E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano vizitoi qytetin e Shkodrës në ditën e parë të fillimit të vitit të ri arsimor. Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Luan Memu

Kryeministri Fatos Nano vizitoi qytetin e Shkodrës në ditën e parë të fillimit të vitit të ri arsimor. Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Luan Memushi, ai i Ekonomisë Arben Malaj dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi.

Vizitën e parë Kryeministri Nano e zhvilloi në shkollën e mesme të përgjithshme "Jordan Misja", e cila është rinkonstruktuar mbi baza vullnetare nga kompania "Birra Tirana". Kjo kompani ka kryer rikonstruksionin e palestrës, instalimet elektrike dhe hidraulike, izolimin e taracës dhe lyerjen e godinës.

Në kuadrin e inisiativës "Biznesi dhe shkollat e Veriut të Shqipërisë ", 100 biznese kanë marrë në patronazh rehabilitimin e 100 shkollave në zonat veriore dhe verilindore të vendit, të cilat po kthehen në qendra të rëndësishe të edukimit, duke krijuar kushte bashkohore për zhvillimin e procesit mësimor. Në rrethin e Shkodrës janë marrë nën kujdesin e biznesit 25 shkolla të mesme dhe tete vjeçare, të cilët do të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre edhe pas përfundimit të rikonstruksionit të tyre. Tashmë ka përfunduar rikonstruksioni në 5 shkolla.

Në fjalën e tij, Kryeministri Nano tha se, zgjodhi jo rastësisht Shkodrën për të uruar ditën e parë të skhollës. "Shkodra ka qenë dhe mbetet një qendër e rëndësishme e arsimit, dijes dhe kulturës për Shqipërinë dhe madje edhe për rajonin, por edhe për faktin se në shkollën tuaj ne shohim të materializuar nismën "Biznesi dhe shkollat e Veriut të Shqipërisë", tha Kryeministri. Më tej, Kryeministri Nano shtoi se shfaqja e këtyre lloj inisiativave është dëshmi e realitetit të ri në të cilin jetojmë. "Vullnetarizmi i dëshmuar nga ana pronarëve të kompanive në fjalë dhe dhjetra të tjerave që po punojnë në shkolla të tjera, është dëshmi se një erë e re bashkëpunimi dhe një dimension i ri po riaktivizohet më shoqërinë tonë, një tipar perëndimor dhe euripian: ai i vullnetarizmit dhe solidaritetit", tha Kryeministri Nano.

Ndërsa, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi nënvizoi se, lidhja e biznesit me shkollën vlen më shumë sesa paratë që do të japin biznesmenët për të blerë banka, xhama, laboratore, apo për t'i ristrukturuar ato. "Kjo inisiativë, - tha z.Bregasi, - nderon vizionin e komunitetit të ri të biznesit shqiptar për rëndësinë që ka shkolla në përparimin e një vendi. Shkollat janë realisht djepi ku përkundet e ardhmja".

Më pas, Kryeministri Nano mori pjesë në hapjen e vitit mësimor në shkollën tetë vjecare "Branko Kadia". Nën atmosferën entuziaste të fëmijëve dhe pasi është përshëndetur me ta e stafin pedagogjik, Kryeministri shpërndau 120 abetaret e para me autografin e tij për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Për herë të parë këtë vit, sipas një një vendimi të qeverisë shqiptare tekstet shkollore për nxënësit e arsimit të detyrueshëm janë falas.

Gjithashtu Kryeministri Nano mori pjesë edhe në fillimin e vitit arsimor në shkollën e mesme të përgjithshme "Oso Kuka", e sapo rikonstruktuar nën patronazhin e kompanisë së bojrave "Astir". Me një investim prej 4 milion lekë është kryer suvatimi, rehabilitimi i sistemit hidraulik dhe elektrik, izolimi i taracës, rregullimi i mjediseve përrreth dhe rrethimi i territorit të shkollës, si dhe lyerje e saj, ku e veçanta është se janë përdorur 14 ngjyra të ofruara nga kompania e njohur e bojrave.

Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Fatos Nano, në një takim të gjërë në qytetin e Burrelit, më 14 korrik u lançua nisma "Biznesi dhe shkollat e Veriut të Shqipërisë". Sipas kësaj nisme, do të përfitojnë rreth 100 shkolla. Prej tyre 35 shkolla do të rikonstruktohen plotësisht dhe 25 të tjera do të kenë një rikontruksionon të thellë. Në këtë nismë janë përfshirë 83 kompani të mëdha private, 14 banka dhe 13 kompani shtetërore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›