E Diel, 1 Nëntor 2026

Dua të ndaj me ju informacionin më të fundit, në vlerësimet e qeverisë, që më keni ngarkuar të drejtoj, për stinën politike që jetojmë si maxhorancë dhe si vend i drejtuar prej saj. Në

Dua të ndaj me ju informacionin më të fundit, në vlerësimet e qeverisë, që më keni ngarkuar të drejtoj, për stinën politike që jetojmë si maxhorancë dhe si vend i drejtuar prej saj. Në raport me programin tonë qeverisës, me partneritetin që kemi arritur të zhvillojmë së bashku, në mbështetje të objektivave tona prioritare për integrimin euroatlantik të vendit dhe reformat, që ky proces na kërkon të zhvillojmë dhe përshpejtojmë, si dhe për programimin më të mire, për rezultate më të prekshme për qytetarët e vendit dhe të gjithë partnerët, që na vlerësojnë dhe mbështesin në procesin e rritjes të përgjegjësive të punëve dhe të angazhimeve tona për të përmbushur mandatin që na kanë dhënë zgjedhësit.

Dy janë temat kryesore, që lidhen me dy komponentët themelorë të veprimeve tona politike dhe qeverisëse për integrim; procesi dhe axhenda e integrimit në NATO; procesi dhe axhenda e integrimit në BE. Për të dyja këto çështje vlerësoj se edhe unë si drejtues i maxhorancës dhe i Qeverisë kam qenë, krahas rolit të çmuar të medias dhe të zëdhënësve të tjerë të maxhorancës, aq transparent sa duhet për të kuptuar nivelet që kemi arritur, progresin e realizuar, problemet që mbeten kritike dhe nevojën për më shumë angazhim, si dhe zhvillimin e kapaciteteve që mbështesin ritmet e reformave të brendshme.

Natyrisht, ngjarja historike e festës së Shqipërisë dhe të vendeve të Kartës së Adriatikut në ceremoninë solemne të zgjerimit të NATO-s, në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me 7 vendet që u anëtarësuan nga procesi i nisur në Vilnius pak vite më parë është terminali më i qartë i progresit të vendit dhe i performancës së maxhorancës sonë politike në qeverisje prej 7 vjetësh, në raport me aspiratën mbarëkombëtare për integrim euroatlantik. Është provë e seriozitetit tonë qeverisës, e aftësive për të përballuar koston e reformave dhe për të krijuar hapësirat në institucione, në ekonomi dhe në shoqëri, për të thithur standarte të botës ku duam të integrohemi dhe për të zhvilluar realitete bashkëveprimi me organizatat që udhëheqin komunitetin euroatlantik, NATO-n apo BE-në.

Besoj se të gjithë e kuptojmë se të dy proceset janë të lidhur ngushtë me njëri- tjetrin, si reformat, që duke ristrukturuar Forcat e Armatosura apo institucionet, strategjitë dhe strukturat e sigurisë dhe të bashkëveprimit për siguri të Shqipërisë në stade e vendeve anëtare të NATO-s, ashtu edhe reformat që forcojnë në tërësi kapacitetet funksionuese të shoqërisë sonë demokratike, të institucioneve të Republikës sonë Parlamentare, të Ekzekutivit, të Legjislativit, të Gjyqësorit apo të institucioneve të tjera të pavaruara kushtetuese, që janë të gjitha në të njëjtën axhendë negociatash apo bashkëveprimi, për të krijuar kapacitete që i bëjnë funksionuese standartet e BE-së edhe në Shqipëri apo në rajon.

Unë besoj se është e nevojshme të rifreskojmë me ju mesazhin thelbësor që mora gjatë vizitës dhe takimeve të nivelit shumë të lartë përfaqësues në Uashington me botën politike, ekzekutive, të sipërmarrjes, të financave, të opinionbërësve dhe të shoqërisë civile amerikane me të cilën na lidh tashmë një partneritet strategjik shumë i zhvilluar, i pakthyeshëm dhe shumë produktiv për progresin dhe ritmet e zhvillimeve të ardhshme të Shqipërisë, për integrim në botën euroatlantike.

Pata mundësinë, jo vetëm në këtë ngjarje, por edhe në dialogun politik, në shkëmbimin e informacionit dhe në krijimin e të njëjtit kuptim po aktiv për mobilizimin e kapaciteteve tona kombëtare, politike, civile, të sigurisë, të sipërmarrjes apo të resurseve që prodhon shoqëria shqiptare në procesin e përafrimit me botën moderne, në dobi të kurimit të dobësive të një sistemi në tranzicion, të vështirësive që shtohen për shkak të penetrimit të vendit dhe të rajonit nga fenomene negative globale, që nga terrorizmi deri tek krimi i organizuar, trafiqet abuzimi me pozitën në treg apo me pozitën qeverisëse, korrupsionin, informalitetin, evazionin dhe në përgjithësi çdo fenomen, që nuk sjell funksionimin e ligjit apo forcimin e autoritetit të ligjit në një shoqëri demokratike.

Vizita dhe pjesëmarrja ime, në emër të Shqipërisë dhe të Qeverisë së saj, në Shtëpinë e Bardhë dhe në ceremoninë e zgjerimit të NATO-s u realizua pas një periudhe të gjatë të punës sonë të përbashkët për të rimëkëmbur vendin dhe institucionet e tij demokratike pas krizës së 97', pas një angazhimi solidar dhe komplementar të ekipeve tona qeverisëse në 7 vjet për të përmbushur detyrat që lidhen me axhendën e reformave transformuese të realiteteve shqiptare, në përafrimin në standartet e NATO-s dhe BE-së, pas një periudhe të gjatë këmbëngulëse, performance, angazhimesh dhe serioziteti të ekipit që unë drejtoj për t'iu përgjigjur me transparencë dhe vullnet në rritje bashkëpunimit dhe bashkëveprimit, monitorimit dhe asistencës së qeverive apo të institucioneve, dy apo shumë palëshe, që na nxisin për të përmbushur detyrat e shtëpisë, në kuadrin e integrimit.

Në SHBA pata mundësinë që vlerësimin pozitiv dhe stimulues për progresin dhe trasenë në të cilin ecim për integrim ta mbajmë në nivelet më të larta përfaqësuese të administratës së Presidentit Bush të drejtuar nga vetë Ai, edhe në bisedimet e zhvilluara të Kongresit Amerikan veçanërisht në nivelet e mazhorancës republikane në Senat dhe në Kongres dhe të spektrit të gjerë mbështetës të legjislativit të SHBA-së për progresin dhe terminalet e afërta të ardhshme të Shqipërisë dhe të dy vendeve të tjera të Ballkanit në axhendën e integrimit në NATO dhe më gjerë.

Të gjitha këto mesazhe vijnë nga personalitetet më përfaqësuese të lidershipit të botës euroatlantike në Uashington, nga Presidenti Bush, Zv/Presidenti Cheney, nga Sekretarët e Shtetit Powell dhe Rumsfeld, që na kanë vizituar vitin e shkuar, nga Këshilltarja për Sigurimin Kombëtar Condolesa Rise, nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministër i Drejtësisë Aschcroft, nga Drejtori i Agjencisë së Informacionit apo të inteligjencës të SHBA Xhorxh Tenet, nga lideri i maxhorancës në Kongres Tom Delay, nga lideri i maxhorancës republikane në Senat, nga një numër i madh, shumë më i madh se më parë i lobit të kongresmenëve amerikanë për Shqipërinë dhe rajonin dhe deri tek përfaqësuesit e biznesit të madh amerikan, drejtues ekzekutivë të kompanive të mëdha, që janë shfaqur me projekte shumë fizibël në Shqipëri apo që do të vazhdojnë të vijnë për shkak të mbështetjes së Bankës së Eksport- Importeve të SHBA, apo të Organizatës për Mbrojtjen e Investimeve për sipërmarrësit amerikanë. Pra, në takime me drejtuesit e institucioneve financiare, me të cilat lidershipi amerikan realizon politikat globale dhe prezencën në tregjet globale, që nga Andreë Natsios, drejtor ekzekutiv i USAID, tek Philip Merril, President dhe Kryetar i Importit të Ex-Im Bank, si dhe Watson, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës së Mbrojtjes së Investimeve Amerikane përtej detit.

Vizita ishte e plotë edhe për shkak të dialogut të nivelit të lartë me drejtuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë dërguar apo janë në prag të dërgimit të misioneve të radhës për verifikimin e angazhimeve dhe realizimin e kontratave të reja mbështetëse, si ajo që nënshkruam pak më parë për ndërtimin e termocentralit të ri në parkun e Vlorës nga Banka Botërore dhe në vazhdim.

Mesazhi që sintetizon të gjitha këto takime është që: Shqipëria jonë që po europianizohet përbën një realitet të mirënjohur për bashkëbiseduesit amerikanë dhe për drejtuesit amerikanë dhe joamerikanë, të organizatave euroatlantike, ku po integrohemi. Kam parasysh edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Sheffer. Fjalët vlerësuese dhe nxitëse të Presidentit Bush "You are doing well" (po i bëni mirë detyrat tuaja) apo të Prokurorit të Pëgjithshëm Ashcroft, apo të Drejtorit të Përgjithshëm të CIA-s, Tenet, për sukseset e arritura dhe të vlerësuara të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe rreziqeve terroriste apo të përfshirjes së veprimtarive të terroristëve ndërkombëtarë edhe në Ballkan, vlerësimet e liderëve të maxhorancës të administratës amerikane Delay apo Frist se Shqipëria është një histori suksesi në marrëdhëniet me vendet dhe demokracitë e reja në zhvillim, na japin mundësinë të kuptojmë se axhenda e veprimeve tona të programuara qeverisëse dhe të reformave të integrimit kanë mbështetjen e duhur dhe prandaj meriton angazhime akoma më të mëdha.

Unë besoj se të gjithë e kuptojmë njëlloj se ky afrim për anëtarësim në raundin dhe Samitin e ardhshëm të NATO-s, në radhën e ardhshme të zgjerimit, nuk vjen vetëm për shkak të reformave të suksesshme në ushtri apo në Forcat e Armatosura, në strategjitë e mbrojtjes apo forcimit të kapaciteteve të bashkëveprimit me ushtrinë dhe shtabet e vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, por është një provë e aftësive dhe kapaciteteve të krijuara nga procesi i gjithanshëm i vendit, i procesit të reformave, i rolit dhe politikës sonë konstruktive në rajonin e Evropës Juglindore dhe gjithçka që lidhet me kredibilitetin e përparimit tonë kombëtar.

Nga kontaktet e punës të frytshme dhe të mjaftueshme në këtë fazë me përfaqësuesit e lartë të sipërmarrjes amerikane dhe institucioneve financiare mbështetëse ndesha interesin e drejtpërdrejtë të rritur dhe të strukturuar tanimë për shtimin e investimeve të drejtpërdrejta të kapitaleve private në vendin tone, si nëpërmjet garancive të Ex-Im Bank, që është përgjegjëse për shtimin e eksporteve amerikane në vendet partnere, ashtu edhe nëpërmjet portofolit të projektuar për t'u realizuar dhe thithur nga aktorë publikë e privatë shqiptarë nga Organizata e Mbrojtjes së Investimeve përtej detit prej 2 miliard dollarë, në funksion të prioriteteve që paraqet hapja jonë drejt tregjeve globale dhe resurset tona konkuruese në këtë proces.

Të gjitha këto zhvillime nuk na afrojnë vetëm me NATO-n, por katalizojnë edhe axhendën e marrëdhënieve dhe të negociatave me BE dhe vendet anëtare të tij. Unë kuptova, gjithashtu, nga të gjitha instancat e dialogut politik të zhvilluar, se ka shumë rezerva, nevoja dhe mundësi për të punuar shumë më mirë sesa deri më sot. Po marr më të thjeshtën, për të vazhduar më pas me një diskutim akoma më përfaqësues të angazhimeve që na takojnë. Atje ku dhe atëhere kur shërbimi ynë diplomatik apo përfaqësues, apo dialogu dhe bashkëveprimi ynë me shërbimin diplomatik të aleatëve në Tiranë funksionon mirë, përcjell me korrektesë, azhornon informacionin për progres dhe programe reformash dhe lufte ndaj dobësive të gjithë e vlerësojnë realisht progresin e bërë dhe partneritetin që zhvillojmë. Ndërsa atje ku shërbimet tona përfaqësuese diplomatike, ekzekutive apo të specializuara nuk janë dinamike, nuk janë të përkushtuara, nuk janë agresive në funksion të detyrës kjo nuk ndodh. Dhe për pasojë mbeten boshllëqe, mbeten fenomene objektivisht të argumentuara të mungesës së kredibilitetit të punës së institucioneve tona, mbeten paragjykime, keqkuptime apo dhe lobingje negative për hapat e mëtejshëm që duhen hedhur në përafrimin me këto institucione.

Probleme të tilla vazhdojmë të kemi sidomos me disa vende dhe në disa vende të Europës. Kjo nënkupton nevojën e programimit dhe të realizimit të një pune më agresive të të gjithëve jo vetëm në Tiranë, por dhe me të gjithë strukturat e vendeve përkatëse këtu dhe jashtë kufijve për të kuptuar dhe krijuar të njëjtin sens dhe të njëjtin angazhim për kapërcimin e problemeve që u shfaqën dhe në raportin e fundit të BE-së për vitin 2003 për Shqipërinë. Duket se është krejt e mundshme dhe e nevojshme që të gjithë të jemi zëdhënës të punës që bëjmë dhe propogandues të progresit dhe të angazhimeve të maxhorancës dhe të qeverisë së saj, në përmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive që negociojmë dhe marrim përsipër në kuadrin e përafrimit për integrim në NATO dhe BE. Besoj se tashmë jemi më të përgatitur për ta realizuar këtë investim më të madh dhe më rezultativ.

Po kaloj në një shqyrtim më politik dhe më të përgjegjshëm, që duhet të zhvillojmë sëbashku, të detyrave që dalin nga raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë, për procesin e Stabilizim Asociimit. Shqipëria ka sot qartësisht nevojë për një ritëm më të lartë reformash dhe ndryshimesh të prekshme nga të gjithë, edhe nga qytetarët edhe nga opozitarët. Nxitja për këtë buron nga progresi që kemi realizuar deri më sot, buron drejt nga konteksti i brendshëm, por edhe nga raportet e Shqipërisë, raporte proaktive dhe nxitëse, me qendrat dhe polet e mëdha të mendimit dhe të vendimmarrjes politike, nga të cilat gjithashtu, sapo jam kthyer, si dhe kam parasysh edhe vizitën time në Bruksel në fillim të këtij viti, apo azhornimin e saj me kontaktet e nivelit të lartë të Ministrit të Jashtëm para dy javësh. Ëshë e qartë se mesazhi që vjen dhe zhvillohet nga konteksti i brendshëm dhe partneriteti aktiv me aleatët kryesorë në botën ku integrohemi është se: Shqipëria përmes progresit të saj të brendshëm ka arritur të garantojë stabilitet për vete dhe rol stabilizues në rajon dhe kjo e bën atë një faktor për t'u konsideruar çdo ditë e më shumë.

Siç jam shprehur publikisht dhe nga Uashingtoni edhe këtu në Tiranë, unë di ta lexoj ashtu si ju raportin e BE-së. Ai është objektivist dhe stimulues, si sintezë e materies së punës që ne ndajmë në tryezat e bashkëpunimit me përfaqësuesit e vendeve dhe të Komisionit Europian me të cilët negociojmë dhe punojmë. Unë e lexoj raportin e BE-së si një dokument të ngritur mbi një bazë të fortë perceptimi që BE ka për Shqipërinë dhe klasën e saj drejtuese. Përfundimisht është në dorën tonë, të fortë dhe të sigurtë, të ndryshojmë shpejtësinë e ndryshimeve dhe të krijojmë një raport besimi më të konsoliduar të maxhorancës e të qeverisë me qytetarët shqiptarë e për pasojë edhe me përfaqësuesit e BE-së.

Është vendi e koha, që ta konsiderojmë jo thjesht realist por inkurajues raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë. Unë jam i bindur se maxhoranca qeverisëse ka mundësi të mëdha, ende të pashfrytëzuara plotësisht, që të hyjë në fazën e ripërtëritjes së madhe përmes dy mënyrave: duke iu përgjigjur me një axhendë zhvillimi nevojave bazë të qytetarit shqiptar dhe duke rigjeneruar materien tonë administrative dhe politike, që do të thotë edhe në një proces autorefleksioni, që në 15 muajt që vijnë i jep gjithsecilit pa përjashtim detyrën që i takon dhe që mund të përballojë.

Po përpiqem t'i shpjegoj më hollësisht këto dy çështje. Besoj se nuk ka nevojë për më shumë diskutim fakti që shumë nga vonesat, që relaton edhe raporti mbi të cilin jemi thelluar dhe po thellohemi, kanë lindur si pasojë e problemeve të brendshme të maxhorancës sonë. Jam i bindur se ne me më shumë qetësi, me më shumë angazhime sociale, me më pak meskinitet apo humbje busulle ndaj interesave joqeverisëse, me më shumë përgjegjësi, siç do të kishim mundur, akoma mundemi të prodhojmë një percepim edhe më pozitiv për vendin në progres dhe për kapacitetet tona qeverisëse. Sikur ta kishim realizuar këtë gjë, mjaft pasazhe të raportit do të mungonin, pasazhe kritike dhe negative. Ndërkaq jam sot këtu me ju jo për të gjetur armiq, por për të reformuar dhe dinamizuar axhendën tonë afatshkurtër të veprimeve politike dhe qeverisëse. Kjo është themelore.

Axhenda jonë europiane mund të realizohet veçanërisht më mirë përmes një kontakti më të drejtpërdrejtë të Grupit Parlamentar, që përbën thelbin e maxhorancës, me Qeverinë dhe produktet e performacës së saj për reforma. Është e domosdoshme që Grupi ynë Parlamentar të kalojë në periferi dhe të nxjerrë jashtë fenomenet e dëmshme të protagonizmit individual dhe të kthehet si një korpus qeverisës i qëndrueshëm në një garanci të patundur për ndryshimet që do të duhet të kryhen në 15 muajt e ardhshëm, që qeveria do të sjellë në Kuvend në 15 muajt e ardhshëm dhe që janë të domosdoshme për axhendën e reformave për integrim apo Stabilizim- Asociim në NATO dhe BE.

Unë personalisht, me Kryesinë e PS do të vazhdoj të kërkoj një ritëm më të lartë të punëve jo vetëm të Qeverisë, por edhe në Parlament, sepse ka reforma që humbasin thelbin, kuptimin dhe efektin nëse zvarriten si në zyrat e administratës ashtu dhe në zyrat e komisioneve të Parlamentit, ku shpesh humbet kohë duke lëmuar edhe presjet e ligjeve. Natyrisht, ky ritëm do të monitorohet nga vetë ne, do të jetë sfida për opozitën e rrugës, e cila nuk dëshiron të nxjerrë përgjegjësitë e veta nga perceptimi i përgjithshëm europian i progresit dhe i marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët, do të detyrohet të humbë apo të mbajë nivele të ulëta në koefiçentin e konkurimit politik në kushtet kur ne do ta bëjmë këtë gjë shumë më shpejt dhe shumë më mirë me një axhendë më dinamike që po e rishikojmë.

Pra, ka vend për të reflektuar për gjithçka. Nisur nga indikatorët e progresit në disa drejtime, ku gjithashtu zhvillimet mund të kishin qenë më të larta, Qeveria do të provokojë një klimë më elastike reflektimi dhe bashkëpunimi me Grupin Parlamentar dhe aktorët e tjerë përfaqësues, do të stimulojë përgjigje dhe aksione më direkte për çështje që lidhen drejtpërdrejtë me shërbimet bazë që iu ofron shteti qytetarëve siç janë arsimi, shëndetësia, zhvillimi rural apo i bujqësisë në përgjithësi, infrastruktura, energjia, furnizimi me ujë, çështjet e mjedisit etj. është momenti që energjitë tona të konvergohen dhe përqëndrohen drejt këtyre prioriteve themelore, të cilat përbëjnë për ne më shumë se një axhendë stabilizimi, përbëjnë një axhendë zhvillimi.

Për 21 ditë, ne do të prodhojmë axhendën e pikave tona të forta dhe të sigurta, që do të mund t'i realizojmë brenda mandatit që mbyllet në mesin e 2005. Axhendë kjo që do të përbëjë dhe shtyllën kurrizore të veprimtarisë së Qeverisë. Pra, edhe të maxhorancës sonë Parlamentare deri në fund të këtij mandati. Thelbi i kësaj axhende, që unë do të guxoja ta quaja metri europian i 2005, është i lidhur me axhendën e shërbimit për qytetarin shqiptar. Na duhet një kalendar i qartë i veprimeve ligjore dhe administrative, marrëdhëniesh njerëzore me fermerin dhe me thithësit e produkteve të fermerit, me tregtarin dhe me sipërmarrësin investues, me pensionistin dhe ambientalistin, me mjekun dhe të sëmurin, me mësuesin dhe nxënësin. Rruga jonë e ardhshme për të përtërirë mandatet tona qeverisëse kalon detyrimisht nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nuk mund të konceptoj një ndryshim që nuk ka gravitetin e duhur dhe prandaj nuk krijon transformime të prekshme në cilësinë e jetës së familjeve të shqiptarëve.

Ky do të jetë thelbi i axhendës sonë europiane dhe unë kërkoj dhe mirëpres kontributin e secilit prej jush, që në fillim të javës së ardhshme të përcaktoni sëbashku me ministrat, nevojat për ta strukturuar më mirë këtë ritëm dhe ndryshim, që do të shoqërohet edhe me një faturë financiare të logjikshme dhe kurajoze.

Ne do të ofrojmë dhe prodhojmë përmes axhendës sonë garancitë e duhura dhe të kërkuara edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor 2005. Ne do të marrim dhe nuk do të rreshtim së mbështeturi inisiativat për të zbatuar deri më një dhe plotësisht rekomandimet e raportit më të fundit të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e ardhshme në funksion të monitorimit të zgjedhjeve të fundit administrative. Regjistri dhe infrastruktura zgjedhore do të përmirësohen pa asnjë hezitim dhe pa diskutim, duke shfrytëzuar të gjitha instrumentat e mundshme që sot ka Qeveria dhe maxhoranca, që nga listat e votuesve mbi bazën e një regjistri civil që do të reformohet me shpejtësi për të pajisur shtetasit me kartë identiteti brenda fillimit të vitit të ardhshëm, deri tek reformimi i regjistrave të gjendjes civile, i rolit të policisë së shtetit, i korrektimeve të nevojshme, natyrisht konsensuale të Kodit Zgjedhor.

Këta dy komponentë, axhenda për qytetarin dhe axhenda për zgjedhje legjitime 2005, do të jenë dy pistat bazë të axhendës sonë europiane për 15 muajt e ardhshme. Me ç'metodë do të punojmë në këtë funksion? Unë vlerësoj se duke nisur nga sot ministrat, tashmë të instruktuar, do të paraqesin afatet e realizimit të reformave sektoriale mbi të cilat mbajnë përgjegjësi titullarësh, duke shkurtuar maksimalisht koston administrative dhe kohën e paracaktuar deri më dje, si dhe do të ndryshojmë kohën e ndryshimit të gjërave, duke u fokusuar në kalendarin bazë, në arsim, shëndetësi, përkrahje sociale, infrastrukturë.

Brenda 10 ditëve çdo titullar i Ekzekutivit do ta paraqesë këtë aksion ndryshimi, që pasi të konsultohet me grupin parlamentar, do të kthehet në një detyrim politik, ligjor edhe për Koalicionin për Integrim. Natyrisht, edhe me një detyrim politik e statutor për t'u votuar nga çdo deputet i grupit parlamentar të maxhorancës. Që tani çështjet themelore të axhendës europiane mund të konsiderohen çështje të rëndësisë së veçantë dhe statuti ynë është pa ekuivok për këto pika. Nuk mund të mbetemi të kënaqur me ecurinë e procesit të Kuvendimit të madh që kemi iniciuar si një proces i orientuar dhe i destinuar për të rritur komunikimin e partisë me qytetarin. Vlerësimi im i deritanishëm është se infrastruktura e partisë sonë dhe ajo e koalicionit në përgjithësi nuk po e mbështet siç duhet këtë aksion të kuvendimit me qytetarët. Problemi madhor sigurisht mbeten degët tona në rrethe, veçanërisht në qytetet kryesore, të cilat nuk po dalin dot nga apatia apo nga inercia e menaxhimit të vendeve në administratë. Edhe sekretariati ynë i partisë ka nevojë për shumë punë, inteligjencë dhe shprehi më të suksesshme marketingu, të cilat në këtë fazë të kuvendimit nuk po shfaqen me rezultatin e duhur. 15 muajt që kemi përpara kërkojnë dhe përbëjnë një ndryshim të madh në stilin tonë të punës. Nuk duhet të presim që qytetari të vijë në PS më. Përkundrazi partia dhe aktivistët e saj duhet të shkojnë tek cilido qytetar.

Desha të kemi të njëjtin kuptim se axhenda jonë europiane nuk mund të jetë një sukses nëse nuk mbeshtetet nga një parti e strukturuar mirë dhe dinamike në çdo kapilar të saj. Dhe kjo analizë nuk mund të konkludohet vetëm këtu, sepse kërkon thellim dhe detajim dhe në kryesinë e partisë dhe shpresoj brenda ditëve të para të majit edhe në KPD. Unë dua të kem të njëjtin besim te grupi parlamentar me përfaqësuesit tanë në legjislativ dhe ekzekutiv, me partnerët më të cilët po thellojmë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin, edhe brenda vendit, edhe jashtë tij, se Shqipëria do të vazhdojë të jetë aktive, e qëndrueshme, e suksesshme dhe konstruktive në të dyja axhendat: në axhendën e integrimit kombëtar dhe në axhendën e bashkëpunimit rajonal.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›