Ministrja e Punës dheÇështjeve Sociale, Valentina Leskaj, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, deklaroi perpara gazetarëve: Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij tÃ
Ministrja e Punës dheÇështjeve Sociale, Valentina Leskaj, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, deklaroi perpara gazetarëve:
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të radhës të zhvilluar sot pasdite, miratoi vendimin "Për rritjen e pensioneve".
Qeveria vendosi rritjen në masën 10 përqind të pensioneve të pleqërisë, pensioneve të parakohshme të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit, pensioneve familjare, pensioneve për merita të veçanta, pensioneve dhe shtesave mbi pensionet e posaçëm shtetërorë, pensioneve për vjetërsi shërbimi.
Pas kësaj, rritje pensioni i plotë minimal i pleqërisë nuk mund të jetë më pak se 6 728 lekë në muaj.
Edhe pas kësaj rritjeje pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj si kompesim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompesim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjestar të familjes që është në vartësi ekonomike, etj.
Duke u nisur nga strategjia për ngushtimin e diferencës midis masës së pensioneve të fshatit me ato të qytetit, Qeveria vendosi rritjen në masën 20 përqind të të gjithë pensioneve të fshatit, të cilat janë caktuar sipas ligjit nr.4976 datë 29.6.1972 "Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore dhe ato të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të ligjit "Për Sigurimet Shoqërore".
Pas kësaj rritje pensionet e plota minimale të fshatit nuk mund të jenë më të ulëta se 2 590 lekë në muaj.
Përveç pensionit, kjo kategori pensionistësh, kur banon në fshat, merr çdo muaj një kompesim për rritjen e çmimit të energjisë prej 200 lekë. Të gjithë pensionistët që marrin pension fshati, kur banojnë në qytete, përveç pensionit mujor do të vazhdojnë të marrin kompesim për liberalizimin e çmimit të ushqimeve 494 lekë në muaj, kompesim për rritjen e çmimit të energjisë prej 350 lekë në muaj dhe kompesim për personat në varësi ekonomike të tyre, deri në 414 lekë në muaj për çdo person.
Nga rritja e pensioneve me këtë vendim do të përfitojnë 555 mijë pensionistë, prej të cilëve 185 mijë janë pensionistë që marrin pensione fshati.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi llogariten në shumën prej 1 659 milionë lekë dhe përballohen nga fondet e planifikuara në buxhetin e sigurimeve shoqërore për vitin 2003.
Ky vendim do të shtrijë efektet financiare nga data 1.7.2003.
Po sot, qeveria vendosi rritjen në masën 10 përqind të pensioneve suplementare të ushtarakëve dhe të pensioneve dhënë familjeve të pilotëve të rënë në krye të detyrës.
Efektet financiare të këtij vendimi llogariten në shumën prej 98.7 milionë lekë.
Qeveria vendosi gjithashtu, rritjen në masën 10 përqind të shtesave mujore të pensioneve të invaliditetit, dhënë sipas vendimit nr.381, datë 20.5.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për zbatimin e ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, "Për statusin e invalidit".
Aktualisht, sipas grupimeve të invalidëve shtesa është:
- Për invalidët që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme të një personi tjetër 1955 lekë në muaj
- Për invalidët që janë plotësisht të paaftë për punë 1725 lekë në muaj
- Për invalidët që janë pjesërisht të paaftë për punë 1495 lekë në muaj
Këtë shtesë e përfitojnë 3918 invalidë. Efektet financiare të vendimit fillojnë nga data 1 korrik 2003.