Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në çeljen e sesionit të 67-të Panairit Fiera Del Levante, në Bari të Italisë. Në ceremoninë e çeljes së këtij panari ishin të pranishëm Kryeminis
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në çeljen e sesionit të 67-të Panairit Fiera Del Levante, në Bari të Italisë. Në ceremoninë e çeljes së këtij panari ishin të pranishëm Kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe autoritete të tjerë të Rajonit të Puglias. Ceremoninë e hapi Presidenti i Rajonit të Puglias, Rafaele Fitto, i cili në fjalën e tij i kërkoi Kryeministrit Berluskoni vëmendje maksimale për Korridorin 8, si projekt që do të çojë në zhvillimin e jugut të Italisë dhe vendeve të rajonit.
Kryeministri Berluskoni, në fjalën e tij, u përgjigj se, "Italia e ka Korridorin 8 nje impenjim strategjik". Ai tha se, marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësia personale që ka me drejtues të qeverivë në rajon, do të ndihmojë në përshpejtimin e realizimin të projektit paneuropian. Ai u kërkoi biznesmenëve italianë të pranishëm në këtë ceremoni të shohin me dashamirësi investimet në vendin fqinj, në funksion të realizimit sa më të shpejtë të projektit të Korridorit 8.
Më pas, Kryeministri Berluskoni dhe Kryeministri Nano morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe rajonit të Puglias, "Për nxitjen e marrëdhënieve me organizmat komunitare, me universitetet dhe institutet e kërkimit, me përfaqësues të sektorit prodhues dhe me institucionet që veprojnë në fushën e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe edukativ, si dhe në marrëdhëniet mes përfaqesuesve të sistemit social-shëndetësor pugliez dhe atij shqiptar". Për këtë qëllim, të dyja palët do të ngrënë një komitet të përbashkët duke synuar përcaktimin e temave me interes të përbashkët dhe të veprimeve që duhen ndërmarrë në këtë drejtim. Kjo marrëveshje u nënshkrua për Rajonin e Puglias nga Presidenti i Rajonit, Raffaelo Fitto dhe për palën shqiptare nga Ministri i Ekonomisë, Arben Malaj.
Kryeministri Berluskoni duke përshëndetur këtë marrëveshje, rikonfirmoi dërshirën "për të pasur me Shqipërinë një raport gjithnjë e më të ngushtë". Ai theksoi se, qeveria italiane është duke ndjekur politika që i çojnë të dy vendet në një bashkëpunim më intensiv në fusha të ndryshme të zhvillimit.
Më pas, dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim në pavionin e rezervuar për Shqipërinë. Gjatë këtij takimi, të dy kryeministrat rikonfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes tyre. Të dy autoritetet janë ndalur në cështjet e riaktivizimit të angazhimeve për të dinamizuar procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri italian e ka siguruar Kryeministrin Nano se, Italia do të vazhdojë të jetë edhe me fort "avokat i Shqipërisë" në procesin e integrimit drejt Europës.
Gjithashtu, në këtë takim, të dy Kryeministrat kanë biseduar rreth procesit të privatizimit në Shqipëri dhe hapave konkretë për pjesëmarrjen e investitoreve italianë në privatizimin e sektorëve strategjikë.
Po ashtu një çështje tjetër e trajtuar në këtë takim ka qënë edhe projekti i Korridorit 8. Kryeministrat Nano dhe Berluskoni kanë ndarë të njëjtin mendim se, ky është një projekt strategjik dhe që kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjitha vendeve të përfshira nga ky projekt.
Pas këtij takimi, Kryeministri Nano duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve është shprehur se, "Korridorin 8 ne e gjetëm si të mirënjohur dhe të pranuar për partneritet nga autoritetet italiane, jo vetëm në Puglia, por edhe si Presidencë e Bashkimit Europian. Ky Korridor do të bëhet në të ardhmen e afërt një realitet. Korridori 8 nuk është vetëm një rrugë a hekurudhë që ka filluar në pjesën shqiptare të territorit, por ai shumë shpejt, brenda muajve të parë të vitit të ardhshëm, do të arrijë në Qafë Thanë, me financime të bashkëpunimit italian, krahas modernizimit të hekurudhës Durrës-Pogradec. Ai nuk është thjesht një korridor telekomunikacioni, apo lëvizjesh të njerëzve, por është një korridor i zhvilimit. Është një korridor politik dhe korridor i integrimit. Jam i bindur dhe shpreh bindjen time të plotë se, me këtë vullnet europian që po manifestojnë të gjitha vendet e Ballkanit që përshkon Korridori 8, ai do të realizohet. Korridori 8 do të jetë një realitet. Ai nuk është thjeshtë një mundësi apo propabilitet, por është një fakt që impenjon një vullnet politik që ekziston në të gjitha vendet të cilave u intereson Korridori 8".
Kryeministri Nano, duke iu përgjigjur interesimit të gazetareve lidhur me ecurinë e Korridorit 8, theksoi se nga bisedimet me kryeministrin italian dhe autoritetet e tjera gjeti partneritet dhe mbështetje për realizimin e këtij korridori.
Më pas, të dy Kryeministrat kanë vizituar së bashku, stendat e ndryshme të ekspozuara në Panairin e Fiera del Levante-s.