Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të qytetit të Tiranës, ku u prezantua maketi i qendrës së kryeqytetit, i përgatitur
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të qytetit të Tiranës, ku u prezantua maketi i qendrës së kryeqytetit, i përgatitur nga studioja prestigjoze franceze "Architechture Studio". Në këtë eveniment ishin të pranishëm ambasadorët e Gjermanisë, Hollandës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, arkitektë, përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve, projektues, sipërmarrës dhe studentë të arkitekturës dhe urbanistikës në universitetin e Tiranës.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Nano tha:
Dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë që reagoi menjëherë ndaj inisiativës për të nisur komunikimin me publikun, në fazën përmbyllëse të vendimmarrjes për maketin e qendrës së Tiranës, këtë produkt që kemi strukturuar sëbashku në një konkurs ndërkombëtar nga një studio me shumë reputacion, të mbështetur nga përfaqësues dhe donatorë të vendeve kryesore me të cilët ne kemi ndërtuar këtë partneritet për zhvillim.
Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe vazhdimin e qëndrimit proaktiv që e shtrin edhe brenda nesh, brenda vendit, partneritetin për zhvillim që Shqipëria po ndërton në procesin e integrimit në botën moderne. Ne nuk jemi ortakë me njëri-tjetrin dhe partneriteti për zhvillim prodhon produkte si ky, duke qenë oponentë të së kaluarës, duke qenë protagonistë të zgjidhjeve më të mira që i qëndrojnë kohës dhe natyrisht duke qenë të gjithë të vëmendshëm jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj publikut që do të lëvizë në këto hapësira të reja apo të rregulluara sipas standarteve të kohës që ka ardhur dhe që do të vazhdojë të sjellë ritmin e botës moderne në kryeqytet dhe në të gjithë Shqipërinë.
Unë erdha me kënaqësi të shoqëroj procesin e nisjes së shqyrtimit përfundimtar të maketit në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë së kryeqytetit në të njëjtin kohë të afishimit publik të miniaturës së hapësirave, ku do të lëvizin qytetarët që ftohen ta prekin nga afër, investitorët, projektuesit, sipërmarrësit dhe ofruesit e shërbimeve publike.
Kjo javë do të jetë javë pune për të gjithë dhe ne do të jemi me të gjithë shqisat e ngritura që nga mbledhja e KRRT-së së Bashkisë deri në mbledhjen e KRRTRSH të thithim të gjithë indikacionet dhe ndjeshmëritë e aktorëve të pranishëm dhe të qytetarëve për reduktimin e vendimmarrjes përfundimtare që i hap rrugë zhvillimit perspektiv. Dikur Shqipëria bllokohej në zhvillim, sepse regjimi identifikonte njolla të murrme. Keni përpara një maket ku ka njolla të bardha. Kemi mundësinë me këtë proces trasparence dhe komunikimi publik të davarisim dhe sensibilitetet, zhurmat rreth njollave të murrme edhe në këtë projekt të bardhë.
Jemi këtu për të bërë sëbashku zgjidhjen më të mirë në këtë partneritet për zhvillim që integron administratën publike, ekspertizën më të mirë të kohës në kontinentin ku jetojmë. Në zhvillimin urban, integrohen interesat e pronarëve të vjetër e të rinj, të sipërmarrësve, të konstruëtorëve dhe të qytetarëve. Personalisht garantoj mbështetjen pa rezerva të këtij procesi të komunikimit transparent me publikun dhe falënderoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mundësimin e këtij partneriteti midis organeve kombëtare të administrimit të territorit dhe organeve të pavarura gjithnjë e me më shumë kapacitet të qeverisjes vendore të administrimit të territorit të bashkisë kryesore në vend, të metropolit kryeqytetas.