E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në Vlorë me përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit me rastin e promovimit të vendimit te marre nga Qeveria në muajin mars të këtij viti,

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në Vlorë me përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit me rastin e promovimit të vendimit te marre nga Qeveria në muajin mars të këtij viti, për heqjen e akcizës së naftës për sektorin e peshkimit.

Fillimisht, Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit në Portin e ri të Vlorës. Ishin të pranishem dhe shumë peshkatarë të cilët ishin mbledhur për ta takuar e falenderuar Kryeministrin për vendimin e Qeverisë në ndihmë të tyre. Në vazhdim Kryeministri ka udhëtuar me një nga peshkarexhat, i shoqëruar edhe nga disa të tjera, duke kryer një udhëtim demostrativ.

Me pas, Kryeministri Nano ka zhvilluar nje takim me përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit në Hotel "International" në qytetin e Vlorës. Në këtë takim, Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Agron Duka, Ministri i Ekonomisë Arben Malaj, deputetë të zonës dhe drejtues të pushtetit lokal. Merrte pjesë edhe Përfaqësuesi rezident i Bankës Botërore në Tiranë Eugen Skantie.

Kryeministri Nano, në fjalën e tij të mbajtur në këtë takim, siguroi se Qeveria shqiptare do të vazhdojë të financojë dhe të mbështesë sektorin e peshkimit, si një nga sektorët e rëndësishëm për buxhetin e shtetit dhe për zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

"Vendimi i Qeverisë për të kompensuar çmimin e karburantit përmes heqjes së akcizave do të mundësojë që peshkatarët të kursejnë, tani e tutje, 50% të çmimit të karburantit", tha Kryeministri Nano, duke shtuar se kjo masë i ka kushtuar buxhetit të shtetit 3.02 milion dollarë. Ndërsa numri i subjekteve që do të përfitojnë nga heqja e akcizës së naftës wshtë 215.

Gjithashtu, z. Nano tha se heqja e akcizës së karburantit do të jetë në një hap me përmirësimin e kuadrit ligjor, të politikave stimuluese dhe të masave nxitëse prioritare që sigurojnë prodhim të qëndrueshëm dhe shfrytëzim racional të burimeve natyrore.

"Ne do të vazhdojmë të financojmë, të mbështesim dhe të kërkojmë projekte të përbashkëta për përmirësimin e teknologjisë dhe për modernizimin e flotës së peshkimit", tha kryeministri.

Vendin kryesor në ekonominë e peshkimit në Shqipëri e zë peshkimi detar që ushtrohet përgjatë 430 kilometrave të bregdetit. Aktualisht në këtë sektor janë punësuar mbi 6 mijë veta.

Në këtë kuadër, Kryeministri Nano nënvizoi se duke nxitur investimet në këtë sektor, gjithashtu do të rritet punësimi dhe do të ulet varfëria që është një nga prioritetet e qeverisë.

Më tej, Kryeministri bëri të ditur se në bashkëpunim me Bankën Botërore Qeveria shqiptare do të vazhdojë të investojë për këtë sektor 12 milion dollarë në infrastrukturën e porteve dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Banka Botërore dhe donatorët e kanë cilësuar sektorin e peshkimit sektor prioritar të rritjes dhe zhvillimit ekonomik në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një nga këto masa është dhe zbatimi i projektit për zhvillimin e peshkimit përmes një kredie të Bankës Botërore me vlerë prej 6 milion dollarë. Për të rritur efikasitetin e projekteve dhe të investimeve në këtë sektor, Kryeministri Nano kërkoi nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit forcimin e bashkëpunimit me Bankën Botërore.

Për këtë arsye, u shpreh Kryeministri Nano, Qeveria ka mbështetur krijimin e organizatave të menaxhimit të peshkimit, duke i shtuar ato në të 4 portet e vendit, atë të Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit.
Ndërsa për rehabilitimin e porteve të peshkimit Qeveria Shqiptare do të investojë 3 milion dollarë, që janë në proces realizimi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›