E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në ceremoninë e zhvilluar në Seman të Fierit, me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Batalionit Partizan Semani. Kryeministri Nano shoqërohej nÃ

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në ceremoninë e zhvilluar në Seman të Fierit, me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Batalionit Partizan Semani.

Kryeministri Nano shoqërohej në këtë vizitë nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade, ministri i Shtetit pranë Kryeministrit, Blendi Klosi, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.

Kryeministri Fatos Nano ka vendosur një buqetë me lule në lapidarin përkujtimor të këtij batalioni, të krijuar në 23 Shtator 1943.

Me këtë rast Kryeministri Fatos Nano u shpreh:

Të dashur veteranë dhe breza veteranësh!
Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe shokë!

Takime si ky i sotmi që bëhet në luadhet e Lili Stefit kanë krijuar një traditë shumë të bukur për mbarë popullin shqiptar. Me kalimin e kohës, këto lloj takimesh vetëm zbukurohen dhe madhështohen. Kjo është dëshmia e gjallë e vlerës së tyre të pazëvendësueshme. Kanë kaluar 60 vjet qysh kur djem dhe vajza të reja u mblodhën këtu për të krijuar batalionin partizan. Ishte një kohë tjetër, Shqipëria nuk ishte e lirë. Shqipëria nuk ishte e kulturuar dhe e zhvilluar siç është sot. Shqipëria ishte e pabukë dhe e padalë. E udhëhequr me qartësi nga shpriti i vet tradiocionalisht liridashës, e orientuar qartësisht edhe pse në mes të luftës dhe të territ historik, bijtë dhe bijat tuaja, me qartësi morën një vendim historik. Vendosën të bashkohen jo vetëm kundër pushtuesit fashist dhe nazist, por në të njëjtën kohë hodhën edhe themelet e një aleance të madhe me Botën e qytetëruar, e cila sot po jep frytet e veta më shumë se ndonjëherë tjetër.

Kjo ishte aleanca e progresit kundër regresit, e dritës kundër errësirës, e jetës kundër vdekjes. Ishte aleanca e madhe e popullit kundër një sistemi diktatorial, që kishte emrin nazi-fashizëm. Me vendimin që ju morët 60 vjet të shkuara ishit ju që orientuat Shqipërinë në drejtimin e lirisë. Pavarësisht, ndonjë deformimi më vonë, ju qysh ato ditë u bëtë aleatë të forcave progresiste të Botës. Me vendimin që morët na bëtë edhe ne fëmijët tuaj të ndihemi krenarë për prindërit tanë. Këtë po ua them si pasardhës i regjistruar i veteranëve antifashistë. Prandaj jemi krenarë për ju.

Vendimi juaj i 60 vjetëve të shkuara, përveçse kërkonte atdhedashuri kërkonte edhe sakrifica. Ne jemi të gëzuar që shumë prej jush që krijuat këtë batalion jeni ende gjallë, por vendimi që morët ishte një vendim që nënkuptonte përballimin e sfidës së vdekjes. Dhe ju e bëtë këtë në emër të atdheut dhe të lirisë së tij, e bëtë për një jetë më të mirë të bijve tuaj, për një të ardhme më të qytetëruar të mbarë Shqipërisë. Ja pse sot kujtojmë sërish iniciativën që bashkoi Qemal Klosin me komandantin Halit Kaçanolli dhe me gjithë shokët e tjerë. Ne nuk mund të mos ndalemi tek fakti që përgjegjësi i rinisë së këtij batalioni ishte shkrimtari i shquar Kasem Trebeshina. Fati i tyre i mëvonshëm u bë një provë e pakundërshtueshme sërish e pastërtisë dhe e vlerave gjithëpërfshirëse të kësaj lëvizjeje që ne të gjithë e quajmë antifashiste nacional çlirimitare.

Ajo që në të vërtetë ka qënë shumë më tepër sesa kaq, ka qënë një lëvizje për liri dhe demokraci, për mirëqënie dhe integrim të vlerave tona në botën e qytetëruar. Në këtë kuptim ne bijtë tuaj po realizojmë pikërisht këtë ëndërr që për një arësye apo një tjetër u la në mes. Unë dua t'ju kujtoj që edhe kohët moderne lëvizin korbat e historisë. Sot festojmë 60-vjetorin dhe ju e dini mirë dhe jeni në roje të mospërsëritjes së këtij fakti që katër vjet kjo festë nuk është festuar këtu në Seman. Ne pra do të vazhdojmë të mbrojmë lirinë dhe të integrojmë në mënyrë të pakthyeshme Shqipërinë në Europë, duke forcuar njëkohësisht aleancën dhe miqësinë me SHBA. Në këtë aksion ku është përfshirë e gjithë shoqëria shqiptare nuk ka asnjë dyshim se qëndron si gur themeli akti juaj, ashtu si i shumë shqiptarëve të tjerë 60 vjet të shkuara kur me qartësi dhe vendosmëri vendosët të rreshtoheni në mbrojtje të lirisë së atdheut, në krahun më progresist të Botës. Edhe për këtë ju jemi mirënjohës.

Sot Shqipëria ndryshon me ritme të papara. Ekonomia e hapur, forcimi i shtetit të së drejtës, reforma e pandërprerë e shoqërisë dhe konsolidimi i institucioneve demokratike janë bërë baza e këtij zhvillimi të qëndrueshëm, të cilin ne e realizojmë në bashkëpunim me po ata partnerë dhe aleatë që ju zgjodhët 60 vjet të shkuara. Në këtë proçes zhvillimi, reforma e deçentralizimit të pushtetit vendor ka një rëndësi jetike për të ardhmen tuaj dhe të të gjithë vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian. Prandaj Qeveria Socialiste që unë drejtoj mbetet e angazhuar totalisht të përpilojë dhe zbatojë strategji zhvillimi rajonale që ju japin ju çelësat e drejtimit. Në këto zhvillime, fjala dhe veprimi juaj institucional janë përshpejtuesit e pazëvendësueshëm të reformave që në të vërtetë do t'ju japin më shumë pushtet juve dhe të zgjedhurve tuaj. Me reformat që kemi ndërmarrë, ky pushtet i juaji sa vjen dhe zgjerohet dhe kap tani edhe potencialet intelektuale të rajonit edhe pasuritë materiale dhe financiare që ju krijoni. Pra ju do të bëheni edhe më shumë nesër administratorë të së ardhmes suaj dhe të zhvillimit mbarëkombëtar.

Prandaj edhe zgjedhjet e këtij viti për pushtetin vendor kanë një rëndësi akoma më të madhe sesa duken. Një fjalë e urtë thotë se nuk është e këshillueshme që bijtë të flasin gjatë para etërve.

Prandaj edhe unë nuk po zgjatem por po përkulem bashkë me ju përballë kujtimit dhe nderit kombëtar që na bashkon në këtë ditë përvjetori të 60-të të batalionit të Semanit.

Ta mbajmë gjallë shpirtin e lirisë dhe të demokracisë!
Lavdi në jetë Batalionit Partizan Semani!
Rroftë populli i Semanit!
Rroftë Shqipëria!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›