E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një vizitë pune në Kompleksin industrialo-ushqimor në zonën e Kombinatit. Kryeministri Nano ka ndjekur nga afër investimet prej më shumë se 20 milionë

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një vizitë pune në Kompleksin industrialo-ushqimor në zonën e Kombinatit. Kryeministri Nano ka ndjekur nga afër investimet prej më shumë se 20 milionë dollarë, të bëra gjatë dy viteve të fundit në industrinë e lehtë ushqimore, e cila është një degë e re e industrisë shqiptare që po merr zhvillim gjithnjë e më të madh.

Teknologjia e përdorur në këto fabrika të përpunimit të lëndëve ushqimore është moderne dhe e standarteve bashkëkohore. Ndërkohë që numri i të punësuarëve në këto fabrika arrin në më shumë se 700 punonjës.

Kryeministri Nano ka vizituar fillimisht Fabrikën "Miell Tirana", vlera e investimit të së cilës kap shifrën 4.5 milionë USD. Kjo fabrikë merret me importin e grurit dhe prodhimin e miellit. Në të janë punësuar 80 punëtorë. Kjo fabrikë ka një xhiro vjetore rreth 10 milionë USD.

Më pas, Kryeministri Nano ka vizituar ALCRED – FOUD PROCESING – CO, e cila është një fabrikë që merret me frutat dhe perimet e ngrira të cilat hidhen në treg të konservuara. Vlera e investimit në këtë fabrikë kap shifrën 1 milion USD. Ajo eksporton perime te ngrira në Gjermani, Francë, Belgjikë, Greqi. Në këtë fabrikë janë punësuar 200 persona, të cilat punojnë në dy turne dhe u paguhen sigurimet shoqërore.

Kryeministri Nano është ndalur edhe në Kombinatin e Mishit Yzberisht, vlera e investimit e të cilit kap shifrën prej rreth 1.5 milionë USD. Ky kombinat zotëron sot 10% të tregut të brendshëm të mishit dhe të sallamit. Ai ka një xhiro vjetore prej 3.5 milionë dollarë. Në këtë kombinat janë të punësuar rreth 150 punëtorë të siguruar dhe renditet ndër subjektet tatimpagues të rregullt.

Më tej, Kryeministri ka vizituar nga afër ambjentet e Fabrikës HIT, që merret me prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve. Vlera e investimit në këtë fabrikë është 4.5 milionë euro. Ajo është e pajisur me një teknologji moderne dhe ka të punësuar 70 punëtorë si dhe 230 përfaqësi për shpërndarjen dhe marketingun. Fabrika ka një xhiro vjetore prej 6 milionë euro. Kjo fabrikë eksporton 80% të prodhimit të saj në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Kryeministri Nano ka vizituar edhe fabrikën "Birra Tirana" ku ka përuruar edhe linjën e re të mbushjes së birrës. Kjo fabrikë në total ka një vlerë investimi prej 8 milionë USD. Kjo është një fabrikë e re për prodhimin dhe ambalazhimin e birrës së hapur. Në të janë të punësuar 180 punëtorë dhe inxhinierë. Birra "Tirana" zotëron rreth 30% të tregut të konsumit të birrës në Shqipëri. Ajo eksporton prodhimin e saj në SHBA dhe së shpejti do të shtrihet edhe në Kosovë dhe në Angli. Kjo fabrikë paguan në sistemin fiskal 3.5-4 milionë USD në vit.

Në fund të vizitës së tij në këto fabrika të industrisë së re ushqimore që po zhvillohet me shpejtësi këto vitet e fundit kryeministri Nano u shpreh:

"Nuk erdha rastësisht këtu. Unë erdha të prek nga afër produktet e sipërmarrjes serioze dhe të ligjshme vendase, në një zonë të kryeqytetit, e cila ka ngritur biznese prej dhjetëra milionë dollarësh, punëson disa mijëra punëtorë, jep produkte ushqimore nga përpunimi i perimeve deri tek ai i lëngjeve, miellit dhe produkteve të mishit.

Besoj se këtu nuk ka nevojë të themi se ku jemi. Është Birra e famshme Tirana të cilës unë nuk mund t'i bëj më shumë publicitet sesa ajo i bën vetes me produkte të cilat kontrollojnë ose janë të pranishme nga 10 deri në 60 përqind të tregut të brendshëm. Disa prej tyre pjesën dërrmuese të prodhimit deri në 80 – 90 % e eksportojnë gjithashtu.

Kjo është një sintezë e zhvillimit të sipërmarrjes shqiptare që Qeveria duhet të vazhdojë ta ketë në vëmendje për të përballuar gjithashtu në partneritet me komunitetin sipërmarrës, disa nga problemet e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare, të konsolidimit të kapaciteteve të konkurrimit të sipërmarrjes shqiptare dhe të vjeljes së efekteve pozitive nga hapja dhe integrimi ynë ekonomik në tregjet rajonale dhe më shumë sesa kaq, në ato të Europës.

Ne duhet të vazhdojmë ta kemi një partner të rëndësishëm sipërmarrjen, që si kjo paguan disa dhjetëra milionë dollarë në vit taksa dhe tatime në buxhet. Jam këtu për t'i përshëndetur, për t'i përgëzuar dhe për t'i garantuar që do të vazhdojmë të stimulojmë dhe të krijojmë hapësira të reja për të shtuar punësimin, nivelin e shërbimeve dhe të produkteve, që ofrojnë këto kompani për tregun e brendshëm dhe për eksport. Do të vazhdojmë të zëvendësojmë importet, do të vazhdojmë të stimulojmë bashkëpunimin më të fuqishëm midis tyre dhe bankave,- me shumë prej tyre bankat janë partnere dhe financuese- dhe në mënyrë të vecantë dua të përgëzoj edhe të punësuarit në këto ndërmarrje që sipas një sondazhi të vogël më thanë se janë shumë të lumtur dhe e shikojnë jetën me një sy shumë optimist për shkak të këtyre sipërmarrjeve që Qeveria i mbështet dhe i stimulon për më shumë zhvillim"..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›