Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvilli
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Arben Malaj, Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani dhe përfaqësuesi i BERZH-it, Anthony Marsh.
Në këtë ceremoni Kryeministri Nano u shpreh:
"Është një kënaqësi e pazëvendësueshme të marr pjesë në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të kredisë prej 40 milion euro midis Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për ndërtimin e TEC-it të Vlorës.
Duket se me 25 milion USD kredi të Bankës Botërore, të firmosur katër muaj më parë në këtë sallë, me 40 milion euro kredi të BERZH, që po nënshkruajmë sot, me 40 milion euro të tjera që do të firmosen këto ditë me Bankë Europiane të Investimeve dhe, sigurisht, me rreth 15 milion euro të vetë Koorporatës KESH, është siguruar financimi i nevojshëm për ndërtimin e fazës së parë të TEC-it të Vlorës.
Me këtë rast, unë garantoj konsumatorët vendas dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët punojmë për të ristrukturuar dhe konsoliduar sistemin energjitik të vendit, që në muajin shkurt 2005 do të shpallim fituesin e zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm për ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Të rëndësishëm edhe sepse, pas 21 vjet mungese totale investimesh për burime të reja, Shqipëria do të krijojë një burim të tillë të ri energjitik.
Realizimi i projektit të TEC-it të Vlorës është një provë e rëndësishme e seriozitetit të bashkëpunimit dhe partneritetit midis qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare më të rëndësishme, të cilat mbështesin përmbushjen e objektivave ambicioze të programit tonë qeverisës. Rëndësia e projektit në fjalë, e lidhur me fazën e parë të ndërtimit të TEC-it të Vlorës, lidhet me startimin e këtij kompleksi të madh të parkut industrialo-energjitik në këtë zonë për momentin me fuqi 120 megavat, lidhja e të cilit me sistemin elektroenergjitik shqiptar do të japë efekte të ndjeshme në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët vendas, do të ulë ndjeshëm kufizimet e energjisë, do të balancojë më mirë sistemin dhe do të intensifikojë burimet gjeneruese të energjisë që prodhohet në vend, duke ulur dhe varësitë nga kushtet hidrologjike.
Me këtë rast, më lejoni për shkak të detyrës dhe të suksesit të këtij bashkëpunimi, të falenderoj përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të Bankës Botërore, të Bankës Europiane të Investimeve, të institucioneve financiare ndërkombëtare në tërësi për këtë mbështetje të qartë financiare dhe institucionale që i japin qeverisë dhe popullit shqiptar në investime në sektorë prioritarë si energjia, të cilat kanë rëndësi të veçantë për rritjen tonë të qëndrueshme ekonomike në kuadrin e hapjes për integrim.
Sektori elektroenergjitik shqiptar pas një periudhe të gjatë vështirësish të njohura, në sajë të vendosmërisë së Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për thellimin e reformave dhe përmirësimin e kapaciteteve dhe të rezultateve në administrimin e tij, ka rritje të dukshme dhe mbi këtë bazë ka këtë partneritet në bashkëpunim me institucione financiare të rëndësishme, të cilat janë të vështira për t'i bërë miq, por, pasi i bën miq, janë shumë të vështira për t'i humbur. Është e qartë që me këtë mbështetje financiare të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë Qeveria e Shqipërisë, duke integruar dhe mbështetjen e donatorëve të tjerë të sektorit të energjisë elektrike, do të vazhdojë të shfaqë vendosmërinë e vet për t'u përballur dhe për të zgjidhur të gjitha sfidat e zbatimit me rigorozitet të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Sektorit të Energjisë Elektrike, si në fushën e investimeve ashtu dhe në ristrukturimin dhe futjen realisht në treg të kësaj kompanie të rëndësishme.
Duke e mbyllur, ju falenderoj për pjesëmarrjen dhe të partnerëve tanë financiare në mënyrë të veçantë, duke garantuar se do të punojmë me të njëjtin seriozitet me ta, duke nisur nga finalizimi sa më i shpejtë i këtij projekti të rëndësishëm që do të ndikojë drejpërsëdrejti në përmirësime të ndjeshme të funksionimit të balancës energjitike të vendit, të marrëdhënieve prodhim- konsum të energjisë".