I nderuar Kryetar i seances, Të nderuar kolegë deputetë, Synimet dhe pikënisja e kërkesës parapolitike të regjimit te Berishes për këtë debat janë të mbrapshta dhe të stisura, të të
I nderuar Kryetar i seances,
Të nderuar kolegë deputetë,
Synimet dhe pikënisja e kërkesës parapolitike të regjimit te Berishes për këtë debat janë të mbrapshta dhe të stisura, të të njëjtit lloj me atë pjesë të medias shpifëse dhe gjobitëse të ushqyer prej tij.
Unë vij këtu jo për të konkuruar me Berishën, sepse vetëm gjatë viteve që qeveris maxhoranca jonë që po hyn në vitin e 8-të, media fitoi lirinë reale, lirinë e vet ligjore, duke arritur standarte, të cilët as që mund të imagjinoheshin në kohën kur në pushtet ishin ata që kanë firmosur këtë mocion, së bashku me shefin e tyre. Mund të ngrini kokën dhe të shikonit sa "lule" mediatike ka vazhdimisht vetëm në galerinë e Parlamentit! I falenderoj gazetaret për transparencën që na ofrojnë!
Më lejoni të bëj një retrospektivë faktesh dhe të vërtetash mbi tranzicionin e mediave në Shqipëri në këto 12 vitet e fundit, për të evidentuar kështu per publikun, progresin që ekziston sot edhe në institucionalizimin e lirisë së fjalës, të asaj lirie e cila nuk ekzistonte fare, ose, apo jo zoti Lesi, ekzistonte e përgjakur dhe e gjymtuar vetëm pak vjet më parë. Nuk e shoh të tepërt të përsëris, me këtë rast, thënien e një filozofi të njohur: Liria është si ajri, asaj ia kupton vlerën vetëm atëhere kur nuk e ke. Dhe këtë të vërtetë unë dhe mjaft gazetarë të shquar e kemi mësuar dhe pësuar prapë nga shefi i zonjes Topalli, Berisha!
Sot media e ushtron aktivitetin e saj bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në ligjin "Për radion dhe televizionin publik e privat", në ligjin për shtypin i cili nga viti '97 e deri më sot ka vetëm një nen që e propozuam dhe miratuam ne, socialistet dhe progresistet: "Shtypi është i lirë", si dhe në korpusin ligjor të kodeve dhe konventave që rregullojnë liritë e shtypit në perputhje me të drejtat e njeriut. Nga kjo pikëpamje ka ikur përfundimisht koha kur gazetarët goditeshin në errësirë në prita cubash, tridheshin dhe hidheshin në ferr apo burgoseshin e trajtoheshin më keq se kriminelët. Gjej rastin të përkujtoj me emocion dhe respekt të thellë gazetarin dhe shkrimtarin Teodor Keko, i cili u nda nga jeta me misterin e pazbuluar të ekzekutorëve që me porosi të udhëheqjes së regjimit të vjetër e goditën barbarisht tek pragu i shtëpisë vetëm se publikoi pikëpamjet e tij për regjimin Berisha. Po kështu Edi Rama, FrrokÇupi, Alfred Peza, Zamir Alushi, Bardhok Lala, Zamir Dulja, etj., etj., janë dëshmi të gjalla të atij represioni çnjerëzor fizik dhe psikologjik që është ushtruar ndaj njerëzve të shtypit gjatë gjithë regjimit të Berishës. Përveç kësaj, lista e atyre që janë sulmuar dhe përdhosur edhe verbalisht është e pafund.
Unë sot mund të mos jem dakort për shumë arsye me Aleksandër Frangaj apo Marsel Skëndon e Martin Lekën për çështje të veçanta, por ata janë ish të burgosur padrejtësisht ashtu si unë, dhe, prandaj ç'farëdo të ndodhë, ne do të mbetemi përjetësisht shokë qelish, të persekutuar politikë të regjimit të Berishës. Më në fund, liria që sollëm ne na dha shumë gjëra, madje na dha edhe mundësinë që të jemi të ndryshëm sot.
Me 2 mars 1997 unë nuk mundja të shuaja nga Bënça flakët e gazetës "Koha Jonë", por sot nuk mund të pranoj as llogjikisht dhe as njerëzisht që frymëzuesit politikë të këtij akti që të kujtonte kohën e nazizmit, të jenë avokatët politikë të botuesit Nikoll Lesi, aq më pak të gazetës "Koha Jonë".
Ne, socialistët dhe progresistët, jemi krenarë që jetojmë në një treg të gjallë e vibrues edhe të mediave, paçka se ende jo të strukturuara sipas standarteve të kërkuara. Sot, në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre të lirë 126 subjekte private të mediave elektronike radio televizive, kombëtare dhe lokale, nga ZERO që ishin gjatë regjimit të zotit Berisha. Sot, në Shqipëri dalin 22 gazeta të përditshme, ndërsa nuk jam në gjendje të them saktësisht numrin e të përjavshmeve dhe të perodikeve të tjera, pasi druaj se këto çaste, diku, në ndonjë anë të Shqipërisë, falë lirisë që kultivuam ne, ndoshta dy-tre djem të rinj dhe ëndërrimtarë mbase kanë mpiksur dhe po hedhin në treg një gazetë të re. Në këtë mënyrë, sot, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e të përditshmeve për frymë. Fatkeqësisht tirazhi i përditshëm ditor i të gjithe gazetave nuk e kalon shifrën e 70-80 mijë kopjeve, çka bën që për numërin e kopjeve për frymë Shqipëria të rënditet në vend të fundit. Dhe pikërisht në këtë raport të zhdrejtë një analizë e thjeshtë na ndihmon për të kuptuar se diçka e madhe çalon, për të cilën do të jap arsyetimet e mia në vazhdim.
Eshtë interesant fakti se edhe një vit më parë, ashtu si edhe sot, ne kemi zhvilluar në Kuvend një seancë debati me pretendimin bajat të opozitës, që përsëritet, se po ushtrohet represion mbi median dhe fjalën e lirë. A e dini çfarë ka ndodhur në harkun e 12 muajve vetëm në tregun e operatorëve elektronikë? Janë shtuar edhe 30 operatorë të rinj. Nuk e di nëse bëhet fjalë për represion apo për recepsion mikpritës demokratik dhe shqiptar, kur edhe mediat e kushtueshme elektronike shtohen me një ritëm prej 2 subjektesh në muaj?
Eshtë evident fakti se gjatë 7 viteve, pra, për llogjikë të kohës edhe gjatë 12 muajve të fundit, nuk ka asnjë rast të dhunimit të gazetarëve për shkak të detyrës. Asnje. Të gjithë jeni dëshmitarë të reagimit tim institucional ndaj një ministri, i cili u vu në qendër të një incidenti publik, duke tejkaluar të drejtën në raport me një gazetar. Madje unë e bëra këtë duke marrë përsipër edhe lodrat tuaja qe donin rrezikun e bllokimit të qeverisë, sepse për ne, socialistët dhe progresistët, principi i lirisë qëndron shumë më lart se interesat e ruajtjes së një kabineti qeverisës. A është e vërtetë se janë hapur gjyqe mes politikanëve, qeveritarëve dhe gazetarëve? Natyrisht që po. Por asnjë nga këto procese gjyqësore nuk mund të konsiderohet politik dhe aq më pak një fushatë e organizuar qeveritare kundër shtypit të lirë. Nëpërmjet këtyre proceseve legale dhe transparente ndihmohet edhe vetë media për t'u distancuar apo pastruar nga joprofesionistët, sharlatanët apo "bandat me maska mediatike", të atyre që abuzojnë me shtetin e së drejtës. Nëpërmjet shtetit të së drejtës synohet të ruhet dhe respektohet më tej liria e fjalës dhe jo dhunimi apo keqpërdorimi i saj, gjë që i pëlqen opozitës së papërgjegjëshme apo disa pseudogazetarëve, të cilët këtë profesion fisnik e kanë shndërruar nga një mision publik në një biznes të paligjshëm me përfitime të mëdha ende të pallogaritëshme plotësisht.
Është një koncept bazë i demokracisë që vlen të përmendet edhe këtu: çuarja në gjyq e një çështjeje, qoftë kjo edhe për personazhe të shtypit, nuk është aspak një dënim, përkundrazi, është apel për drejtësi dhe në një këndvështrim më të ngushtë, është një mundësi më shumë që artikullshkruesi të vërtetojë me prova akuzat e veta. Si çdo shoqëri tjetër e standarteve europiane, Shqipërisë i duhet një media e shëndetëshme, një pushtet real dhe i pavarur që mbron interesat e gjera të publikut dhe aspak agjenci të shantazhit politik apo ekonomik të lidhura me krimin, aq më pak na duhet një media që mbron vetëm interesat e dyshimta të grupeve të dyshimta të biznesit. Dhe për të arritur këtë na kërkohet të veprojmë njëlloj të gjithë, pra politika, shoqëria, institucionet e shtetit të së drejtës, organizatat jo qeveritare e kështu me radhë. Vetëm kështu do ta shpëtojmë median e lirë nga çdo lloj tutele mbytëse. Në radhë të parë e, kryesisht, për këtë duhet të japë kontributin e saj vetë media, e cila lipset që në mënyrë të pavarur të krijojë mekanizmat e vet balancues dhe antikorpet ndaj mungesës së transparencës, pastrimit të parave apo të pushteteve, aprofesionalizmit, deformacioneve, spekulimit dhe ndotjes së ambjentit shoqëror e politik me shpifje, shantazhe, e kështu me radhë.
Të nderuar deputetë,
Gjendjen reale të medias shqiptare përballë misionit të saj publik e jep tregu dhe vetë opinioni publik, ndërsa se cila është situata e saj përballë Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe gjithë marrëdhënieve ligjore që lidhen me median, duhet të gjykohet nga institucionet e shtetit, sigurisht, edhe ne, ligjvënësit.
Në mënyrë të thjeshtuar, lidhur me sa më sipër, pyetja shtrohet: në ç'raport janë aktivitetet ligjore të mediave si biznese, krahasuar me të tjera sipërmarrje? Për të hedhur më shumë dritë në këtë çështje po ju ofroj një tablo të tregut mediatik për të kuptuar edhe më mirë ju dhe publiku raportin e qeverisë dhe të strukturave të tjera ligjërisht përgjegjëse me të.
Mediat elektronike (126 subjekte) për respektimin e standarteve ligjore dhe teknike të liçensimit dhe të operimit nuk janë subjekt i kontrollit të qeverisë, por i KKRT-së, e cila është e përbërë nga 7 anëtarë, prej të cilëve 3 i takojnë maxhorancës, 3 opozitës dhe 1 Presidentit të Republikës.
E meriton të vlerësohet ky institucion i pavarur dhe profesional, pasi gjatë vitit 2003 – 2004 të gjitha vendimet e tij të ankimuara në gjykatë nga subjektet private, janë lënë në fuqi.
Në tërësinë e subjekteve (126) që ushtrojnë sipërmarrje në fushën e mediave elektronike, 31 janë regjistruar në gjykata si "persona fizikë" dhe 3 si "shoqata". Vetëm 48 nga subjektet e regjistruara si "person juridik" kanë plotësuar detyrimin ligjor për të depozituar pranë KKRT-së bilancin e vitit paraardhës.
Nga verifikimi i bilanceve për radiot FM, vetëm Top Albania Radio rezultoi me humbje.
Po ashtu gjysma e TV-ve të liçensuara kanë dorëzuar bilance me humbje.
Interesant është konkluzioni që del nga faktet zyrtare se TV-të e liçensuara vetëm 45% të të ardhurave e kanë nga reklamat, 5% nga sponsorizimet dhe gati 50% nga "burime të tjera".
Për t'u theksuar është se nga kqyrja e bilanceve nuk arrihen të justifikohen me burime financimi investimet që pronarët e disa mediave deklarojnë. Kështu, nuk pasqyrohet në bilanc pretendimi publik i zotit Frangaj se në TV Klan janë investuar 6 milion dollarë. Nuk del nga bilanci.
Për respekt të opininit publik dhe tuajin, në marrëdhënie me ligjin nuk mund të lejohet dhe as të abuzohet me ngatërresat mes mediave si biznes dhe mediave si institucion, si tribunë e fjalës së lirë dhe profesionale. Në këtë këndvështrim, siç e nënvizon edhe shqetësimi i Sindikatës së Gazetarëve, shqetësim i cili ka mbërritur deri tek zyra e Kryeministrit, problematike paraqitet situata edhe në tregun e punës së medias. Nga të dhënat e institucioneve të specializuara të shtetit rezulton se shumica e gazetarëve dhe punonjësve të medias punojnë në të zezë, pra janë të pasiguruar. Edhe për ata pak gazetarë apo punonjës që punojnë legalisht, sigurimet e tyre paguhen mbi një pagë minimale qesharake.
Me lejoni të jap disa shembuj. Kështu "Spektër" Sha e zotit Koço Kokëdhima, i cili në një letër që më ka dërguar para pak ditësh pretendon se ka të punësuar 200 vetë, rezulton se për vitin 2003 kishte të siguruar vetëm 35 punonjës, për vitin 2004 ka deklaruar se do punësojë dhe sigurojë 59 vetë, por nuk ka ende ndonjë aktmarrëveshje me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
TV kombëtar Klan pati të siguruar për vitin 2003 vetëm 21 vetë, me pagë minimale 10.184 lekë. Prandaj shumëkush, edhe këtu, vazhdon të habitet me autoveturat dhe shtëpitë e banimit apo të pushimit të disa gazetarëve, të cilët pagën ligjore e kanë vetëm 100 dollarë në muaj. Nuk besoj se do të justifikohen me honorare, pasi kjo nuk mbulohet me të dhënat e kontributit të detyrueshëm të ligjit fiskal për këtë kategori të ardhurash. Kjo çështje nuk është në juridiksionin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, por Drejtorisë së Përgjithëshme të Tatimeve i duhet të zbatojë ligjin dhe të mos habitet.
Po vazhdoj më tej: TV kombëtar Arbëria ka të siguruar 30 persona me një pagë mesatare 13 mijë lekë të reja në muaj.
TV lokalo rajonale Top Channel ka të siguruar 90 persona me pagë mesatare 10.7 mijë lekë, ndërsa Media 99 (Tv Koha) ka 16 të siguruar me pagë mesatare mujore prej 17 mijë lekë.
Nga shtypi i shkruar interesant është rasti i gazetës "Tema", e cila ka vetëm 1 (një) të punësuar dhe të siguruar zyrtarisht dhe ky është vetëm pronari, i cili duket se i bën vetë të gjitha!
Gazeta "Koha Jonë", së bashku me "Sport Ekspres", kanë 46 të punësuar dhe të siguruar me një pagë mesatare prej 10.8 mijë lekë.
Gazeta Shqiptare ka 30 vetë të punësuar dhe të siguruar.
Jo në pak raste media është përdorur për të mbuluar apo mbrojtur veprimet informale dhe ilegjitime të pronarëve të tyre, siç janë rastet e ndërtimeve pa leje. Ndër më tipiket mund të përmendim godinën 8 katëshe të gazetës "Koha Jonë" në rrugën Sami Frashëri Tiranë, e cila ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2000 pa asnjë leje ligjore sheshi apo ndërtimi dhe askush nuk është marrë me këtë shkelje ligji. Subjekti "2K Grup" i zotit Koco Kokëdhima ka ndërtuar një kat pa leje në objektin 10 katësh që ndodhet në rrugën Ismail Qemali në Tiranë (pranë RTVSH). Për këtë shkelje policia e ndërtimit e ka gjobitur subjektin "2K Grup" për shumën 16 milion lekë, e cila ende nuk është paguar. Kundërshtimi i pagesës ka ardhur për shkak se kati i 11 i këtij objekti është legalizuar nga Bashkia e Tiranës me datë 26.07.2001, megjithëse nuk ishte shlyer gjoba e vendosur nga Policia e Ndërtimit.Çështja ka kaluar në proces gjyqësor. Deri në Apel ka mbetur në fuqi vendimi i Policisë së Ndërtimit. Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.
Subjekti ndërtues "ADA Construction" me subjekt investitor "Ada Holding – Ada Air", (siç dihet pronarët e këtyre ndërmarrjeve janë edhe bashkëpronarë në Media 6 (TV "Klan")), kanë ndërtuar 23 vila 2 dhe 3 katëshe në zonën e plazhit të Golemit në Kavajë. Këto subjekte kanë marrë leje më datë 21 maj 2001 për të ndërtuar vetëm 10 vila të nje fshati turistik në një sipërfaqe prej 1.78 ha. Por subjektet kanë ndërtuar 13 vila më shumë se leja në një truall prej 3.18 ha, pra, gati duke shkelur dyfish të gjitha lejet legale. I nisur si fshat turistik dhe person i stimuluar për turizëm, ka përfunduar në nje grumbull vilash banimi, prona të titullarëve të Media 6 dhe të ca të tjerëve, prandaj nuk ka lidhur marrëveshje zhvillimi dhe qeraje me shtetin, ndaj të cilit këto subjekte janë debitore për afro 1,5 milion US dollarë.Çdo trokitje e Policisë së Ndërtimit apo e agjencive të tjera ligjore shtetërore në dyert e tyre, deri më sot është mbytur nga të ashtuquajturit "mbrojtës të lirisë së medias".
Besoj se është e qartë për publikun e gjerë se abuzimi ligjor i realizuar nga këta pronarë mediash nuk është shfrytëzuar për asnjë çast nga qeveria që unë drejtoj si mjet presioni për të përfituar linja lajmesh apo editorialesh që na favorizojnë, sepse ne jemi të vendosur t'i shkojmë deri në fund luftës kundër informalitetit ne kurriz te ligjit. Përkundrazi për të gjitha rastet që sipërpërmenda, agjencitë shtetërore kanë vendosur sanksionet maksimale ligjore që kanë në kompetencë. Nëse opozita mendon se vendosja e ligjit dhe transparenca ligjore mbi veprimtaritë ekonomike të një vargu pronarë mediash lidhet me gjendjen e fjalës së lirë, atëhere kjo është avokati për shkeljet e ligjit.
Duke respektuar legjislacionin fiskal për kofidencialitetin e shifrave të secilit subjekt, mund t'ju them se RTSH ka një xhiro të tatueshme 3 herë më të madhe se TV kombëtar "Klan" dhe "Arbëria". Ndërkohë rezulton gjithashtu se disa media të shkruara ose TV rajonale rezultojnë me xhiro fiskale të barabartë apo më të madhe se TV "Klan" apo se TVA.
Për 41 operatorë mediatikë të regjistruar në Tiranë vlen të theksohet se tatimi i fitimit që paguajnë nuk i kalon 0.9% të xhiros së deklaruar.
Dhe të gjitha këto raste apo fenomene shfaqen në një sipërmarrje, e cila është e stimuluar ndjeshëm nga shteti dhe qeveria në mënyrë ligjore.
Kështu, ligji për TVSH ka përjashtuar nga pagesa e taksës mbi vlerën e shtuar të gjitha gazetat dhe revistat, si dhe shërbimin e publikimit të reklamave që këto mjete të informimit publik kryejnë.
Mbështetur në këtë ligj ka dalë VKM nr 49, i cili e shtrin efektin stimulues për sipërmarrjen e medias edhe mbi ato elektronike duke lejuar pagesat e mëvonshme të TVSH-së. Këto subjekte kanë përfituar importe me vlerën prej 130 mijë USD për vitin 2003, ndërsa vetëm për 4 muajt e parë të këtij viti 400 mijë USD.
Pa dashur të shkoj më tej, e gjykoj me vend të sjell në vëmendjen tuaj kontributin e drejtpërdrejtë të qeverisë dhe të strukturave të saj në ndihmë të mediave të lira përmes sponsorizimeve që realizojnë një ndërthurrje të transparencës qeverisëse me interesin e shoqërisë për një media të shëndetëshme dhe të pavarur. Sa për informacion po ju bëj me dije se vetëm KESH Sha për vitin 2001 ka shpenzuar për reklama në përfitim të mediave 150 mijë USD, për vitin 2002 rreth 500 mijë USD, për vitin 2003 rreth 560 mijë USD dhe për vitin 2004 (6-mujori) 180 mijë USD. Për të shmangur çdo abuzim me të ashtuquajturën shpërndarje preferenciale ju vë në dijë se për 3 vite të marra së bashku TVSH ka përfituar 110 mijë USD reklama nga KESH, TV kombëtar Klan ka përfituar 180 mijë USD, ndërsa TV kombëtar Arbëria 120 mijë USD.
Po kështu kanë vepruar edhe Albtelecom, INSIG, ARMO etj., pa folur këtu për dhjetra SH.A më të vogla apo struktura të pushtetit vendor. Nëse ne do të kishim dëgjuar këshillën e disa agjencive të specializuara ndërkombëtare për problemet e lirisë së fjalës, sot tregut të mediave do t'i mungonin diçka më shumë se 1 milion dollarë amerikanë në vit që asaj i shkojnë në formën e reklamave dhe njoftimeve të ndryshme. Dhe këto janë pare të taksapaguesve shqiptarë, të cilat shpenzohen në emër të lirisë së fjalës dhe të shëndoshjes ekonomike të mediave tepër të reja shqiptare. Se sa ndikojnë këto në kualitetin e fjalës së lirë, kjo vlen të diskutohet ende.
Zotërinj deputetë,
Kjo është vetëm një pjesë e tablosë në tregun e medias që vlerësoj se duhet ta bëja prezente dhe publike për të kuptuar se sa ndryshe janë raportet e qeverisë me median nga ajo që pretendon opozita e vjetër apo në krahasim me kohën kur ata ishin në pushtet.
Me këtë rast, dua të ndalem edhe në abuzimin që i bëhet me faktet sporadikë të pretenduar si shenja të "sigurta" të së ashtuquajturës dhunë ndaj shtypit. Sot, përsa i përket gjendjes së lirisë së shtypit në klasifikimet ndërkombëtare, Shqipëria është e klasifikuar në të njëjtin grup me Kroacinë dhe Bullgarinë, grup i cili vlerësohet se ka njohur vetëm progres të vazhdueshëm në zgjerimin e mbrojtjes ligjore për fjalën e lirë. Për kujtesë mund t'ju them se i vetmi rast kur një udhëheqës shqiptar në periudhën postkomuniste ka figuruar në atë që quhet Lista e Turpit e Dhjetë Armiqve të Përbetuar të Lirisë së Shtypit është Sali Berisha, i cili u rendit në këtë listë krahas Fidel Kastros, Sllobodan Milosheviçit, Robert Mugabes – të cilin ai vazhdon ta ketë përzemër, - Llukashenkos dhe ca diktatorëve të tjerë afrikanë. Këtë listë mund ta gjeni lehtësisht në adresën në internet www.cpj.org dhe në këtë mënyrë do të kuptoni përparimet që kanë ndodhur dhe regresin ku duan të na kthejnë. Aq të mëdha janë këto shndërrime saqë edhe vetë Berisha apo mbështetësit e tij të arrijnë të pretendojnë se po mbrojnë sot "fjalën e lirë". Unë edhe këtë e konsideroj përparim të vendit, megjithëse e di se e gjitha kjo është vetëm demagogji e radhës e teknologjisë së shtypjes (dhe aspak të shtypit) të Berishës.
Sigurisht, siç e thashë edhe më sipër, media jonë ka problemet e saj, të cilat u nënvizuan dhe në raportin më të fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Këto probleme lidhen sidomos me mungesën e theksuar të kushteve të punës së gazetarëve, si dhe me nevojën e menjëherëshme për të realizuar transparencën e pasurive të mediave. Ky raport nënvizon se situata aktuale në mediat shqiptare citoj "nuk nxit zhvillimin e gazetarisë objektive dhe profesionale".
Prandaj ka ardhur koha të dallojmë, sipas standarteve të vendeve të BE ku po integrohemi "fjalën e lirë" nga "biznesi me fjalën", të dallojmë qartë biznesin e medias nga bizneset, për fat të keq shpesh herë të pista, në media. Qeveria dhe maxhoranca është krejtësisht e angazhuar në bashkëpunim me gazetarët profesionistë dhe organizatat e tyre përfaqësuese në Shqipëri dhe jashtë saj të ndihmojë rritjen e profesionalizmit dhe besueshmërisë së medias nëpërmjet luftës pa kompromis kundër informalitetit apo kundër abuzimit me pushtetin e katërt. Sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të shmangim anormalitetin që vumë re në krye ku Shqipëria zë vend të parë në Europë për tituj, dhe vendin e fundit për kopje për frymë; vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë që gazetarët dhe pronarët e mediave të mendojnë më shumë për publikun, pra, se si mund të jenë të dobishëm për publikun, se sa për faktin se cilit xhep apo klan do t'i shërbejnë. Vetëm në këtë realitet ligjërisht të lirë e konkurues, sipas rregullave të ekonomisë së hapur të tregut, nuk do të ketë më gazeta që prodhojnë vetëm 300 kopje, gazetarë të pambrojtur që flaken nga njëra media në tjetrën, ndërsa pronarët vazhdojnë sipërmarrjet dhe shtojnë numërin e vilave dhe të kateve të pallateve, ndërsa bëjnë zhurmën e një gazetarie acide, pra shkatërruese, siç konsiderohet në analizat e fundit në Bruksel - sikur të ishin pronarë të gazetave më të mëdha të globit.
Në këtë funksion, pra të rregullimit të funksionimit të këtij tregu jetik për të ardhmen e demokracisë, me lejoni te kujtoj iniciativën time si Kryeministër, drejtuesit kryesorë të administratës fiskale dhe Ministrise se Financave dhe pronarët e mediave ranë dakort qush para një viti dhe kanë ndërtuar tashmë një proces transparence dhe asistence të ekspertizës fiskale që mund të japë shteti në funksion të përmirësimit të mbajtjes së llogarive, të bilanceve vjetore dhe të respektimit rigoroz të rregullave dhe standarteve të shtetit ligjor që po funksionon. Përmirësimet në këtë drejtim janë të ndjeshme, gjë që do të nxisë jo vetëm transparencën e biznesit të medias ndaj shtetit dhe publikut, por dhe besueshmërinë e këtyre të fundit. Dua të nënvizoj se qeveria që unë drejtoj është e interesuar për të konsoliduar një media sa më profesionale dhe të besueshme, me efekte shëndoshëse publike, pasi vetëm kështu ndihmohet realisht edhe progresi, edhe integrimi europian i Shqipërisë.
Gjithashtu, para një viti, unë si Kryeministër, së bashku me pronarët e mediave kryesore elektronike ndërmorrëm një iniciativë ligjore për të luftuar piraterinë në treg, një nga shfaqet më të shëmtuara të informalitetit. Dhe rezultatet janë të dukshme. Tani në ekranet shqiptare nuk shihen më prodhime të vjedhura dhe është përmirësuar tregu i publicitetit, duke hedhur një hap tjetër shumë të rëndësishëm të respektimit të pronësisë intelektuale në vend dhe në realitet globale ku po integrohemi.
Për ta nxitur më tej këtë proces të frytshëm partneriteti kam nisur para pak javësh ftesa bashkëpunimi një numëri të madh organizatash të vendit apo atyre ndërkombëtare që merren me mediat, ku kam theksuar në thelb se me ndihmën e ekspertizës më të përparuar ndërkombëtare dhe me kontributin e strukturave të mediave në vend, pa shmangur në asnjë moment përgjegjësitë ligjore te strukturave qeveritare, ka ardhur koha e përgatitjes se një pakete ligjore që i shërben edhe më mirë mbrojtjes me ligj të lirisë së shprehjes dhe shmangjes së abuzimit me të, do të ishte një bazë e mirë për një hop të ri në këtë fushë jetike për demokracinë.
Aktualisht debati i ditës është përqëndruar në nevojën e një ligji për shtypin. Pavarësisht emocioneve, unë gjykoj se debati është mjaft profesional dhe prek çështje të rëndësishme të shtypit të shkruar. Nga debati i zhvilluar unë kam vënë re se ekziston një konsensus i gjerë për nevojën e rritjes së besueshmërisë së mediave, gjë që lidhet me transparencën e pronësisë, me transparencën e burimeve financiare, me transparencën e tirazheve etj. Gjej rastin të përshëndes Komisionin parlamentar të medias që prej gati një viti është angazhuar në një proces shumë serioz, të gjerë dhe transparent të hartimit të një projektligji integral dhe koherent për shtypin. "Akti i lirisë së shtypit" është një dokument që do të rrisë ndjeshëm standartet e profesionalizmit të shtypit dhe të transparencës shtetërore ndaj tij. Ky Akt Lirie natyrisht që nuk ka asgjë të përbashkët me ligjin e shtypit të kohës së regjimit të Berishës. Kjo për faktin se ligji i z.Berisha, siç edhe u provua në fakt, synim kryesor kishte dhunimin e fjalës së lirë dhe burgosjen e gazetarëve. Ndërsa Akti ynë i lirisë së shtypit ka një karakteristikë shumë domethënëse; nuk përmban ndëshkime me burg për gazetarët apo për botuesit. Miratimi i këtij Akti dhe jo status-quaoja e sotme do të ngrerë në nivelet e botës moderne standartet e informimit, të ruajtjes së burimit dhe qarkullimit të informacionit.
Me këtë Akt maxhoranca synon përfundimisht të konsolidohet edhe ligjërisht fjala e lirë dhe për pasojë synohet të rritet shkalla e legalizimit të biznesit të medias, transparenca e tij ndaj ligjeve dhe institucioneve të shtetit apo ndaj publikut. Jam i bindur se për të zbatuar këtë Akt të Ri Lirie , maxhoranca qe une drejtoj do të gëzojë mbështetjen e gjerë të komunitetit të medias së lirë dhe të opinionit publik.
Ju faleminderit!