E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në mesditë me një delegacion të Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërrmarrjeve, i cili kryesohej nga z. Michael Granoff, President i Bordit të Drejtorëve të FS

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në mesditë me një delegacion të Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërrmarrjeve, i cili kryesohej nga z. Michael Granoff, President i Bordit të Drejtorëve të FSHAN-së i emëruar nga Presidenti i SHBA.

Kryeministri Fatos Nano në fillim të takimit, duke e uruar Z.Granoff për dekorimin e tij me Urdherin "Nene Tereza" nga Presidenti i Republikes, i shprehu vlerësimet e Qeverisë Shqiptare z.Granoff për asistencën ne fushen e menaxhimit dhe financimet e kompanive private shqiptare të ofruar nga ky organizëm, për afrimin e firmave perëndimore që janë të interesuara për të investuar në Shqipëri, si dhe për ndihmën që ai ka ofruar në përpjekjet që po bën Shqipëria për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Më tej zoti Nano i ka njohur përfaqësuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërrmarrjeve me ecurinë dhe progresin e deritanishëm të reformave në fushën e ekonomisë, krijimin e kushteve lehtësuese për biznesin vendas dhe të atë të huaj, rritjen e standarteve të punës dhe kualifikimin e administratës shtetërore edhe në funksion të procesit të përafrimit me strukturat euroatlantike. "Ne po punojmë në drejtim të forcimit të kapaciteteve administrative edhe përmes kualifikimeve në zona prioritare të zhvillimit, por gjithashtu po mbështesim edhe forcimin e sektorit privat në vendin tonë",tha Kryeministri Nano.

Më tej Kryeministri Nano siguroi se Qeveria Shqiptare e konsideron rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standarteve të jetesës për shqiptarët si vendimtare për të ardhmen e vendit dhe mbetet e angazhuar për të ndërrmarrë veprime konkrete që përmirësojnë klimën e biznesit dhe çelin mundësi të reja për sektorin privat vendas dhe të huaj për të investuar në vendin tonë.

Nga ana e tij zoti. Granoff u shpreh mjaft i kënaqur për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin e këtij organizmi me Qeverinë Shqiptare duke theksuar se "ne vërejmë një progres të dukshëm në zhvillimin ekonomik vitin e fundit".

Në këtë kuadër ai ka vlerësuar si një hap mjaft pozitiv dhe si simbol të progresit hapjen e një dege të Bankës Amerikane të Shqipërisë në Greqi. "Ne kemi vënë re një progres sinjifikant dhe progresi më i madh mendoj se është hapja e degës së Bankës Amerikane të Shqipërisë në Athinë dy ditë më parë, e cila ka një rëndësi të madhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi, por është edhe një simbol i progresit të Shqipërisë si komb për të operuar edhe jashtë kufijve të saj", tha z. Granoff.

Në këtë takim nga bashkëbiseduesit u theksua se objektivi i FSHAN-së ka një rëndësi shumë të madhe në identifikimin e kompanive që kanë perspektiva të qarta për tu zhvilluar në biznesin e tyre, që promovojnë prodhimin në vend, krijojnë vende të reja pune si dhe mundësi më të mëdha eksporti.

FSHAN ka investuar deri tani një shumë prej 43 milion $ me 57 investime në 21 kompani në Shqipëri, si dhe ka kontribuar me mbi 130 milionë $ në GDP-në shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›