Kryetarit të Dhomës së Tregtisë, Z.Bregasi, të gjithë ju dhe sipërmarrësit e tjerë, që ju përgjigjën menjëherë iniciativës vullnetare për të përmirësuar shkollat.
Vizitova dy shkolla të rindërtuara dhe sinqerisht dua t'ju nxis dhe t'ju përgëzoj për këtë dimension qytetar që po merr sipërmarja, e cila po vjen më pranë njerëzve jo vetëm me logjikën e ftohtë të raportit para e hedhur - para e qarkulluar, pra kosto-fitim, por edhe me logjikën humane, me logjikën e një investimi që kthehet më vonë në kohë, por është i sigurtë, sepse rrit cilësinë e përgjithshme të mjedisit qytetar sipërmarrës, duke shtuar njerëzit e kualifikuar, resurset që do të punojnë nesër edhe në sipërmarrje, edhe në administratë dhe përgjithësisht do të jenë faktor zhvillimi.
Kohët e fundit kam zhvilluar mjaft kontakte, të cilat do t'í vazhdoj, me organizatat dhe komunitetin sipërmarrës, sepse më duket se ka ardhur koha të përmirësojmë shumë gjëra, për ta bërë të qëndrueshëm këtë hop cilësor që po merr sipërmarrja vendase, e cila po i zgjeron investimet legale, sepse janë investime që po regjistrohen dhe po shtojnë vendet e punës, po rrisin fitimet e ligjshme dhe po kontribuojnë jo thjesht në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit - jemi kthyer në parametrat normalë të këtyre 5-6 viteve të fundit, pra në një rritje prej 6%- por edhe në rritjen e përgjithshme të cilësisë së jetës ose të mirëqënies së njerëzve.
Natyrisht, unë e di sa ka shumë probleme nga papunësia, nga varfëria, nga mosdalja në treg e të gjithëve, e sipërmarrësve të vegjël ku kam parasysh sidomos fermerët, te të cilët flenë potenciale prodhuese për shkak se tregu është i paqartë. Ndaj nëpërmjet këtyre takimeve, ne, duam të përmirësojmë rregullat e sipërmarrjes, rregullat shtetërore, që ato të bëhen më nxitëse dhe me një kusht fare të logjikshëm – nuk mund të ketë partneritet pa këtë logjikë- që edhe ju të kontribuoni në këto rregulla, duke i vëzhguar ndërhyrjet tona administrative, në mënyrë që të respektohen dhe të zbatohen nga të gjithë. Ndryshe çdo politikë sado nxitëse që të jetë do të përqendrohet në një pjesë të sipërmarrjes, në një pjesë të biznesmenëve, kurse të tjerëve mund tu duket se kanë lehtësi sot dhe bëjnë fitime të shpejta të pakontrolluara, por nesër humbasin cdo gjë.
Qeverisë nuk i lejohet që të emocionohet as nga debatet politike, dhe unë prandaj jam këtu, për tu distancuar publikisht nga të gjithë ata politikanë, që për interesa elektorale – është stina tashmë dhe ka disa politikanë që duan të ketë situata elektorale vazhdimisht- i konsiderojnë biznesmenët apo raportet e Qeverisë me biznesmenët si raporte hajdutësh, trafikantësh, kriminelësh, evazionistësh.
Biznesmenët janë shtresa më e emancipuar e një shoqërie në zhvillim, janë motor zhvillimi dhe ne jemi këtu për të mos e mbytur këtë zhvillim, prandaj ju dëgjojmë me vëmendje dhe nuk nxehemi sepse i pranojmë ato që thoni ju.
Përsa i përket bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare, është e qartë se do ta thellojmë edhe më tej këtë bashkëpunim me ta, sepse semaforët që ndez FMN dhe BE janë shumë të rëndësishëm për kredencialet e shtetit dhe të sipërmarrjes në të gjitha tregjet ku kalojnë, në sytë e të gjithë donatorëve, në sytë e bankave që japin garanci për investime private direkte të huaja, apo për bashkëpunimin tuaj me ortakë të huaj. Kështu që ne jemi për ta konsoliduar këtë bashkëpunim dhe për ta përmirësuar në dobi të iniciativave që krijojnë më shumë stimuj për investim dhe fitim.
Tani nuk mundem të mos bëj disa krahasime dhe këto nuk i kam për qëllime elektorale. Para se të vija në Shkodër për të biseduar me ju morra një informacion të plotë. Shkodra historikisht është dalluar për shpirt iniciative e sipërmarrje dhe në këtë hapje pas komunizmit, dhe periudhës së tranzicionit. Është fakt dhe tregues i prekshëm që sipërmarrja private edhe në Shkodër ka ardhur duke u forcuar e konsoliduar. Ka dhe tregues që e bëjnë të prekshëm këtë realitet.
Në qoftë se, deri në vitin 1996 p.sh më shumë se 60 % e firmave të krijuara, të regjistruara falimentuan ('96 i preu kokën 60% të subjekteve) tashmë ka 5 vjet që numri i firmave që veprojnë këtu në Shkodër është i stabilizuar - nuk më rezultojnë falimentime. Sot janë të regjistruara 2300 subjekte. Ju e dini që këtu ka shumë resurse për tu shfrytëzuar, si dhe shumë iniciativa që gëlojnë në mendjet dhe portofolet tuaja, ndaj ka shumë më tepër nevojë për vëmendje, ndihmë dhe bashkëpunim të Qeverisë me ju.
Ne, pra, jemi këtu për tu vënë në dispozicion të zhvillimit të sipërmarrjes tuaj në përputhje me parametrat e hapjes së tregjeve dhe të integrimit, që ka probleme për shkak të konkurencës në rajon dhe më gjerë.
Ne do të vazhdojmë investimin e madh në infrastrukturë, në konsolidimin e sistemit energjetik, në rritjen e mbrojtjes ligjore, pra të stabilitetit të legjislacionit të standarteve europiane, që është miratuar. Askush nuk thotë që Shqipëria nuk ka legjislacion të standarteve, por ne duhet të forcojmë kapacitetet zbatuese të tij nëpërmjet rritjes së kapaciteteve funksionuese të administratës dhe të institucioneve.
Është ende problematik gjyqësori, jo vetëm për të ndëshkuar kriminelët - (më vjen mirë që këtu dëgjoj që gjendja e sigurisë dhe e rendit publik rezulton e qëndrueshme dhe në përmirësim të vazhdueshëm, )sepse pa sigurinë e jetës dhe të pronës asgjë nuk mund të jetë e sigurt - por për forcimin e gjyqësorit për konfliktet civile administrative, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet kontraktore, financiare, të punësimit etj.
Pra, do të vazhdojmë investimin e madh, të cilin duam ta mbyllim si cikël nga pikëpamja e legjislacionit me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kthimit dhe kompesimit të pronave për të gjithë pronarët, sepse pa legalizuar titullarët e pronës legjitimisht pronar i vjetër, pronar i ri, pronar i trashëguar dhe pronar i krijuar në këto 12 vjet tranzicioni, çdo investim është në hava dhe çdo partneritet i shtetit ligjor me sipërmarrësit është i pambështetur me kolateralin e imobiliarit dhe të tregut të pasurive të patundshme, që pastaj i fut natyrshëm edhe bankat në marrëdhënie me ju.Çdo kredi kërkon hipotekim pasurish të patundshme.
Ne do të vazhdojmë investimin e madh edhe për standartizimin e tregut për të sjellë edhe tek ju infrastrukturën dhe lehtësitë e komunikimit normal, që kanë edhe zona të tjera kufitare. E kam fjalën për vënien në plane dhe në skema normaliteti dhe modernizimi të zonës së Liqenit, të Bunës për t'i kthyer asaj lundrueshmërinë historike, për të riaktivizuar industrinë e çimentos, të telave të duhanit, etj. Këto po i japim edhe me konçesion për riaktivizimin e potencialit prodhues tradicional në kushtet bashkëkohore që ka Shkodra. Do të dëshironim që protagonistë të këtij programi riaktivizues të resurseve, të ndërtimit të infrastrukturës dhe të integrimit kombëtar në rajon dhe më gjerë, të jeni ju, sipërmarrësit shkodranë për zonën tuaj.
Shfrytëzimi i gjithë kësaj situate më të favorshme nga pikëpamja e rendit publik, më të favorshme nga pikëpamja e infrastrukturës, më të favorshme nga pikëpamja e legjislacionit, më të favorshme nga pikëpamja e qëndrueshmërisë së qarkullimit të vlerave, investimit, fitimit, tatimeve, doganave etj., ne kërkojmë nga ju një pjesëmarrje më të madhe.
Jemi këtu për të kërkuar që t'ju japim më shumë hapësirë, më shumë partneritet, sepse çdo program zhvillimi, pavarësisht se kush zgjidhet, nuk mund të zbatohet pa kontributin tuaj të drejtpërdrejtë. Natyrisht ne preferojmë njerëz si vetja, njerëz që nuk kanë frikë nga zhvillimi, njerëz që nuk e kërkojnë zarfin nën dorë, njerëz që për shkak të zhvillimit të përgjithshëm dhe rritjes së përgjithshme të mirëqënies, jetojnë më mirë edhe vetë, jo e kundërta: mjafton të rroj mirë unë vet, pastaj jetokan mirë dhe të tjerët. Pra ne kërkojmë njerëz si vetja në të gjitha nivelet, edhe në qeverisjen vendore, në komuna, bashki e qarqe.
Unë nuk jam këtu për të bërë larje hesapesh politike, por u bë tashmë 12 vjet që ne nuk po gjejmë partnerë të sigurt zhvillimi kudo. Kemi hyrë në vitin e shtatë të qeverisjes. Unë po ju them në bazë të gjithë përvojës qeverisëse të akumuluar nga ekipi ynë - nuk kam qënë vetëm unë kryeministër, nuk kanë qënë vetëm këta ministra, kemi djem të rinj teknokratë, të kualifikuar në perëndim, të cilët po përmirësojnë mjaft gjëra - nuk kemi gjetur interlokutorë, partnerë, njerëz me të njëjtin angazhim për zhvillim këtu në Shkodër. Duam të gjejmë këtë herë ndaj po ju them se ndihem i qetë me prefektin Gjergj Liqejza prandaj e kemi kandiduar.
Unë besoj se ju nuk keni për t'i lënë politikanët, që ju ngatërrojnë të vendosin për fatet tuaja, sepse mijëra punonjës që keni angazhuar apo milionat që keni investuar nuk mund të merren në qafë nga njerëz inkompetentë apo të papërgjegjshëm. Prandaj unë ju ftoj të bëheni pjesë e zgjidhjeve të vogla apo të mëdha, që i interesojnë qytetit të Shkodrës, tregut të kësaj zone, sipërmarrjes shkodrane, banorëve të këtij qarku dhe natyrisht edhe Qeverisë, sepse ne jemi angazhuar për zhvillim të qëndrueshëm kombëtar.
Ne do të vazhdojmë të prodhojmë stimuj dhe programe favorizuese zhvillimi për trevat e Veriut, të cilat do të dorëzohen si instrumenta pune në duart tuaja, në duart e sipërmarrjes private, në mënyrë që me këtë partneritet, me këtë mekanizëm ingranazhezh që kur lubrifikohen ligjërisht punon më mirë i gjithë motori, nëpërmjet investimeve publike tonat dhe private, tuajat, të çelim më shumë vende pune. Nëpërmjet bashkëpunimit me tatimet dhe doganat të regjistrohen të gjithë subjektet, sepse vetëm kështu do të ulet barra fiskale, tarifat. Kur zgjerohet baza bie presioni, është normale dhe kështu do të bëjmë edhe politikë më të mënçur çmimesh duke stimuluar edhe produktet që gjenerojnë më shumë xhiro ekonomike, apo që shkojnë tek më shumë konsumatorë për t'u riprodhuar.
Natyrisht, dhe ofertat e rëndësishme konçesionare ose me tendera të privatizimit të objekteve publike, do të jenë në mënyrë prioritare në dispozicionin tuaj. Mos hezitoni të konkuroni, mos u druani sepse janë reduktuar në minimum dhe do të vazhdojmë t'i godasim mundësitë që të manipulohet me këtë mënyrë apo me ofertat konçesionare për privatizime në dobi të miqve të Qeverisë apo të cilitdo politikan.
Sivjet në mënyrë të veçantë po rishqyrtojmë atë pjesë të legjislacionit fiskal që ka të bëjë në mënyrë të veçantë me nxitjen e mëtejshme të eksporteve. Po analizojmë dy mundësi; ose të përjashtojmë gjithë zinxhirin e eksporteve nga TVSH-ja (ka dy mundësi paralize), ose ta përshpejtojmë rimbursimin e TVSH-së për subjektet që eksportojnë.
Nëpërmjet thjeshtimit të proçedurave fiskale për subjektet që eksportojnë ne duam që të shtojmë mundësitë që një pjesë e punës të kryhet në familje apo në sipërmarrje të vogla dhe të rrisim kështu jo vetëm prodhimin por edhe numrin e të punësuarve. Lehtësitë dhe stimujt për një xhiro më të shpejtë ekonomike do të vijnë të kushtëzuara dhe për shtim produkti dhe sidomos shtim punësimi e rrjedhimisht edhe për shndërrimin e tyre në eksportuese të mirëfillta të produkteve shqiptare në tregjet rajonale dhe europiane.
Kjo është mënyra dhe mundësia, që të shpjegojmë jo vetëm se nga Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë ka shumë avantazhe, por bashkë me ju ta strukturojë këtë avantazh, sepse disa instrumentave veçanërisht nga Ekzekutivi duhet tu sigurohet qarkullimi i të gjithë informacionit dhe pastaj të nxitet arritja e marrëveshjeve, pasi informohemi se në cilat tregje, për cilat kuota duhet të synojmë të orientojmë prodhimin, investimin privat vendas, që të shfrytëzohen tregjet që hapen për eksport, ose t'ju bëjë me dije cilat janë dobësitë e konkurentëve në tregun maqedonas, malazes, kroat apo bullgar, që mund t'i kuroni ju me investim prioritar që rrit aftësinë tuaj konkurruese.
Nuk mund të bëhet e gjithë kjo bisedë duke iu shmangur çështjes furnizim me energji elektrike. Nuk mjafton që ju individualisht apo nominalisht si subjekte e paguani energjinë që shpenzoni, sepse krahas shpjegimit se ç'është sistemi prodhim-konsumator, ju nuk do të na linit vetëm në propagandën dhe trysninë instrumentale apo financiare (instrumentale është baraz me prerje dritash kur nuk paguan, financiare edhe këtu meqënëse prirja është për të sjellë çmimin e energjisë me standartet e tregut të hapur, rënia e trysnisë që ka energjia në kostot e prodhimit apo të shërbimit tuaj për shkak të shtrirjes së bazës që të paguajnë të gjithë). Pra mos na lini vetëm në propagandën dhe presionin e detyrimit të të gjithë konsumatorëve për të paguar, qofshin edhe familjarë.
Meqënëse ju paguani, nuk besoj se familjarët tuaj nuk paguajnë, por e kam fjalën për familjen e madhe, sepse Shkodrës i mungojnë ende rreth 20 milionë dollarë investime në vit për sistemin energjitik. Por për këtë duhet të paguhet energjia dhe ne detyrohemi të subvencionojmë KESH-in për energjinë që nuk paguhet. Është kaq e thjeshtë dhe kaq absurde. Përmirësimi i situatës së pagesës së energjisë elektrike në 12 muajt e fundit, na ka dhënë mundësitë që në Shkodër sivjet të shtojmë dhe përshpejtojmë kryerjen e investimeve serioze në sistemin elektrik. Do të veçoja sidomos ndërhyrjet e ndjeshme në sistemin e shpërndarjes. Drejtuesit e KESH-it po shohin mundësinë dhe bëshmërinë ekonomike, si të furnizohen me prioritet dhe në mënyrë të pandërprerë subjektet prodhuese dhe veçanërisht ato eksportuese.
Të dashur miq,
Të nderuar sipërmarrës,
Unë jam këtu për t'ju garantuar se Qeveria mbetet thellësisht e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me ju dhe për t'ju ardhur në ndihmë dhe natyrisht që ju nuk keni nevojë për asistencë. Ne do të vazhdojmë të identifikojmë të gjitha kërkesat që ju shtroni dhe ky qarkullim informacioni dhe shkëmbim mendimesh do ta përshpejtojë zgjidhjen e problemeve apo të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme. Pra më lejoni t'ju angazhohem se të gjitha sugjerimet tuaja do të jenë pjesë e tavolinave të punës së Qeverisë.
Dua ta mbyll duke ju kërkuar të bashkëpunojmë për një hap shumë të madh që do të bëjmë sivjet. U miratuan nga Kuvendi i Shqipërisë të gjitha aktet ligjore që i japin Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve autoritetin ekzekutiv për të mbledhur kontributet e sigurimeve shoqërore. Në administratën tatimore është parashikuar që të shtohen edhe rreth 200 punonjës tatimesh, që në 1 tetor të jenë më të përgatitur, në mënyrë që të fillojmë këtë operación, që në kohën e byrosë politike quheshin revolucione. Ky është një revolucion tjetër. A e dini pse?
Ne sot kemi një barrë fiskale prej 17.8% - 18% si vend. Pavarësisht nga disa njerëz që shëtisin andej këtej dhe tregojnë përralla, mua nuk më lejohet se jam kryetar i Qeverisë që të gënjehem nga përralla të tilla si do të përgjysmojmë taksat, sepse i paskemi më të lartat në botë. Maqedonia p.sh. e ka barrën fiskale 30% dhe një nga arsyet që Maqedonia e ka nënshkruar para nesh, Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me BE është një stabilitet i Fiskut gjithashtu.
Për TVSH-në jemi në nivel të të tjerëve. 7.8 % e GDP-së janë të ardhura nga TVSH-ja. Për kontributet e sigurimeve shoqërore jemi 0.3% kur të tjerët janë 8-9% e GDP-së. (Mos bëjme sikur nuk e kuptojme se çfarë po them sepse ju e dini se ku është hileja.) Këtu normalisht paguajnë sigurimet shoqërore njëqind e ca mijë buxhetorë sepse iu mbahet në bordero.Çfarë do të ndodhi tani që do t'i mbledhin tatimet? Do të vijë drejtori i Tatimeve i Shkodrës për vizitë fiskale në ndërmarrjet tuaja dhe do të numërohen punonjësit, do të kontrollohen borderotë, rrogat, kontributet, sepse jemi të rinj tani por do të vijë dikur pleqëria që do pension dhe sigurim të jetës, të konsumit, mirëqënies edhe në moshën jo aktive, por derisa të vijë ajo ka edhe sëmundje, edhe aksidente etj. Pra po flas për sigurimin shoqëror të detyrueshëm.
Sepse disa,-( nuk e di konkretisht këtu)- për sipërmarrësit dhe familjet e veta bëjnë edhe sigurim suplementar privat duke e zgjidhur problemin, por nuk mund të mbahet një shtet në këmbë, cilidoqoftë në pushtet, në qoftë se shumica e popullsisë në moshë aktive nuk është e siguruar. Po flas për sigurimin e detyrueshëm që i përfshin të gjithë. Por që të lëvizësh nga 0.3% në 8-9% ju e kuptoni se çfarë revolucioni do të ndodhë në bilancet tuaja. Ju e kuptoni se çfarë efekti transformues dhe shumë pozitiv do të ndodhë në të gjithë ekonominë tonë. Një pjesë shumë e madhe e informalitetit në ekonomi vjen nga mosrregjistrimi i të punësuarve. Jeni gati ta ndërmarrim këtë hap?
Ne nuk na lejohet të mos ta ndërmarrim sepse ne jemi ekzekutiv. Parlamenti dhe opozita votoi pro dhe ka nxjerrë detyrimet ligjore. Ne jemi të detyruar të zbatojmë. Duam ta bëjmë në bashkëpunim me ju. në mënyrë shumë miqësore, edhe për ju edhe për të stabilizuar tregun e punës dhe nëse do të arrihet të normalizohet situata e rregjistrimit dhe e sigurimit të të punësuarve, barra fiskale do të bjerë absolutisht në mënyrë automatike. Ju garantoj që ajo do të jetë 10-15% që në fazën e parë, sepse edhe ekonomia do të kuptojë, edhe buxheti do të kuptojë sesa është kapaciteti fiskal i sipërmarrjes publike dhe private në mbështetje të investimit publik që nga prioritetet arsim, shëndetësi deri në infrastrukturë. Minimalisht e gjitha kjo do të shkojë në dobi të përshpejtimit të përmirësimit të infrastrukturave dhe të shërbimeve kryesore publike.