Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite znj.Lunettes Lowdes, Drejtore e Departamentit të Europës në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. N
Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite znj.Lunettes Lowdes, Drejtore e Departamentit të Europës në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano, në emër të Qeverisë Shqiptare, i shprehu znj.Lowdes falenderimet dhe vlerësimet për ndihmën e dhënë nga Kryqi i Kuq në operacionet humanitare në shërbim të njerëzve në nevojë në Shqipëri, në operacionet e ndihmës për refugjatët në vitin 1998, gjatë krizës kosovare në vitin 1999, si dhe për veprimtaritë humanitare në fushën sociale dhe atë të edukimit shëndetësor në komunitet.
Z.Nano siguroi për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria Shqiptare i jep Kryqit të Kuq Shqiptar. Qeveria Shqiptare, - theksoi në takim z.Nano, - është e hapur për bashkëpunim dhe mbështet çdo inisiativë për krijimin e hapësirave për mbështetjen financiare dhe materiale të veprimtarive humanitare të Kryqit të Kuq. "Qeveria që unë drejtoj është e angazhuar dhe po punon me përgjegjësi dhe seriozitetin e duhur në inisiativat që ka ndërmarrë për të mbështetur njerëzit në nevojë edhe përmes zbatimit të Strategjsië së Reduktimit të Varfërisë", tha Kryeministri.
Znj.Lowdes, nga ana e saj, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë Shqiptare, duke e konsideruar të rëndësishëm partneritetin të. Ajo nënvizoi se qëllimi i kësaj vizite është evidentimi i rrugëve të bashkëpunimit të mëtejshëm për realizimin e misionit humanitar të kësaj organizate. Më pas, ajo e njohu Kryeministrin Nano me situatën aktuale, me projektet e ardhshme të Kryqit të Kuq në Shqipëri, për rolin dhe funksionin e tij në ndihmë të komuniteteve në nevojë. "Ju keni qenë një mik i mirë i shoqatave ndërkombëtare në Shqipëri dhe roli juaj është i vlerësueshëm për ne", tha znj.Lowdes.
"Tashmë e rëndësishme për ne në axhendën shqiptare nuk është më misioni humanitar, por rishikimi i rolit të organizatës në këtë stad të zhvillimit të vendit tuaj. Në këto vite në Shqipëri janë hedhur themele solide për ngritjen një shoqërie të fortë kombëtare. Dua t'ju përcjell vlerësimin për kapacitetet e mëdha që ka shoqëria shqiptare, e cila po dëshmon aftësi për të punuar dhe ndihmuar në raste emergjecash, si dhe për të përcjellë vlerat humanitare", përfundoi znj.Lowdes.