Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, priti në një takim të vecantë Ndihmës Administratorin për Europën dhe EuroAzinë të USAID, Dr.Kent Hill. Në takim morrën pjesë, gjithash
Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, priti në një takim të vecantë Ndihmës Administratorin për Europën dhe EuroAzinë të USAID, Dr.Kent Hill. Në takim morrën pjesë, gjithashtu, z.Stave Zate, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, z.Harry Birnholz, Përfaqësuesi Përheshëm i USAID në Shqipëri, etj.
Ministri Bello e falenderoi Dr.Hill për kontributin dhe mbështetjen që USAID i ka dhënë Shqipërisë në përpjekjet e saj për realizimin e reformave në kuadër të integrimit dhe në veçanti për luftën kundër trafiqeve të paligjëshme dhe korrupsionit. Ai shprehu kënaqësinë për mbështetjen e gjithanshme të ofruar nga qeveria e SHBA nëpërmjet Ambasadës dhe agjensive të specializuara, të cilat janë tërësisht të angazhuara për të ndihmuar konkretisht Qeverinë Shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj para partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë kuadër, Ministri Bello theksoi se niveli shumë i mirë i bashkëpunimit ndërmjet strukturave shtetërore dhe aktorëve nga shoqëria civile ka ndikuar në përshpejtimin e mëtejshëm të plotësimit të objektivave priroritare, vecanërisht në drejtim të luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe korrupsionit. Nisma të tilla si Koalicioni Shqiptar Antikorrupsion dhe Koalicioni "Bashkë Kundër Trafikut të Fëmijëve" kanë komplementuar përpjekjet e qeverisë në këto dy drejtime të rëndësishme. Gjithashtu, Ministri Bello shprehu vlerësimin e tij për iniciativën e re të financuar nga USAID nëpërmjet projektit "Masa të koordinuara kundër trafikut të qënieve njerëzore" me një vlerë 3.5 milionë USD, i cili do të zbatohet gjatë katër viteve të ardhshme në mbështetje të strategjive dhe planeve të veprimit të hartuara nga qeveria Shqiptare.
Dr. Hill shprehu vlerësimin për arritjet e deritanishme të Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, si dhe për ritmin e kënaqshëm të reformave. Ai theksoi se qeveria e SHBA nëpërmjet USAID ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme Shqipërisë për plotësimin e objektivave prioritare dhe arritjen e rezultateve konkrete, duke e renditur vendin tonë si përfituesin kryesor në rajon. Ai shprehu kënaqësinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e strukturave shtetërore me USAID dhe aktorë të tjerë, duke e konsideruar atë si një model për të gjitha vendet e rajonit.
Ai theksoi se vullnetet tona janë të përbashkëta për të lëvizur sa më shpejtë në drejtimin e duhur dhe për këtë garantoi se mbështetja e USAID, ashtu si deri më tani do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.
Ministri Bello në përfundim siguroi Dr.Hill se vullneti dhe angazhimi i qeverisë Shqiptare do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e bashkëpunimit tonë të ardhshëm, me qëllim që të thellohet progresi drejt integrimit në strukturat Euro-Atlantike.