E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në përurimin e Nënstacionit të ri 110/20 kV të Kasharit. Në ceremoninë e përurimit të Nënstacionit ishin të pranishëm edhe Ambasadori italian, Atti

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në përurimin e Nënstacionit të ri 110/20 kV të Kasharit.
Në ceremoninë e përurimit të Nënstacionit ishin të pranishëm edhe Ambasadori italian, Attilio Massimo Iannucci, ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, përfaqësues të pushtetit lokal, etj.

Nënstacioni i ri 110/20 kV i Kasharit, që u përurua sot, është një nga nënstacionet kryesore, që do të furnizojë me energji elektrike një pjesë të qytetit të Tiranës dhe veçanërisht, zonën industriale në të dyja anët e autostradës Tiranë-Durrës deri në Vorë.

Me zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit 20 kV, nënstacioni do të bëjë të mundur furnizimin normal me energji elektrike edhe të zonave të banuara, si Kodër Kamza etj.

Ndërtimi i nënstacionit të Kasharit kushtoi 2.75 milionë EURO, prej të cilave: kostoja e huaj ishte 2.15 milionë EURO dhe kostoja lokale, 600 mijë EURO. Ndërtimi i tij përfshihej në projektin "Mars 2000", një kredi e Qeverisë Italiane prej 11.5 milionë EURO, ku përveç ndërtimit të nënstacionit të Kasharit, ishte përcaktuar edhe furnizimi i nënstacionit të Shkodrës, Peshkopisë, Cërrikut, Uzinës "Traktori" në Tiranë, proçes që ka përfunduar.

Me përurimin e nënstacionit të Kasharit konsiderohet e mbyllyr kredia italiane dhe i realizuar plotësisht, qëllimi i projektit"Mars 2000"

Në ceremoninë e përurimit Kryeministri Nano u shpreh:
"Të nderuar pjesëmarrës,
I nderuar z. Ambasador,
Investimi i ri që inaugurojmë sot konkretizon një nga objektivat e Programit të Qeverisë për përmirësimin e furnizimit me energji të qytetarëve dhe reformave ristrukturuese që kemi ndërmarrë në sektorin elektroenergjetik.
Nga pikëpamja e kapacitetit, nënstacioni i Kasharit është modest me fuqi të instaluar prej 40 MVA, por i projektuar dhe ndërtuar me mundësitë e dyfishimit të kapacitetit të tij. Si pjesë e infrastrukturës elektrike ky objekt do të përballojë kërkesat e zhvillimit industrial dhe urban të zonës në mes të Tiranës dhe Durrësit, si dhe do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike të zonës së Bathores.
Nënstacioni i Kasharit është pjesë e projektit të madh të financuar nga Kooperacioni Italian. Përfitoj nga rasti të falenderoj Qeverinë Italiane, e cila ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut tepër të madh edhe në zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri. Pjesë e këtij projekti, janë edhe nënstacionet e Shkodrës, Peshkopisë, Cërrikut dhe ish-uzina Traktori në Tiranë si dhe shtrirja dhe zhvillimi i rrjeteve shpërndarës 20 kV në Tiranë dhe në Shkodër.
Në përputhje me strategjine e zhvillimit të sektorit elektroenergjetik, si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Energjisë të cilën së shpejti do ta miratojmë në qeveri, me financime të parashikuara në buxhet dhe me mbështetjen efektive të donatorëve të huaj, të përgjegjshëm për detyrën që kemi ne do të vazhdojmë të punojmë për të zgjidhur përfundimisht problemet e sektorit të energjisë elektrike. Kështu për këtë vit dhe tre vitet e ardhëshme është hartuar një plan i madh investimesh në të gjthë sektorët e sistemit elektroenergjetik.
Vetëm gjatë vitit të fundit është bërë i mundur financimi, projektimi, kontraktimi për ndërtimin dhe fuqizimin brenda një afati 3 vjeçar të mbi 20 nënstacioneve me kapacitete dhe nivele tensioni më të madh se te gjithë nënstacionet e ndërtuara brenda 20 viteve të fundit të marra së bashku, siç janë: nënstacioni 400 kV i Zemblakut, nënstacioni 220 kV i Rrashbullit, nënstacioni 220 kV Tirana 1, nënstacioni 220 kV i Vaut të Dejës, nënstacioni 220 kV Fier, nënstacioni 220 kV Babicë, nënstacionet 110 kV të Shkodrës, Koplikut, Elbasan 1, Elbasan 2, Kavajës, Shkozetit, Vlora 1, Vlora 2, Selitës, Porto-Romanos, Beratit, Uznovës, etj., me një vlerë investimi prej rreth 90 milionë Euro, me finacime të huaja dhe të vetë KESH-it.
Këtë vit janë programuar të ndërtohen me fondet e vetë KESH nënstacionet e Mamurrasit, Plepave, Dajçit, Pukës, Fushë Kuqes, Shupenzës etj me një vlerë prej 400 milionë lekësh. Edhe në transmetim, brenda vitit të fundit janë siguruar fondet, janë projektuar, kontraktuar dhe po zbatohen projektet e shpërndarjes 20 kV për një afat 3 vjeçar për qytetet e Tiranës me 320 kabina shpërndarëse dhe nga 120 deri 200 kabina për secilin nga rrethet Shkodër, Vlorë, Korçë, Elbasan, Fier, Durrës, Pogradec, Kavajë, Berat, Lushnjë, Gjirokastër, Sarandë me një fond prej rreth 60 milionë EURO. Ky investim do të dyfishojë kapacitetet ekzistuese të instaluara prej së paku 3 dekadash për këto zona, duke garantuar një nivel të lartë sigurie dhe besueshmërie furnizimi të energjisë elektrike.
Strategjia e qeverisë për sektorin elektroenergjetik, është që nëpërmjet investimeve më të domosdoshme, menaxhimit bashkëkohor, projekteve të përshtatshme, përdorimit të burimeve alternative, futjes gjithnjë e më shumë të operatorëve privatë, brenda tre vjetësh të garantojë ndërtimin e një sistemi energjitik të aftë për të përballuar furnizimin me cilësi të energjisë elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë. Në kuadrin e kësaj strategjie po bëhen hapa të shpejta në ristrukturimin e KESH-it, për komercializimin e korporatizimin e funksioneve të gjenerimit, transmetimit dhe shpërndarjes, për t'i hapur rrugë liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, për t'i hapur rrugë kompeticionit dhe sidomos për të afruar investime të reja dhe të mëdha nga investitorë strategjikë të huaj dhe vendas.

Urime dhe punë të mbarë!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›