E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite në një takim të veçantë Zv.Presidentin e Bordit Drejtues të Raiffeisen Central Bank z. Herbert Stepiç, i cili shoqërohej nga Drejtori Ekzekutiv i Ban

Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite në një takim të veçantë Zv.Presidentin e Bordit Drejtues të Raiffeisen Central Bank z. Herbert Stepiç, i cili shoqërohej nga Drejtori Ekzekutiv i Bankës Qendrore Raiffeisen dhe Drejtori i Përgjithshëm i kësaj banke në Shqipëri.

Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano u shpreh se privatizimi i Bankës së Kursimeve nga Raiffeisen Bank konsiderohet si një moment shumë i rëndësishem për ekonominë shqiptare në kuadër të privatizimeve strategjike të saj dhe të thithjes së investimeve të huaja në vend.

"Ky është një moment tepër i rëndësishëm, që lidhet nga njëra anë me finalizimin e këtij procesi që do të mbetet si një nga privatizimet më të suksesshme në historinë e privatizimeve dhe nga ana tjetër me transformimin e këtyre të ardhurave në burim financimi për reduktimin e borxhit të brendshëm dhe kryerjen e investimeve me impakt kombëtar", tha Kryeministri.

Nga ana e tij Zv.Presidenti i Bordit Drejtues të Raiffeisen Central Bank z. Herbert Stepiç u shpreh se "jemi të bindur që me prezencën tonë do të kontribuojmë në ekonominë shqiptare në drejtim të rritjes së huadhënies, sigurisë së depozitave, reduktimit të informalitetit, sepse ekonomia dhe financimi janë të lidhura bashkë. "Kjo- vijoi ai më tej- do të rrisë besimin se Shqipëria po bën progres dhe po ecën përpara".

"Ju dhe Qeveria që ju drejtoni po punon për ndërtimin dhe forcimin e vendit. Ne do të ndihmojmë në zhvillimin e ekonomisë kombëtare e më tej", tha z. Stepiç.

Sipas z. Nano menaxhimi i bankës nga një staf drejtues i zgjedhur tashmë nga Raiffeisen, do të jetë një kontribut tjetër i rëndësishëm për ekonominë dhe sistemin tonë financiar. Gjithashtu tha ai ky është një tjetër fakt që vërteton stabilitetin në zhvillimin ekonomik dhe politik të qëndrueshëm në vendin tonë.

Më tej Kryeministri Nano theksoi se Qeveria është e vendosur të vazhdojë procesin e reformave në drejtim të reduktimit të informalitetit, zhvillimit dhe zgjerimit të tregut financiar, implementimit të standarteve ndërkombëtare të kontabilitetit, auditimit dhe në sektorin publik".

Bashkëbiseduesit në këtë takim vlerësuan se për të gjitha këto arsye bashkëpunimi ynë do të jetë i vazhdueshëm dhe i frytshëm edhe në ardhmen.

Sot në mbrëmje do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e privatizimit të Bankës së Kursimeve nga Raiffeisen Bank.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›