Kryeministri i Shqipërisë, z. Fatos Nano, filloi sot takimet e punës me titullarët e dikastereve, lidhur me realizimin e matricave që kanë të bëjnë me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë p
Kryeministri i Shqipërisë, z. Fatos Nano, filloi sot takimet e punës me titullarët e dikastereve, lidhur me realizimin e matricave që kanë të bëjnë me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë për periudhën janar-mars 2004.
Takimi i parë u zhvillua me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Kastriot Islami. Duke vlerësuar punën dhe rolin e diplomacisë shqiptare përgjatë kësaj periudhe në realizimin e objektivave tre-mujore sipas matrices përkatëse, Kryeministri Nano vuri theksin në angazhimin e stafit drejtues të Ministrisë, në konsolidimin e resurseve dhe kapaciteteve njerëzore, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në kontigjentin e të rinjve që kanë studiuar jashtë dhe dëshirojnë të aktivizohen në strukturat e diplomacisë shqiptare. Kështu duke rritur e përforcuar efikasitetin e shërbimit me jashtë, Ministria e Jashtme duhet të shndërrohet në një model edhe për institucionet e tjera të linjës.
Gjithashtu, Kryeministri Nano kërkoi nga drejtuesit e Ministrisë të luajnë një rol të dorës të parë në drejtim të ndreqjes së imazhit të vendit në botë, përtej retorikës së zbrazët dhe përmes një diplomacie gjithnjë e më të zhdërvjellët dhe agresive. Theksi u vu edhe në dimensionin ekonomik të diplomacisë sonë e në mënyrë të veçantë të rolit që duhet të luajë trupi diplomatik i akredituar nëpër botë për thithjen e investimeve të huaja.
Në kuadër të frymës së bashkëpunimit rajonal dhe rolit konstruktiv e moderator që vendi ynë ka luajtur e luan në rajon, Kryeministri Nano kërkoi nga z. Islami si dhe stafi që ai drejton, institucionalizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit e të partneritetit në raport me vendet fqinje e më gjerë. Modeli i bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut, A 3, është një model që duhet ndjekur edhe në fusha të tjera të kooperimit dypalësh e shumëpalësh, ç'ka bën që diplomacia jonë dhe politika e jashtme në përgjithësi të zhvishet nga qyrku i tradicionalizimit anakronik dhe elementëve rudimentarë të trashëguar nga përvoja e largët dhe e afërt.