E Diel, 1 Nëntor 2026

(Fjala e plotë e Kryeministrit në këtë aktivitet) Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në fillimin e projektit për fuqizimin e nënstacionit elektrik "Tirana 1", në kuadër të projek

(Fjala e plotë e Kryeministrit në këtë aktivitet)

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në fillimin e projektit për fuqizimin e nënstacionit elektrik "Tirana 1", në kuadër të projektit të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare për fuqizimin e 7 nënstacioneve elektrikë 110/20 kV, ndër më kryesorët në sistemin elektroenergjitik shqiptar. Projekti përfshin nënstacionet: "Tirana 1", "Selitë", "Kombinati i Autotraktorëve", "Shkodra 2", "Shkozet", "Kavajë" dhe "Fibër-Elbasan".

Në këtë ceremoni Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Energjitkës dhe Industrisë, Viktor Doda dhe Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani.

Fuqizimi i 7 nënstacioneve që përfshihen në projektin që filloi sot është mundësuar nga një investim prej 12.5 milionë eurosh të Qeverisë Japoneze. Punimet do të kryhen nga kompania austriake e mirënjohur tashmë, "VATECH", e cila u përzgjodh nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar.

Gjatë kësaj ceremonie Kryeministri Fatos Nano u shpreh se:

"Zoti Ministër!
Të nderuar drejtues të KESH!
Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Siç e shihni ne po afrojmë investimet dhe infrastrukturat e sistemit pranë komunitetit. Ky, në qoftë se do të më lejoni ta quaj, mësim tregues, i shërben në mënyrë funksionale këtij synimi. Falenderoj edhe praninë e media këtu, për ta bërë më familjar qytetarin, opinionin publik, komunitetet, veçanërisht këtu në kryeqytet, me reformën e sistemit energjitik, me programet e veprimeve dhe investimet mbështetëse që do të sjellin në të ardhmen e afërt kapërcimin e problemit apo të krizës energjitike në Shqipëri përfundimisht.

Sigurisht ne me këtë synojmë bashkëveprimin, bashkëpunimin e qytetarëve dhe të faktorëve të tjerë jashtë sistemit energjitik në këtë funksion, për suksesin e kësaj reforme, për të përdorur me racionalitet për një periudhë që përbën të ardhmen tonë të përbashkët, resurset energjitike, investimet në energji, si dhe këtë sistem që është një nga asetet më të çmuara që ka vendi.

Ne, pra, sot anonçojmë një fazë shumë të rëndësishme, të re, të investimeve dhe transformimeve në sistemin energjitik. Ndërhyrjet përfshijnë tre komponentë: gjenerimin e energjisë, transmetimin dhe shpërndarjen. E gjithë ndërhyrja kap vlerën totale prej 340 milionë dollarësh, natyrisht në shkallë kombëtare. Investimi do të shtrihet për vitet 2003-2004 dhe është më i madhi që është kryer në sistemin energjitik shqiptar gjatë 15 viteve të fundit dhe kjo në vlerësimin racional dhe zyrtar të Qeverisë dhe të drejtuesve të KESH, përbën fazën e fundit që zgjidh përfundimisht problemin apo krizën energjitike në Shqipëri.

Në 7 tetor të këtij viti, mbas pak ditësh pra, do të nisin prçedurat ligjore për ndërtimin e termocentralit të Vlorës, duke i dhënë kështu sistemit tonë energjitik, jo vetëm një burim të ri shumë të rëndësishëm, por edhe një balancë të re midis burimeve hidro dhe termoenergjitike.

Ne vazhdojmë të përjetojmë periudha rekord thatësire, rekorde madje të 100 vjetëve të fundit. Edhe kjo e këtij viti tenton të thyejë rekorde thatësire në shekullin që jetojmë. Por me përfundimin e termocentralit të Vlorës dhe rehabilitimit të TEC-it të Fierit, periudha si këto, pra karakteri kritik i burimeve hidro për furnizimin me energji të gjithë konsumatoëve në vend, do të bëhet edhe më pak i ndjeshëm në bilancin e përgjithshëm të prodhimit dhe konsumit të energjisë në shkallë kombëtare.

Pra transformimet që kemi nisur të kryejmë dhe që po shfaqim për këtë fazë përmbyllëse të kapërcimit të situatës kritike të energjisë në vend, po bëhen krahas veprimeve, marrëveshjeve dhe investimeve të rëndësishme që integrojnë përfundimisht sistemin tonë energjitik në tregun e energjisë së rajonit dhe të Europës, duke bërë të mundur që brenda vitit 2005, të zgjidhet përfundimisht çështja e balancimit të nevojave për konsum energjie në Shqipëri me burimet vendase apo me ato që importohen për shkak të ndërveprimit me sistemet rajonale dhe europiane.

Po shfrytëzoj këtë rast për të nënvizuar se për herë të parë në 12 vjet, megjithëse jemi në fushatë elektorale, korenti nuk është përdorur si mall elektoral, por vazhdon të vlerësohet dhe apeli im sot është në këtë funksion për ta vlerësuar edhe më tej si një pasuri kombëtare në dobi të të gjithëve, pra të zhvillimit të vendit dhe të integrimit të komuniteteve shqiptare në Botën moderne. Pra është i rëndësishëm mosabuzimi me energjinë elektrike, jo vetëm për çështje elektorale, por në funksion të menaxhimit të kujdeshëm dhe të përditshëm të resurseve dhe të infrastrukturavetë sistemit energjitik, që sigurojnë furnizimin dhe pra mbulimin e konsumit me energji, për të evituar manorva apo edhe politika elektorale që janë bërë pak apo shumë vite më parë gjatë dekadës së tranzicionit me energjinë apo me karriera politike që kanë mbaruar.

Sfida tjetër që KESH po përballon dhe që është futur në rrugën e zgjidhjes përfundimtare është kthimi i humbjeve në rrjet në elementë teknikisht të papërfillshëm, pra normal për funksionimin e vet sistemit. Në rrjetin e transmetimit të tensionit të ulët, deri më sot që nga viti 1970, nuk është bërë asnjë ndërhyrje e vërtetë dhe me efekte. Pra që nga ajo kohë ku rrjeti është ngritur, kur përfundoi elektrifikimi i njohur i Shqipërisë, mosndërhyrja në rrjet nisi të amplifikohet si një nga faktorët kryesorë të humbjeve dhe të performancës së ulët të sistemit elektroenergjitik shqiptar.

Në dhjetor të këtij viti, KESH me fondet e veta do të fillojë në Tiranë zbatimin e një projekti pilot me vlerë 1 600 000 euro, që i hap rrugë një investimi dyvjeçar në të gjithë Shqipërinë, për një investim tërësor prej 150 milionë eurosh. Vetëm nga përfundimi i rikonstruksionit të rrjetit pra, parashikohet që humbjet të jenë 10% më të ulëta sesa sot. Në të njëjtin funksion për uljen e humbjeve, qysh nga janari i vitit 2003 deri në mars të vitit 2004, po vazhdojnë të instalohen 220 matësa individual të konsumit të energjisë elektrike dhe me këtë vendosje plotësohet deri në mars 2004 me matësa të korentit 100% e konsumatorëve vendas. Ky është një detyrim institucional dhe buxhetor i KESH dhe plotësimi i tij, tashmë i garantuar deri në mars, jo vetëm do të eleminojë çmimin afrofe që aplikohet sot, kudo ku nuk ka matësa, por kjo do të ndikojë në ekonomizimin dhe racionalizimin e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë apo biznesi, pra industria, shërbimet etj. Nga ana tjetër, vendosja e matësave për të gjithë konsumatorët do të mundësojë që të mos ketë më ndëshkime kolektive përmes afrofesë, për shkak të mospagesës së energjisë elektrike, me prerjet të cilat i vuajnë jo vetëm ata që nuk paguajnë, pra që secili përdorues apo abuzues i energjisë të përgjigjet individualisht. Ky është një hap tjetër përpara edhe për të forcuar shtetin e së drejtës në menaxhimin publik të pasurive të rëndësishme kombëtare siç është energjia.

Megjithë vështirësitë që ka trashëguar, apo që krijojnë periudhat e thatësirës anormale, KESH ka arritur dhe garantuar një përmirësim të dukshëm të parametrave ekonomikë të funksionimit të saj. Fitimi në rritje i Koorporatës prej 3.2 miliardë lekësh për gjatëmujorin e parë të këtij viti, ende nuk mund të shndërrohet në më shumë energji për konsumatorët për shkak të mungesës së infrastrukturës rajonale, pra të interkonjuksionit dhe të asaj kombëtare të transmetim shpërndarjes. Prandaj investimi edhe i fitimeve të KESH, krahas granteve dhe kredive të partnerëve ndërkombëtarë në këto dy fusha mbetet prioritet edhe për dy vitet e ardhshëm për të garantuar në mënyrë të sigurtë zgjidhjen përfundimtare të problemit të energjisë në vend.

Këto investime dhe ndërhyrje të tjera në nivel kombëtar, apo drejt çdo konsumatori, mbështeten edhe nga përmirësimi i shpërndarjes së energjisë për çdo bashki dhe komunë. Janë blerë dhe deri në fund të vitit 2004 do të instalohen në të gjithë Shqipërinë 760 kabina elektrike zonale, duke përmirësuar ndjeshëm në këtë mënyrë cilësinë e rrymës që i mbërrin konsumatorëve sipas parametrave teknikë që respektohen dhe garantojnë stabilitetin e sistemeve edhe në vendet e BE-së.

Investimet në rrjetin dhe infrastrukturën e energjisë në shkallë vendi, krahas përmirësimit rrënjësor të menaxhimit financiar të Koorporatës, ka krijuar tashmë të gjitha kushtet që investitorët e huaj të shfaqin interesin e tyre për të ndërtuar vepra të reja që prodhojnë apo konsolidojnë sistemin energjitik në Shqipëri, prodhojnë energji dhe e shpërndajnë veçanërisht me burime të përtëritshme, siç është hidroja apo uji. Burimet e përtëritshme të energjisë kanë një vend të sigurt edhe në strategjinë e Qeverisë për një zhvillim të qëndrueshëm kombëtar si dhe në proçesin e përafrimit, asociimit dhe integrimit në BE ku gjithashtu energjitë e rinovueshme stimulohen jo vetëm nga tregu por edhe nga politika nxitëse komunitare. Pra besoj se u përpoqa dhe arrita të jem i qartë për situatën që po përballojmë dhe në këtë funksion po komunikojmë edhe me publikun nuk po them se u arrit mrekullia por me autoritetin e Kryeministrit më lejoni të garantoj publikisht se problemi kritik energji nuk do të jetë më problem jo vetëm për tryezat ku punohet për zgjidhjen e tij, por në radhë të parë për tryezën e çdo qytetari apo familjeje shqiptare. Në këtë funksion më mbetet të falenderoj edhe drejtuesit e KESH dhe të ministrisë së Energjisë dhe t'ju uroj të gjithëve punë të mbarë dhe suksese"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›